Falenderimet i takojnë vetëm Allahut paqja dhe nderimet e Tij qofshin mbi vulën e profetëve Muhamedin salallahu alejhi ue selam, familjen e tij dhe të gjithë ata që ndjekin rrugën e tij deri në ditën e gjykimit.
Sigurish që çdo musliman i cili dëshiron të pasojë profetin patjetër duhet ta njohë atë.
Askush nuk mund të jetë musliman i mirë nëse nuk e njeh dhe e pason Profetin Muhamed salallahu alejhi ue selam.
Allahu i madhëruar i ka urdhëruar besimtarët që ti binden dhe ta pasojnë të dërguarin në çdo gjë nëse duan të jenë të shpëtuar. Allahu thotë:
يَا أَيُّهَا الَّذِينَ آمَنُوا أَطِيعُوا اللَّهَ وَأَطِيعُوا الرَّسُولَ وَلا تُبْطِلُوا أَعْمَالَكُمْ
” O ju që keni besuar! Binduni Allahut dhe binduni të Dërguarit (Muhammedit) dhe mos i çoni kot veprat tuaja.” Muhammed 33
Në një ajet tjetër Allahu ka thënë:
قُلْ إِنْ كُنْتُمْ تُحِبُّونَ اللَّهَ فَاتَّبِعُونِي يُحْبِبْكُمْ اللَّهُ وَيَغْفِرْ لَكُمْ ذُنُوبَكُمْ وَاللَّهُ غَفُورٌ رَحِيمٌ
” Thuaj (O Muhammed): “Nëse vërtet e doni Allahun, atëherë më ndiqni mua, Allahu do t’ju dojë ju dhe do t’ju falë juve gjynahet tuaja. Dhe Allahu është gjithnjë Falës i Madh, Mëshirëplotë.” Al-Imran 31
Ebu Hurejre transmeton se Profeti salallahu alejhi ue selam ka thënë:” Largohuni nga të gjitha gjërat që ju kam ndaluar, dhe mundohuni të kryeni sa të mundeni prej atyre gjërave që ju kam urdhëruar, sepse shumë popuj që kanë jetuar para jush u shkatërruan për shkak të pyetjeve të shumta dhe mosbindjes ndaj profetëve të tyre.” Buhari dhe Muslimi
Po ashtu Mulimanët janë të urdhëruar që në çdo grindje dhe mosmarrëveshje të tyren të drejtohen tek Profeti salallahu alejhi ue selam, dhe Allahu ka vënë në dukje se ata nuk do të jenë besimtarë përderisa nuk e kryejnë një vepër të tillë e më pas të ngelen të kënaqur nga gjykimi i tij. Allahu për këtë thotë:
فَلا وَرَبِّكَ لا يُؤْمِنُونَ حَتَّى يُحَكِّمُوكَ فِيمَا شَجَرَ بَيْنَهُمْ ثُمَّ لا يَجِدُوا فِي أَنفُسِهِمْ حَرَجاً مِمَّا قَضَيْتَ وَيُسَلِّمُوا تَسْلِيماً
“Por Jo, për Zotin tënd! Ata nuk janë besimtarë derisa të mos zgjedhin ty për të gjykuar në të gjitha mosmarrëveshjet mes tyre, derisa të mos mbetet në veten e tyre asnjë pikë kundërshtimi ndaj vendimeve të tua dhe derisa t’i pranojnë ato (vendimet e tua) plotësisht të nënshtruar.” Nisa 65
Ndërsa pas vdekjes së profetit kjo realizohet duke u kthyer tek syneti i tij.
Nuk ka dyshim se besimi i çdo muslimani është i varur me dashurinë e Profetit salallahu alejhi ue selam pra ai nuk mund të jetë besimtar derisa ta dojë atë.
Allahu thotë:
النَّبِيُّ أَوْلَى بِالْمُؤْمِنِينَ مِنْ أَنْفُسِهِمْ وَأَزْوَاجُهُ أُمَّهَاتُهُمْ
“Pejgamberi është më afër besimtarëve se sa vetë ata me vetveten, dhe bashkëshortet e tij janë nënat e tyre.” Ahzab 6
Po ashtu Allahu në një ajet tjetër thotë:
قُلْ إِنْ كَانَ آبَاؤُكُمْ وَأَبْنَاؤُكُمْ وَإِخْوَانُكُمْ وَأَزْوَاجُكُمْ وَعَشِيرَتُكُمْ وَأَمْوَالٌ اقْتَرَفْتُمُوهَا وَتِجَارَةٌ تَخْشَوْنَ كَسَادَهَا وَمَسَاكِنُ تَرْضَوْنَهَا أَحَبَّ إِلَيْكُمْ مِنْ اللَّهِ وَرَسُولِهِ وَجِهَادٍ فِي سَبِيلِهِ فَتَرَبَّصُوا حَتَّى يَأْتِيَ اللَّهُ بِأَمْرِهِ وَاللَّهُ لا يَهْدِي الْقَوْمَ الْفَاسِقِينَ
” Thuaju (O Muhammed): “Në qoftë se baballarët tuaj, bijtë tuaj, vëllezërit tuaj, bashkëshortet tuaja, të afërmit tuaj, pasuria që ju e keni fituar, tregtia që frikësoheni se do të dështojë dhe vendbanimet tuaja ku ju gjeni kënaqësi, (të gjitha këto) janë më të dashura për ju se Allahu dhe i Dërguari i Tij, më të dashura se përpjekja dhe lufta për Çështjen e Allahut, atëherë prisni derisa Allahu të sjellë Vendimin (dënimin) e Tij. Dhe Allahu nuk e udhëzon popullin kryeneç.” Teube 24
Ndërsa Profeti salallahu alejhi ue selam ka thënë:” Nuk ka për të besuar askush nëse unë për të nuk jam më i dashur se fëmija i tij, prindi i tij dhe të gjithë njerëzit.” Buhari dhe Muslimi
Ndërsa në një hadith tjetër Profeti ka treguar se dashuria e tij është shkak që muslimani të shijojë ëmbëlsinë e besimit.
” Tre gjëra nëse gjenden tek muslimani ka për ta shijuar ëmbëlsinë e besimit: Të jetë Allahu dhe i dërguari i Tij më i dashur se çdo gjë tjetër, ta dojë ndokënd vetëm për hir të Allahut dhe të urrejë të kthehet në kufër sikurse urren të hidhet në zjarr.” Buhari dhe Muslimi.
Njohja e Profetit Muhamed është një nga themelet bazë të fesë Islame, çdo kush do të pyetet kur të hyjë në varrin e tij me këto pyetje: Kush është Zoti yt, kush është feja jote dhe kush është Profeti i cili është dërguar tek ty.
Kështu që çdo musliman duhet ta njoh të dërguarin e tij.