Si është renditur Kurani?

Si është renditur Kurani?

Kurani ndahet në sure që dhe në ajete. Ndarja më e vogël e kuranit janë ajetet ose vargjet në gjuhen tonë të cilat nganjëherë janë të shumë të shkurtra dhe përmbajnë disa shkronja, nganjëherë më pak të shkurtra dhe përmbajnë një fjali ose të shkurtër ose të gjatë dhe nganjëherë të gjata dhe përmbajnë disa fjali të cilat mund të zënë edhe një faqe Kurani.
Ndarja më e gjatë e kuranit janë suret ose kapitujt në gjuhen tonë të cilat përmbajnë disa ajete ose të shkurtra ose të gjata, ku më e shkurtra prej tyre është surja El-Keuther me tre ajete dhe më e gjata është surja El-Bakara me dyqind e tetëdhjetë e gjashtë ajete.
Ajo që dihet në lidhje me Kuranin është se renditja e tij nuk është sipas kohës që ka zbritur, as në ajete dhe as në sure.
Përsa i përket sureve gjejmë se surja Alek e cila është e para që i ka zbritur profetit -alejhi selam- në takimin e parë që ka pasur me Xhibrilin -alejhi selam- në shpellën e Hiras është renditur në Kuran surja e nëntëdhjetë e gjashtë dhe surja e dytë që i ka zbritur profetit -alejhi selam- pas largimit nga shpella e Hiras surja El-Mudethir është renditur në Kuran surja e shtatëdhjetë e katërt.

Ndërsa për sa i përket ajeteve ajeti i fundit që i ka zbritur profetit -alejhi selam- është ajeti “Kijeni frikë atë ditë në të cilën do të ktheheni te Allahu” suretu El-Bakara: 281. Ky ajet edhe pse është ajeti i fundit që i ka zbritur profetit -alejhi selam- gjendet mes disa ajeteve të të njëjtës sure që kanë zbritur para tij.
Atëhetë kush e ka renditur Kuranin në këtë mënyrë?
Për sa i përket renditjeve të ajeteve brenda sures në këtë mënyrë që është në Kuran, të gjithë dijetarët e islamit janë në pajtim se renditja e ajeteve brenda sureve është sipas renditjes së profetit -alejhi selam- me udhëzim nga Xhibrili -alejhi selam-.
Ibn Abasi tregon se Uthmani -radiallahu anhu- i ka thënë: “Profetit -alejhi selam- nganjëherë i kalonte kohë dhe nuk i zbriste gjë nga suret e gjata dhe kur i zbriste diçka e re thërriste ndonjë prej atyre që shkruanin dhe i thoshte: vendose këtë në atë sure ku thuhet kështu e kështu! Pastaj i zbrisnin ajete të tjera dhe thoshte: vendose këtë në atë sure që thuhet kështu e kështu…” e transmeton Ahmedi dhe Tirmidhiu dhe e saktëson Hakimi dhe pajtohet me të imam Dhehebiu.

Imam Es-Sujuti (një ndër dijetarët më të njohur në fushën e kuranit i vdekur në vitin 911 H) thotë: Dijetarët janë në kundërshtim në lidhje me renditjen e sureve: a është kjo nga profeti -alejhi selam- nga sahabet? Kjo, pas ixhmasë (pajtueshmërisë së dijetarëve) se renditja e ajeteve është nga profeti -alejhi selam-.
Pra, renditja e ajeteve sipas mendimit të të gjithë dijetarëve të islamit është nga profeti -alejhi selam- që do të thotë se ai e përcaktonte se ku duhet të vihen ajetet: në cilën sure dhe në cilin vend të sures.

Ndërsa radhitja e sureve është çështje që nuk ka pajtim mes dijetarëve në lidhje me të mirëpo më e sakta është se edhe kjo renditje është nga profeti -alejhi selam- sepse të gjitha kopjet e kuranit që kishin në dorë sahabet fillojnë me suret e gjata pastaj me suret e mesme pastaj me të shkurtrat dhe për këtë dëshmon edhe fjala e profetit -alejhi selam- siç tregon Uathile bin Usku -radiallahu anhu- se profeti -alejhi selam- ka thënë: “Më është dhënë në vend të Teuratit shtatë suret e gjata, në vend të Zeburit suret me një qind ajete, në vend të Inxhilit suret e përsëritura (ato që kanë më pak se njëqind ajete) dhe më ka veçuar Allahu me suret e shkurtra” e transmeton Taberani dhe e saktëson sheikh Albani.

Kështu grupimi i sureve në: sure të gjata, sure me një qind ajete, sure me më pak se njëqind ajete dhe sure të shkurta janë prej profetit -alejhi selam-. Tani pas këtij grupimi i nuk mbetet tjetër veçse të flasim për disa ndryshime që ka pasur renditja e sureve mes grupeve sepse këtu ka qenë ndryshimi i kopjeve të kuranit që kishin sahabët.
Atëherë themi se Imam Es-Sujuti një ndër dijetarët më të njohur të kësaj fushe -siç thamë më lart- pas një studimi të gjatë të çështjes ka thënë se edhe renditja e sureve të kuranit është nga profeti -alejhi selam- dhe ata që thonë se renditja e sureve është prej sahabeve bazohen te ndryshimi i renditjes së sureve në kopjet e Kuranit që ishin në duart e tyre mirëpo në kuran ka pasur neskh (anullime dhe fshirje ajetesh nga Allahu i madhëruar) deri dhe sure të plota dhe ajete të shumta prandaj dhe renditja e kuranit sipas mus’hafit e Uthmanit -radiallahu anhu- është ajo që është miratuar në leximin e fundit që i ka bërë profetit -alejhi selam- selam kuranit para xhibrilit -alejhi selam-.

Kjo është përgjigjja e një pyetje të bërë nga një vëlla mysliman pas një debati të hapur nëpër media lidhur me këtë çështje.
Lus Allahun të na japë dije të dobishme dhe të na bëjë dobi prej saj!
Dr Abdullah Nabolli