Një deklaratë publike e ministrit të Punëve të Brendshme e ka befasuar shumë kryeprokurorin e Gjykatës së Qarkut të Mitrovicës, Shyqeri Sylën. Ai ka mbetur i habitur kur ministri Rexhepi me plot përgjegjësi ka pranuar publikisht në një emision se vrasësit e Selver Haradinajt nuk janë serbë.
Kjo gjë e ka prekur shumë Sylën, kryeprokurorin e Gjykatës së Qarkut, i cili është duke u marrë intensivisht me rastin në fjalë. Thotë se as vetë si person, i cili ka qasje në hetimet e kësaj vrasjeje, nuk e di se ku i ka marrë Bajram Rexhepi informacionet e tilla. “Ministri e ka marrë rolin e hetuesit. Nuk e di as kah i ka nxjerrë ato informata se vrasësit e Selver Haradinajt nuk janë serbë”, ka thënë kryeprokurori Syla për Express.
I habitur nga kjo deklaratë e ministrit, kryeprokurori Syla thotë se asnjë fjalë që ka dalë nga goja e Bajram Rexhepit nuk është e vërtetë. “U çudita nga ato çfarë tha ministri. Kjo pasi të paktën ne që po merremi me këtë vrasje nuk kemi informacione të tilla”, vlerëson ai.
“Me bindje të plotë po e them se ne si në prokurori nuk e dimë se kush e ka vrarë. Hetimet për këtë vrasje akoma janë duke vazhduar dhe po e them publikisht që nuk dihet se kush e ka vrarë Selver Haradinajn, shqiptarët apo serbët”, tha kryeprokurori i Gjykatës së Qarkut Shyqeri Syla.
“Detaje të tjera nuk mund të jap, pasi dihet se çdo fjalë e thënë ndikon në hetime. Në këtë rast edhe deklarata e ministrit ka ndikuar keq”, tha ai.
E krejt këto reagime të kryeprokurorit Syla vinë vetëm pak ditë pasi ministri i Punëve të Brendshme i Kosovës në një emision televiziv doli publikisht dhe tha se ai dhe të tjerët tashmë e dinë se vrasësit e Selver Hradinajt, 38 vjeçarit që u vra në prill të këtij viti në Mitrovicë, nuk janë serbë. Megjithatë, sipas tij, autorët nuk dihet saktësisht se kush janë.
“Këto nuk dihen 100 për qind. Por, dihet diçka. Që kjo nuk është bërë nga serbët. Këto janë të dhëna gati të sigurta sepse ne shpesh kemi qejf t’i paragjykojmë. Të gjitha analizat që janë bërë, nga ndërkombëtarët bashkë me Eulex-in dhe Taskforcën, nuk shkojnë kah fakti se ai është vra nga serbët”, ka thënë ndër të tjera ministri i Punëve të Brendshme i Kosovës, Bajram Rexhepi.
Megjithatë, ai nuk dha ndonjë detaj tjetër nëse vrasja e cila, sipas tij, nuk është kryer nga serbët, të ketë ndodhur nga pala tjetër, ajo e shqiptarëve. “Nuk hyj më tutje a është vrarë a ka eksploduar bomba brenda banesës së tij. Këto janë çështje që endje janë në duart e hetuesisë…dhe më tutje nuk flas për këtë”, është shprehur Rexhepi.
“Edhe mundësia që bomba ka shpërthyer brenda banesës së tij, por që kaq. Unë më shumë detaje për opinionin publik nuk jap, e nëse do familja e tij të di diçka më shumë, unë jam i hapur për të jap edhe më tepër detaje”, vlerësoi ai. Por, Rexhepi tha se kjo çështje nuk do të jetë sekret edhe shumë kohë. Sipas Rexhepit, vrasja e Selver Haradinajt do të zbulohet herët apo vonë. “Motivet ndëretnike nuk kanë qenë. Këtë mund ta garantoj”.
38 vjeçar Selver Haradinaj pati humbur jetën më 7 prill të këtij viti si rezultat i një sulmi me mjet eksplodues në banesën e tij në veri të Mitrovicës, saktësisht në rrugën “Kolashini”, përkatësisht në zonën e “Tre rrokaqiejve”.
Eksplodimi ka ndodhur kah ora 1:00 pas mesnatës, derisa e gjithë familja ishin në gjumë. Dyshohej se mjeti eksplodues nga i cili pësoi Selveri ishte një sasi e eksplozivit plastik, një bombë artizanale, me sasi të 500 gramë të eksplozivit plastik, e cila është vendosur tek xhamat e banesës së viktimës. Më pas është aktivizuar me fitil ngadalë-ndezës, të vendosur në parmakët e dritares së katit përdhese të familjes Haradinaj.
Nga sulmi i cili u cilësua si akt terrorist, plagë vdekjeprurëse ka marrë viktima Selver Haradinaj, (1974), kurse janë lënduar bashkëshortja dhe katër fëmijët e tij, të cilët janë trajtuar në spitalin e Mitrovicës. Më shumë fat patën dy djemtë e tij binjakë që po flinin së bashku me të. Shtatë vjeçarët Alberti dhe Armendi, nuk morën asnjë lëndim, edhe pse ishin në të njëjtën dhomë me babain e tyre. E lëndime të lehta morën dy fëmijët tjerë dhe bashkëshortja e tij. Serveri ishte vëllai më i madh i familjes Haradinaj dhe ai po jetonte në banesën që ua kishte lënë babai që e kishte blerë qysh në vitin 1973. I ndjeri u varros vetëm një ditë pas sulmit, e prej atëherë policia nuk ka arrestuar asnjë person si të dyshuar të ketë gisht në shpërthimin i cili ia mori jetën 38 vjeçarit nga Mitrovica.
Ndaj sulmit i cili ndodhi në prill të këtij viti ndaj familjes Haradinaj në veri të Mitrovicës, kanë reaguar institucionet e larta të Kosovës, si dhe partitë opozitare në vend. Atëkohë të gjithë e kanë dënuar aktin e sulmit dhe kanë kërkuar nga organet e drejtësisë që ta ndriçojnë shpejt rastin dhe përgjegjësit t’i vënë para drejtësisë