Oj nëna ime

0
596

Oj nëna ime.. !!

Oj zemra ime, nga malli që kam po të shkruaj këtë shkrim, dua të të shkruaj dhe të të tregoj vlerën që Allahu (s.v.t) të ka dhënë ty…

Oj zemra ime, ma bëj hallall për ç’do lot që mund të ta kem shkaktuar, ma bëj hallall për çdo brengosje sado të vogël që mund të kesh pasur nga unë, por e di që do të më falësh, e di që Allahu (s.v.t) të ka dhënë një zemër të mbushur me dashuri…

Oj nëna ime…!!

Oj zemer, po të shkruaj një ajet kur’anor.. Allahu (s.v.t) në Kur’anin famëlartë ka thënë:

31:14. Ne njeriun e kemi urdhëruar për (sjellje të mira ndaj) prindit të vet, sepse nëna e vet atë e barti me mund pas mundi dhe pas dy viteve ia ndau gjinin. (E porositëm) Të jeshë mirënjohës ndaj Meje dhe ndaj dy prindërve tu, pse vetëm tek Unë është kthimi juaj.

A e lexoni o vëllezër dhe motra rëndësinë që ka prindi, sidomos nëna..

A e lexoni o nëna të dashura rëndësinë që jua ka falur Allahu (s.v.t) juve… Subhanallah..

Allahu i Lartësuar, në një ajet tjetër kur’anor, thotë:

17:23. Zoti yt ka dhënë urdhër të prerë që të mos adhuroni tjetër pos Tij, që të silleni në mënyrë bamirëse ndaj prindërve. Nëse njërin prej tyre, ose që të dy, i ka kapur pleqëria pranë kujdesit tënd, atëherë mos u thuaj atyre as “of – oh”, as mos u bë i vrazhdë ndaj tyre, po atyre thuaju fjalë të mira (të buta, respektuese).

Sa prej nesh e respektojnë këtë ajet, sa persona e venë në praktikë këtë gjë, sa prej nesh nuk i kthejnë përgjigje negative prindërve, sa prej nesh nuk bëjnë “of-uh“ nga një punë që ata na urdhërojnë për ta bërë… Sa?? Sa prej nesh jemi të dashur me ta, sa prej nesh jemi bamirës kundrejt fjalës së tyre… Saa??

Transmetohet nga Muavije ibën Xhahime, se Xhahime ka ardhur tek Pejgamberi (a.s) dhe e ka pyetur:

“O i Dërguar i Allahut, unë kam dëshirë që të luftoj në rrugën e Allahut, andaj kam ardhur tek ti që të konsultohem.”

”Pejgamberi (a.s) i tha: “A e ke gjallë nënën?“

Ai tha: “Po,”

Pejgamberi (a.s) i tha: “Qëndro pranë nënës sate, se me të vërtetë Xhenneti është tek këmbët e saja.”

(Ahmedi, shejh Albani ka thënë se ky hadith është Hasen)

Në transmetimin e Taberaniut qëndron se Pejgamberi (a.s) ka pyetur:

“A i ke prindërit gjallë?”

I thashë: “Po,”

Pejgamberi (a.s) tha: “Qëndro pranë tyre, se me të vërtetë Xhenneti është nën këmbët e tyre.”

(Albani ka thënë se ky hadith është Sahih)

Kënaqësia e Allahut (s.v.t) është në kënaqësinë e prindërve.

Transmeton Abdullah ibën Amri (r.a) se Pejgamberi (a.s) ka thënë:

“Kënaqësia e Allahut është në kënaqësinë e prindërve, dhe pakënaqësia e Allahut është në pakënaqësinë e prindërve.”

(Tirmidhiu, këtë hadith e kanë bërë sahih Ibn Habbani, Hakimi dhe Albani)

Respektimi i prindërve është shkak për faljen e mëkateve.

Transmeton Ibën Omeri (r.a) se një njeri ka ardhur tek Pejgamberi (a.s) dhe i ka thënë:

“O i Dërguar i Allahut, unë kam bërë një mëkat të madh, a ka pendim për mua?”

Pejgamberi (a.s) i tha: “A ke nënë?”

Ai i tha: “Jo.”

Pejgamberi (a.s) i tha: “A ke teze?”

Ai iu përgjigj: “Po.”

Pejgamberi (a.s) i tha: “Pra respektoje (dëgjoje) atë.”

(Tirmidhiu, ka thënë se hadithi është sahih)

A e shikoni o vëllezër dhe motra rëndësinë që ka nëna.. Dua ta mbyll këtë shkrim më një ajet kur’anor që thotë:

17:24. Dhe në shenjë mëshire shtrije pranë tyre krahun përulës e respektues dhe thuaj: “Zoti im! Mëshiroji ata të dy, sikurse më edukuan mua kur isha i vogël”.

(Amin…Amin…Amin)  Le të jetë ky ajet kur’anor i pranishëm në duatë tona të përditshme