Lutja (duaja) më e mirë dhe sekreti i saj

0
186

Duaja më e mirë dhe sekreti i saj.

Profeti alejhi selam thotë: “Më e mira dua është: El-Hamdulilah (Lëvdatat i takojnë Allahut)” e transmeton Tirmidhiu, Ibn Maxhe dhe e saktëson sheikh Albani.

Ibn El-Kajim -Allahu e mëshiroftë- në librat e tij tregon:
Është pyetur Sufjan bin Ujejne: Pse e ka quajtur dua (lutje) kur nuk është e tillë (sepse ajo fjalë është lavdërim)?
Sufjani është përgjigjur: A nuk e ke dëgjuar fjalën e Umeje bin Ebij Salt për Abdullah bin Xhud’an kur i ka thënë:
A të përmend nevojën time apo më mjafton turpi yt? * sepse prej cilësive të tua është turpi.
Nëse ndonjë ditë të lavdëron dikush * i mjafton atij nga lypja, lavdërimi yt.
Pastaj Sufjani i thotë: Ky ishte njeri dhe i mjaftoi lavdërimi e tjetrit nga lypja, atëherë ç’mund të thuash për zotin e botëve?!
* Sufjan bin Ujejne: Dijetar i madh i islamit prej banorëve të Mekës dhe mësues i imam Shafiut dhe i imam Ahmedit -Allahu i mëshiroftë të gjithë- i vdekur në vitin 198 të hixhretit.
* Umeje bin Ebij Salt: Poet arab i kohës para islame që dallohet për urtësinë dhe njohuritë e tij rreth librave të tjerë të Allahut para Kuranit.
* Abdullah bin Xhud’an: Fisnik prej fisnikëve të Mekës në kohën para islame që dallohet për bujari.

Sheikhul-islam Ibn Tejmije -Allahu e mëshiroftë- në librat e tij thotë:
“E ka quajtur fjalën [El-Hamdulilah] dua edhe pse ajo është plotësisht lavdërim sepse kjo fjalë përmban dashurinë (dmth: kërkon dashurinë e atij që e lavdëron) dhe dashuria është lloji më i lartë i kërkesës. Pra, lavdëruesi është kërkues i atij që do madje e meriton më shumë të jetë i tillë.
Kështu që fjala [El-Hamd] e cila është lavdërim dhe përmban kërkesën më të madhe, është dua e vërtetë madje e meriton të jetë kështu më shumë se çdo lloj tjetër prej kërkesave që janë më poshtë se ajo”.

Dr Abdullah Nabolli

LEAVE A REPLY

Please enter your comment!
Please enter your name here