Lideri i AAK-së, Ramush Haradinaj ka pohuar se nga e hëna e ardhshme fillon bisedimet me PDK-në për bashkëqeverisje.
Edhe PDK-ja nuk e mohon e bisedimeve me Aleancën, por mohojnë se deri në këtë moment kanë biseduar për koalicionin e mundshëm, ndërsa theksojnë se një gjë e tillë mund të ndodhë në ditët në vijim.
“Unë nuk kam informata se ka takime për këtë qëllim këto ditë. Kryeministri edhe si kryetar i Partisë Demokratike të Kosovës mund të zhvillojë takime të tilla”, ka thënë zëvendëskryeministri dhe nënkryetari i PDK-së, Hajredin Kuçi për “Zëri”.
Ndërkaq analistët politik besojnë se fakti që ende nuk ka asgjë konkrete në raport me bashkëqeverisjen PDK-AAK, është tregues se krerët e këtyre partive nuk po arrijnë të bien në ujdi për ndarjen e pozitave.
Analisti Nexhmedin Spahiu, thotë se nëse Aleanca për Ardhmërinë e Kosovës hyn në koalicion me PDK-në, dhe kryeministër nuk zgjidhet Ramush Haradinaj, atëherë përfundimisht kjo parti do të shndërrohet në “nëndegë” të partisë së Thaçit.
“ Futja më koalicion e AAK-së duke mos qenë Ramushi kryeministër faktikisht e bën Aleancën një aneks të PDK-së gjë që po ashtu është një gjë vështirë e pritshme”, thotë Spahiu.