Kur është i rrezikshëm Kolesteroli?

0
520

Që në moshën 40 vjeçare, por ka raste edhe më përpara, ndodh të na ndjekë kudo, pa u larguar për asnjë moment.

Pikërisht atëherë zë fill tundimi nga ushqimet e preferuara por që shumë shpejt kthehen në fruta të ndaluara. Arsyeja? Kolesterina.

Çfarë rreziqesh, fsheh, në të vërtetë, kjo sëmundje dhe si mund ta parandalojmë atë?

Duke ndjekur një armik personal

Tashmë të gjithë jemi të ndërgjegjshëm se kolesteroli i lartë, apo thjesht kolesteroli, nënkupton një dietë të kujdesshme për të mbrojtur funksionin e zemrës dhe enëve të gjakut.

Por çfarë njohurish të nevojshme zotërojmë rreth “vlerave” personale të kolesterolit, që duhet të ketë secili prej nesh?

Së pari duhet të kemi të qartë se për çfarë kolesterine flasim.

Tashmë jemi të vetëdijshëm për ekzistencën e HDL-së dhe LDL-së në gjakun tonë.

Shuma e tyre përbën kolesterolin, për të cilin diskutojmë.

E para, i ashtuquajturi “i mirë”, përbën atë që shpesh edhe vlerësohet si kolesterina mbrojtëse.

I rrezikshëm, sikurse duket, mbetet të jetë i dyti, i ashtuquajturi “i keq”.

Nëse sasia e përgjithshme e kolesterinës i kalon të 250 miligramët, ka shumë mundësi që LDL-ja të jetë rritur.

Sëmundja, përbën shkakun?

Nëse duke u bazuar në analizat e gjakut mjeku mendon se sasia e kolesterolit është e rritur, përpara se ai t’ju vendosë në regjim dietor-ushqimor dhe t’ju përcaktojë mjekimin e duhur, duhet të kontrollojë një sërë elementesh të tjerë:

• Të sigurohet se pacienti nuk ka përdorur ndonjë kure ilaçesh, gjë e cila mund të ketë shkaktuar një gjë të tillë.

• Të kryejë analizat e nevojshme nga ku provohet se pacienti nuk vuan nga ndonjë sëmundje tjetër, e cila mund të ketë sjellë rritjen e kolesterinës në gjak.

Nëse realizohen të gjitha këto dhe vlerat e kolesterinës mbeten te larta, atëherë mjeku mund të ndërmarrë terapinë me ilaçe dhe dietën e caktuar, për të ulur sasinë e tij.

Midis sëmundjeve, të cilat mund të shkaktojnë lehtësisht rritjen e kolesterinës është edhe diabeti, anoreksia etj.

• Nëse përjashtohet prania e sëmundjeve të tjera, atëherë mund të mendojmë se vuajmë nga niveli i lartë i kolesterinës, e cila në këtë rast është e lindur (nuk ka ndonjë arsye tjetër).

Në këtë moment shtrohet pyetja: është realisht i lartë dhe sa është me saktësi kjo vlerë?

Dhe nëse përpara disa vitesh, supozohej si kufiri më i lartë sasia prej 200 miligramësh, sot çdokush ka një kufi të tij të dëshiruar, të cilit i korrespondon një sasi individuale kolesterine, në përputhje me gjendjen e funksionimit të zemrës.

Ndaj shumë mjekë nuk interesohen më për shumën e kolesterinës, por vetëm për nivelin e LDL-së në gjak.

Kur jemi në rrezik?

Mjeku duhet të ndjekë me kujdes funksionimin e zemrës tek pacienti i cili vuan nga kolesteroli i lartë.

Kjo gjë është e domosdoshme, pasi faktor i rrezikshëm për të sëmurët e zemrës e të enëve të gjakut, nuk është vetëm kolesterina e lartë.

Por mund të jenë: hipertensioni, mosha, diabeti, jeta e mbyllur, pa shumë lëvizje, duhani etj.

Atëherë mjeku mund të përkufizojë se cila është vlera e vërtetë, e përshtatshme për një person të veçantë dhe kështu ai mund të realizojë terapinë përkatëse.

1. Rrezik i shtuar për zemrën

Në këtë kategori hyjnë të gjithë personat, të cilët paraqesin shenja të sëmundjeve në zemër apo në enët e gjakut.

Po në këtë grup përfshihen edhe individët të cilët kanë më shumë se dy faktorë rreziku.

Për të gjithë këta, niveli fiziologjik i kolesterinës LDL nuk duhet të kalojë të 100 miligramët.

Në këtë gjendje mjeku mund të ndërhyjë për të përmirësuar shëndetin e pacientit në këtë mënyrë: nëse vlera e LDL-së është midis 100 me 130 miligramë, do të mund ta ulte kolesterinën me dietë dhe ushtrime fizike.

Në rast të kundërt (LDL-ja i kalon të 130 miligramët), është e logjikshme të përparojë në përdorimin e kurës me ilaçe.

2. Rrezik i mesëm për zemrën

Rreziku vlerësohet si i mesëm, në rastet kur ekzistojnë një apo dy faktorë rreziku. (p.sh. burrë, mosha mbi të 50-tat, duhani etj).

Mjeku do të ndërhyjë me të njëjtën mënyrë, por duke u bazuar në vlera të ndryshme: dietë dhe ushtrime fizike nëse LDL-ja gjendet në kufijtë 130 deri 160 miligramë, dhe me ilaçe kur i kalon të 160 miligramët.

3. Rrezik i ulët për zemrën

Në këtë rast ekziston vetëm një faktor rreziku në lidhje me vlerën e rritur të kolesterinës (p.sh. burrë mbi të 50-tat, grua në prag të lindjes etj).

Atëherë, vlera-bazë e lejuar e LDL-së kap të 160 miligramët (vlera e përgjithshme e kolesterinës shkon në 240 miligramë).

Në këto raste mjeku do të fillojë përdorimin e terapisë me ilaçe kur LDL-ja do t’i kalojë të 190 miligramët (kolesterina e përgjithshme në 280 miligramë).

4. Rrezik shumë i vogël për zemrën

I takon vetëm një kategorie njerëzish: grave të reja, të cilat kanë vlera të LDL-së mbi 60 miligramë.

Në këto raste LDL-ja e dëshiruar nuk duhet të kalojë të 190 miligramët (kolesterina e përgjithshme në vlera prej 280 miligramësh).

Shenjat, të cilat janë të dyshimta për praninë e kësaj sëmundje

Cilat janë veprimet që duhet të ndërmarrim në mënyrë që të kontrollojmë vlerat e kolesterinës në organizmin tonë?

Katër momente kyçe:

• Lodhje e vazhdueshme, pa shkak
• Rënie e përgjithshme e organizmit
• Marrje mendsh, probleme gjatë ecjes (ngërçe, fryrje dhe dhembje të këmbëve etj)

• Formimi i disa qeskave, kisteve dhjamore, sidomos në zonën poshtë syve, nën veshë, midis gishtave, etj.

Si realizohen analizat?

Me anën e një analize të përgjithshme të gjakut, mund të kontrolloni vlerat e HDL-së dhe LDL-së.

Nëse kolesterina është e lartë

Mos nxitoni ta cilësoni menjëherë veten tuaj si “i sëmurë”.

Mjeku është i vetmi person kompetent, për të kontrolluar vlerat e kolesterinës dhe për të përcaktuar nëse vërtet janë të larta apo jo dhe nëse keni nevojë t’i nënshtroheni ndonjë terapie.

Cila është terapia?

Mjeku, mbasi të jetë ndërgjegjësuar për vlerat e kolesterinës në gjakun tuaj do të rekomandojë:

• Dietë dhe ushtrime fizike

• Në rastet kur vlera e kolesterinës vazhdon të rritet, atëherë është i nevojshëm përdorimi i kurave të përshtatshme me ilaçe.

• Të keni parasysh se do të keni nevojë për terapi të vazhdueshme dhe të rrepta. Vetëm në këtë mënyrë do të jeni i sigurt se ky “armik’ u luftua përgjithmonë. /Mesazhi/