LUTJA QË IA KTHEHU SHIKIMIN IMAM BUHARIUT

0
532

Një vajzë martohet për një djalë të devotshëm që quhej Ismail. Ai njihej si dijetar i madh, kishte marrë mësime nga imam Maliku, Allahu e mëshiroftë!, dhe nga fryti i kësaj martese të bekuar, u lind një djalë të cilin do ta emërtojnë me emrin Muhamed.

Pas një kohe të shkurtër, Ismaili ndërron jetë dhe gruas dhe fëmijës së tij u lë pasuri të madhe. Atë pasuri gruaja më vonë do ta investojë në edukimin e fëmijës së saj me edukatë të pastër islame. Qëllim i saj ishte që fëmijën ta bëjë dijetar nga dijetarët e mëdhenj mysliman, mirëpo, për fat të keq fëmija i saj u verbua në fëmijëri. Kur njeriu është i verbër, shumë rëndë është të transferohet nga një dijetar te tjetri dhe nga një vend në vend tjetër për të kërkuar dituri.

Allahu kësaj gruaje ia hapi derën e duasë dhe filloi t’i lutet Allahut me sinqeritet dhe me nijet të pastër. Një natë nga netët, duke fjetur, e pa në ëndërr Ibrahimin, alejhi selam!, i cili i tha: E lumja ti, Allahu ia kthehu birit tënd pamjen nga lutjet e shumta që i bëre.Ajo menjëherë u zgjua nga gjumi dhe kur e pa fëmijën e saj, ishte shëruar dhe të parit i ishte kthyer. I lartësuar qoftë Allahu, i cili i përgjigjet nevojtarit kur ai e thërret dhe i cili i largon brengat!

Pasi që iu kthye shikimi, nëna e drejtoi dhe e udhëzoi të birin në kërkimin e diturisë dhe Allahu ia hapi dyert e diturisë dhe e bekoi në të.
Ai më vonë u bë autor i një ndër librave më të sakta në dynja, pas librit të Allahut, Kuranit, i cili titullohet dhe njihet si Sahih el Buhari.

Pra, rrëfimi është për Muhamed ibën Ismail el Buhari, apo siç njihet ndryshe si imam Buhari, Allahu e mëshiroftë!, të cilit Allahu ia hapi dyert e diturisë dhe kuptimit të fesë.

Porosi për secilin nga ju që i trokitni dyert e mjekëve dhe nuk keni gjetur ilaç: trokitni në dyert e qiellit, mos u dëshpëroni nga mëshira e Allahut dhe mos u largoni nga duatë! Mos i ulni duart tuaja nga lutjet, se Allahu nuk lodhet nga lutjet tuaja, derisa ju nuk i lini ato.

Nga arabishtja: Irfan JAHIU