Maturantët kosovarë bëhen për spital, në Shqipëri

Maturantët kosovarë bëhen për spital, në Shqipëri

Shkollat e mesme të larta në Kosovë tashmë disa vjet e kanë bërë traditë vizitën një javëshe në Shqipëri.

Nxënësit pothuajse të të gjitha shkollave në vitin e fundit të studimit, përkatësisht maturantët në fillim apo në fund të vitit shkollorë mund ta shohin Shqipërinë edhe pse duhet të paguajnë shuma të konsiderueshme parash, dhe kjo ka bërë që jo të gjithë maturantët ta kenë këtë mundësi udhëtimi.

Por së bashku me tërë këtë kënaqësi jo rrallë kanë ndodhur edhe probleme të shumta.

Ditë më parë gjatë vizitës në Shqipëri të nxënësve të gjimnazit “Gjergj Kastrioti –Skënderbeu” të Drenasit ka ndodhur një aksident ku të lënduar kanë mbetur disa maturantë.

Nxënës të këtij gjimnazi kanë treguar për Indeksonline se “për shkak të konsumit të tepërt të alkoolit dhe cigareve” një grup nxënësish janë rrahur . Në gjithë këtë më së shumti i ka pësuar njëri prej nxënësve i cili ka përfunduar në spital në Shqipëri.

Por gjithnjë sipas tregimit të nxënësve, të cilët deshën të mbesin anonim, kur është informuar për këtë rast Policia e Shqipërisë, ka ushtruar dhunë brutale mbi maturantët kosovarë të cilët për shkak të alkoolit kishin rrahur shokun e tyre.

Drejtori i Gjimnazit Valdet Istogu, për Indeksonline ka thënë se kjo ka qenë “vetëm rrahje në mes adoleshentësh” por ai nuk e ka mohuar faktin që një nxënës ka përfunduar në spital.

E në Ministrinë e Arsimit nuk janë të informuar për këtë rast. Arbër Morina Këshilltar i Ministrit Ramë Buja i ka thënë Indeksonline se “Ministra nuk e ka marrë asnjë kërkesë zyrtare nga Drejtoria e Arsimit në këtë komunë” lidhur me këtë ngjarje.

Por pse nuk e ka Ministria e Arsimit një informacion të tillë kur është ajo që ka lejuar ekskursionet.

Morina arsyetohet me atë se “nëse këtë problem nuk mund ta menaxhojë së pari Drejtori i shkollës dhe pastaj Drejtoria Komunale e Arsimit atëherë intervenojmë ne”. Por Morina ka thënë se inspektorët e kësaj ministrie do të interesohen për rastin.

Ndërkohë në këtë shkollë thonë se njëri nga nxënësit i cili ka qenë edhe shkaktari kryesor i përleshjes është i njohur për probleme të tilla por se asnjëherë nuk është dënuar.

E me probleme të tilla përballen çdo ditë shkollat në vendin tonë ndërkohë dënimet për nxënësit “problematik” shpesh po harrohen dhe kjo shpesh sipas nxënësve ndodhë për shkak se këta nxënës njohin njerëz të fuqishëm