Njerëzit edhe në të kaluarën kanë marrë një sërë masash të higjienës orale. Kjo është dëshmuar nga gërmimet e bëra në pjesë të ndryshme të botës, në të cilat janë gjetur kruajtëse dhëmbësh, degë peme, penj prej liri, pupla pendësh, kocka kafshësh dhe penda ferrëgjatash.
Ato mjete që e kishin burimin te pemët janë degë peme të shijshme, të cilat edhe pse primitive, përfaqësojnë një hap kalimtar drejt furçës moderne të dhëmbëve. Thuhet se numërohen deri në shtatëdhjetë bimë degët e të cilave mund të përdoren si burime natyrore për disa prej pajisjeve që shërbejnë për higjienën orale.
Degët më të përdorura për pastrimin e dhëmbëve që në kohët e hershme janë ato të pemës që njihet si “siuak”, ose “misvak”. Ky shkop prodhohet nga një pemë e quajtur Salvadore Persica, e cila rritet përreth Mekës dhe në Lindjen e mesme në përgjithësi. Misvaku përdoret shumë nga muslimanët që kur Muhamedi alejhi selam i dha vlerë si një pajisje që duhet të përdoret nga muslimanët për të pastruar dhëmbët. Në ketë aspekt, Profeti Muhamed mund të quhet edukatori i parë i higjienës orale.
Në hadithin e Profetit Muhamed alejhi selam mund të gjejmë disa citime lidhur me misvakun dhe njëra prej tyre është:
“Po të mos ishte një barrë e rëndë për besimtarët, do të urdhëroja që ta përdornin misvakun përpara çdo namazi”
Salvadora Persica është një pemë e vogël ose një shkurre me një trung të përdredhur, zakonisht me një diametër prej 30 cm. Lëvorja e rrënjës është ngjyrë kafe e çelur, ndërsa sipërfaqja e brendshme është e bardhë, aroma e së cilës është karakteristike dhe ka një shije djegëse. Analizat kimike të kësaj peme kanë treguar se ajo përmban:
1. Etil amoniak
2. Një alkaloid që mund të jetë salvadorine
3. Kloride
4. Vlera të larta të fluorit dhe të silicit
5. Sulfur
6. Vitaminë C
7. Sasi të vogla të taninisit, saponinës, aromatizuesve dhe sterolëve
Te përdoruesit e misvakut është parë një nivel i lartë i pastërtisë orale. Muslimanët i kushtojnë kujdes higjienës orale falë mësimeve të Profetit Muhamed dhe e përdorin misvakun si pjesë të ritualeve fetare.
Ky studim ka treguar se misvaku dhe pemë të tjera mund të veprojnë si një mjet efikas në heqjen e depozitave të buta orale. Madje mund të përdoren edhe si një mjet efikas në mbrojtjen e shëndetit oral te popullsia në masë të gjerë.
Është vërtetuar se Salvadora Persica përmban substanca antibakteriale. Disa përbërës të tjerë janë pastrues dhe gërryes. Këto veti inkurajojnë prodhuesit e pastave të dhëmbëve që të përdorin material me prejardhje nga pema Salvadora persica në produktet e tyre.
Mund të përfundohet se misvaku dhe pluhuri i tij janë mjete të shkëlqyera për pastërtinë orale.
Kjo pjesë është shkëputur nga një studim i gjatë i kryer nga Dr. M. Ragaii El-Mostehy dhe kolegët e tij në Kuvajt.
Përkthyer nga Eglantina Muça