Pse duhen falur namazet farz në kohën e caktuar?

0
493

Cila është urtësia e faljes së namazeve farz në kohët e përcaktuara nga Allahu?
Ndër ato ërtësi që kanë përmendur dijetarët janë:

Namazi i sabahut
Shfaqja e agimit pas errësirës së plotë të natës është nga argumentet e qarta për madhërimin dhe falendenderimin e Allahut, sepse askush përveç Allahut nuk ka mundësi dhe forcë të sjellë dritën pas errësirës së natës. Allahu i lartësuar thotë:
“Thuaju (o Profet): “Pa mendoni, nëse Allahu jua bën natën të përhershme deri në Ditën e Kiametit, cili zot, përveç Tij, do t’jua sillte dritën? Vallë, a nuk dëgjoni?” (El-Kasas: 71)

Namazi i drekës (ylesë)

Zhvendosja e Diellit nga ana lindore drejt anës perëndimore është nga argumentet e qarta për Allahun, sepse askush përveç Tij nuk ka mundësi që ta zhvendosë atë nga njëra anë e horizontit në anën tjetër të tij.

Namazi i mbasdites (ikindisë)

Nuk kemi arritur të dallojmë ndonjë urtësi, por nuk ka asnjë dyshim që përcaktimi i namazit në këtë kohë ka patjetër urtësi nga Allahu edhe pse mendjet tona akoma nuk e kanë dalluar atë.

Namazi i mbrëmjes (akshamit)

Urtësia e këtij namazi në këtë kohë është e njëjtë si urtësia e namazit të sabahut në kohën e tij. Nata është nga argumentet madhështore të Allahut, për të cilën Ai meriton falenderim dhe madhërim.

Namazi i darkës (jacisë)

Humbja e perëndimit të Diellit bashkë me largimin e tij është gjithashtu nga argumentet që tregojnë qartë fuqinë dhe urtësinë e përsosur të Allahut.

Marrë nga libri “Sherh el-mumti” I shejh El-Uthejminit – Allahu e mëshiroftë