AI KE DËGJUAR KËTO RRETH XHENETIT

0
548

Xheneti është mëshira e Allahut me të cilën Ai mëshiron kë dëshiron nga robërit e Tij.
Xheneti është vendbanim i paqes dhe shtëpia e atyre të cilët Allahu u dhuroi begati, si; profetët, dëshmorët, të sinqertit dhe të devotshmit. Në Xhenet burojnë dhe rrjedhin lumenj, kështjellat e tij janë të ndërtuara me tulla, njëra prej floriri dhe tjetra prej argjendi, ndërsa llaçi është i përbërë nga misku aromatik. Guralecët e tij janë perla dhe margaritarë, toka është safran dhe në të ka perla në formën e çadrave të mëdha. Xheneti është dritë që vezullon, aromë që përhapet kudo, lum i rrjedhshëm, frut i pjekur, hyrije të bukura, pemë të mrekullueshme pa gjemba dhe me hije të gjera, banane të mbushura me fruta pranë ujit rrjedhës. Banorët e Xhenetit ushqehen me to dhe gjithçka tjetër të dëshirojnë duke ndjerë gjithmonë kënaqësi. Ata nuk kanë jashtëqitje dhe as sekrecione hundësh, por trupat e tyre çlirohen me anë të djersës së lehtë me aromë të mirë, misku. Ata do të jetojnë në të përgjithmonë dhe kurrë nuk do të vdesin, do të jenë të rinj përgjithmonë dhe kurrë nuk do të plaken. Fytyrat e tyre shumë të bukura shndrisin nga gëzimi dhe lumturia. Atje ata kanë bashkëshorte të bardha me sy të mëdhenj me retinë me ngjyrë të bardhë të theksuar dhe bebe me ngjyrë të zezë të theksuar. E tërë begatia e Xhenetit është e përhershme. Perdja do të ngrihet dhe banorët e Xhenetit do të shohin Fytyrën e të Plotfuqishmit, Dhuruesit të madh.

Sado që të përpiqen njerëzit të përshkruajnë Xhenetin dhe bukuritë e tij asnjëherë sdo të arrijnë ta përshkruajnë atë në mënyrën e tij reale, sepse ai është përtej çdo përfytyrimi dhe imagjinate njerëzore. Profeti alejhi selam tregon se Zoti i Madhëruar ka thënë: “ Kam përgatitur për robërit e Mi të devotshëm (shpërblime) çfarë syri nuk e ka parë ndonjëherë, veshi ska dëgjuar për të ndonjëherë dhe as njeriu se ka imagjinuar atë ndonjëherë. E nëse doni, atëherë lexoni: ‘Askush nuk di se çfarë gëzimesh janë fshehur për ata (në jetën tjetër), si shpërblim për punët e mira që kanë bërë.” Es-Sexhde: 17. (Buhariu dhe Muslimi).
Banorët e Xhenetit do të hyjnë në të fillimisht grupe-grupe: “Ndërsa ata që i janë frikësuar Zotit të tyre, do të çohen grupe-grupe në Xhenet.” (Ez-Zumer: 73), e në një hadith Profeti alejhi selam ka thënë: “ Grupi i parë që do të hyjë në Xhenet do të ketë fytyra të shndritshme si hëna e plotë, kurse ata që që do të hyjnë pas tyre si ylli më i shndritshëm në qiell. Ata nuk kanë ujë të hollë dhe as të trashë, as sekrecione hundësh dhe as do të pështyjnë. Krëhërët e tyre janë floriri dhe djersa e tyre misk, atje kanë drurë aromatikë, hyrijet si bashkëshorte. Moralet e mira të tyre janë të njëjta tek të gjithë dhe gjatësia e trupave si e babait të tyre Ademit, gjashtëdhjetë parakrah në qiell.” (Buhariu dhe Muslmi).

Xheneti ka tetë porta, të cilat na i tregon Profeti alejhi selam në hadithin e tij: “ Vërtetë që Xheneti ka tetë porta dhe largësia nga njëra portë tek tjetra është shtatëdhjetë vjet udhëtim mbi kafshë.” (Ahmedi). Një nga këto porta është edhe porta e Rejanit nëpër të cilën do të hyjnë vetëm agjëruesit.
Begatia dhe kënaqësia që përjetojnë banorët e Xhenetit nuk ndërpritet dhe nuk mbaron asnjëherë: “Frutat dhe freskia e tij janë të përhershme.” (Er-Rad: 35)
Kënaqësia më e madhe që do të përjetojnë banorët e Xheneti pa dyshim që është shikimi i Zotit të tyre dhe vështrimi i Tij tek ata: “Ata që bëjnë vepra të mira, do të kenë shpërblim të mirë, madje edhe më tepër.” (Junus: 26), dhe: “Aty do të kenë çfarë të duan – e prej Nesh (do të kenë) edhe më shumë.” (Kaf: 35) dhe fjala “tepër” e “më shumë” që në gjuhën arabe është “mezid” është komentuar me shikimin e Allahut të Madhëruar. Në një hadith Profeti alejhi selam ka thënë: “ Kur banorët e Xhenetit të hyjnë në Xhenet, Allahu i Madhëruar do t’u thotë: ‘ A dëshironi diçka më tepër që Unë t’ua jap?’ Ata do të thonë: ‘ A nuk na i zbardhove fytyrat! A nuk na fute në Xhenet dhe na shpëtove nga Zjarri! Tha (Profeti alejhi selam): ‘ Atëherë Zoti largon mbulesën dhe banorët e Xhenetit nuk ndjejnë kënaqësi më të madhe nga mirësitë që u janë dhënë se sa shikimi i Zotit të tyre të Madhëruar!”. Më pas ai lexoi tre herë ajetin: ““Ata që bëjnë vepra të mira, do të kenë shpërblim të mirë, madje edhe më tepër.” (Muslimi).

Xheneti është një mall I shtrenjtë që nuk blihet thjesht me dëshirë, por arrihet me teuhidin e Allahut, besimin dhe veprat e mira, siç vërtetohet në Kuran dhe Sunetin e saktë.
Ai që e njohu Xhenetin dhe begatinë e tij, atëherë le të shpejtojë me vepra të mira drejt tij, sepse portat e tij janë të hapura, rruga e tij është e ndriçuar dhe e qartë!

Zoti ynë ne të lusim Ty Xhenetin dhe suksesin për të vepruar çdo fjalë dhe çdo vepër që na afron ne drejt tij!

Amin!