Tek Allahu peshojnë më shumë disa vepra që sytë e njerëzve nuk i kapin…

0
222

Në kohën e Musait (alejhi selam), ndodh një thatësirë e madhe që nuk ish parë më parë. Të mbjellat u thanë, bagëtia filloi të ngordhë, dhe njerëzit filloi t’i kërcënojë uria dhe etja.

Populli i Musait u mblodh një ditë dhe vajtën tek Musai dhe i thanë:

-O Musa, lute Zotin që të lëshojë shi nga qielli, pasi mund të vdesim. Atëherë Musai i mblodhi popullin, rreth 70 mijë çifutë dhe filloi të lutej, kurse populli thonin amin, pas çdo lutje, megjithatë shiu nuk po binte.

Atëherë Musai u drejtua nga qielli dhe tha:

-O Zot, përse nuk po na lëshon shi, megjithëse u lutëm?

Zoti i thotë:

-O Musa, nuk do të bjerë shi, pasi në mesin tuaj është një burrë i cili ka 40 vjet që bën gjynahe pa iu skuqur fytyra një herë prej Meje. Nuk do të bjerë shi deri sa ai të dalë nga mesi juaj. Vetëm kur të dalë do të bjerë shiu. Atëherë Musai i mblodhi të gjithë njerëzit dhe u tha:

-Nuk do të bjerë shi deri sa të largohet prej nesh ai që ka 40 vjet që bën gjynahe.

Personi që kish 40 vjet që bënte gjynahe, shikon njëherë majtas dhe djathtas se mos del dikush tjetër, por kur pa që nuk lëvizi kush, e kuptoi që për të flitej. Në ato çaste të vështira për të, fillon të thotë me vete:

“O Zot, ka dyzet vite që nuk të bindem dhe kam vazhduar me gjynahe dhe Ti më ke mbuluar dhe nuk e kanë marrë vesh njerëzit. O Zot, po të dal tani do të dal i poshtëruar, nëse nuk dal do të vdesim nga etja. O Zot, unë në këto momente pendohem për ato që kam vepruar, prandaj më fal dhe m’i mbulo të metat.” Në atë çast filloi të bjerë shiu.

Musai i habitur e pyeti Zotin:

-O Zot, si ka mundësi që ra shiu, megjithëse nuk doli kush?

O Musa, ia ktheu Zoti, – robi im që veproi gjynahe për 40 vjet, u pendua me sinqeritet në ato çaste dhe Unë ia pranova pendimin, prandaj filloi të bjerë shiu.

Musai (alejhi selam) iu lut:

-O Zot, të lutem ma trego, kush është ai njeri!

Por, Zoti ia ktheu:

-O Musa, ka 40 vite që bën gjynahe dhe Unë ia kam mbuluar, kurse tani që u pendua dhe i la gjynahet unë ta zbuloj dhe ta poshtëroj para njerëzve?!

Allahu shikon ato që nuk shikojmë…

Tek Allahu peshojnë më shumë disa vepra, që sytë e njerëzve nuk i kapin…

LEAVE A REPLY

Please enter your comment!
Please enter your name here