Sundimi i budallenjve

0
229

 

Njerëzit ose janë të drejtë ose janë të korruptuar, mu sikurse edhe sundimtarët e tyre. Pejgamberi (savs), na ka informuar se nga shenjat e Ditës së Gjykimit është edhe ajo që gjërat njerëzore do të jenë nën kontrollin e sundimtarëve budallenj, të cilët nuk do t’i ndjekin udhëzimet e Kuranit dhe Sunetit dhe të cilët nuk do t’i kushtojnë vëmendje bindjes.

Xhabir ibn Abdullahu (r.a.) transmeton se Pejgamberi (savs) i ka thënë Ka’b ibn Uxhrete-s: “Unë kërkoj mbrojtje nga Allahu për ty o Ka’b nga sundimtarët budallenj.”

Ai pyeti: “Kush janë sundimtarët budallenj, o i Dërguari i Allahut?”

Ai u përgjigj: “Ata janë sundimtarët që do të vijnë pas meje, të cilët nuk do ta ndjekin udhëzimin tim as nuk do t’i përmbahen Sunetit tim. Andaj, ata që u shkojnë atyre, i besojnë gënjeshtrat e tyre dhe i mbështesin në padrejtësitë e tyre, ata nuk janë prej meje as unë nuk jam prej tyre, si dhe ata nuk do t’i afrohen Havdit tim.
Ndërkaq, kush nuk beson në gënjeshtrat e tyre dhe nuk i mbështet ata në padrejtësitë e tyre, ata janë prej meje dhe unë jam prej tyre dhe ata do të jenë në Havdin tim.

O Ka’b ibn Uxhrete, agjërimi është mburojë, sadaka i fshin mëkatet, kursen namazi është dëshmi.

O Ka’b ibn Uxhrete, njerëzit janë dy llojesh, njëri është ai që e shet shpirtin e tij dhe e shpëton vetveten nga Zjarri, dhe tjetri, ai i cili e shkakton mallkimin e tij.” (Ibn Haxher el-Askalani në El-Emalil-Mutlaka dhe e ka vlerësuar si sahih)

Budallai është një njeri me arsye të dobët i cili nuk mund t’i menaxhojë si duhet as problemet e tij, e lëre më çështjet tjera.

Sipas një hadithi tjetër thuhet: “Dita e Gjykimit nuk do të ndodhë deri sa çdo fis të mos qeveriset nga hipokritët.” (Taberani)

Hipokritët kanë pak besim dhe nuk kanë frikë nga Allahu, ata gënjejnë shumë dhe janë injorantë të mëdhenj.
Nëse mbretërit, sundimtarët dhe udhëheqësit e njerëzve janë të këtillë, atëherë krejt është e kthyer mbrapsht: besohen gënjeshtarët e nuk besohen të ndershmit, besohen mashtruesit e nuk besohen njerëzit besnikë, injorantët flasin, ndërsa njerëzit e ditur heshtin.
Esh-Shabiu ka thënë: “Dita e Gjykimit nuk do të ndodhë derisa dituria të mos kuptohet si padituri, kurse padituria si dituri.”

E gjithë kjo është pasojë e kthimit të gjërave me kokë poshtë para fundit të kohës.
Abdullah ibn Amër transmeton se Pejgamberi (savs) ka thënë: “Një nga shenjat e Ditës së Gjykimit është se njerëzit e mirë do të jenë të poshtëruar në statusin e tyre, kurse njerëzit e këqij do të jenë të ngritur në status.” (Hakim, el Mustedrek)

Përshtati: Miftar Ajdini

 

LEAVE A REPLY

Please enter your comment!
Please enter your name here