Fëmijët e krerëve të drejtësisë, në Ministrinë e Hajredin Kuçit

Fëmijët e krerëve të drejtësisë, në Ministrinë e Hajredin Kuçit

                                                                                                                                                          foto

Flaka Xhelili, Venera Kabashi dhe Shpëtim Peci. Këta janë disa nga emrat e të punësuarve në Ministrinë e Drejtësisë.

Emrat e tyre nuk do të thoshin asgjë për opinionin nëse të tre nuk janë fëmijë të zyrtarëve aktualë të lartë të shtetit, të punësuar në një ministri.

Flaka Xhelili është vajza e deputetit Fatmir Xhelili, i cili vjen nga Partia Demokratike e Kosovës (PDK). Kjo parti për nënkryetar ka ministrin e Drejtësisë, Hajredin Kuçi, që është edhe zv/kryeministër i Kosovës.

Përveç kësaj, deputeti Xhelili që me profesion është neuropsikiatër, një kohë ishte edhe zv/ministër i Punëve të Brendshme, kurse më parë për një periudhë të gjatë, deri në shuarje, ka qenë drejtor i Drejtorisë për Luftimin e Krimit të Organizuar në ish-Shërbimin Informativ të Kosovës (ShIK). Këtë e ka thënë publikisht edhe ish-shefi i SHIK-ut, Kadri Veseli.

Në Ministrinë e Drejtësisë, Flaka Xhelili punon si zyrtare ligjore në Departamentin Ligjor. Aty është edhe Venera Kabashi. Edhe ajo punon në të njëjtën pozitë sikurse kolegia e saj, Xhelili./Tribuna/