Ju flihet në orarin e punës? Ja disa mënyra si ta shmangni
Të gjithëve na ndodh që deri në orën 12.00 apo 13.00 jemi më produktivë në detyrat që duhet të kryejmë. Pas kësaj ore ndihemi të lodhur, të përgjumur dhe shohim me padurim orën.
Kjo është arsyeja përse në disa shtete është përqafuar ideja e gjumit të pasdites në orarin e punës. Ndërkohë, në shumë vende të tjera ka institucione, ku orari i punës përfundon në orën 14.00, duke patur parasysh se në dy orët e fundit niveli i përqendrimit bie.
Duke qenë se në vendin tonë është pothuajse e pamundur të praktikohen alternativat e mësipërme, ja cilat janë 7 mënyrat sesi të shmangni përgjumjen në orarin e punës.
Ngopuni me gjumë
Mundohuni të flini të paktën 8 orë gjatë natës, në këtë mënyrë do të ndiheni më pak të lodhur dhe më energjik.
Hani mëngjes
Konsumoni një mëngjes të bollshëm, për të patur më shumë rezistencë gjatë ditës dhe për tu ndjerë më pak të lodhur apo të përgjumur. Në qoftë se do e nisni ditën me një filxhan të madh kafe apo ushqime supermarketi, ju do të jeni të lodhur dhe të papërqëndruar gjatë ditës.
Proteina dhe perime në drekë
Vaktin e drekës zakonisht e konsumojmë në punë. Mundohuni të hani më shumë proteina apo perime. Vaktet e ndërmjetme gjatë orarit të punës janë gjithashtu të rëndësishme. Mbani në çantën tuaj fruta, lëngje, çokollatë të zezë apo fruta të thata. Sa herë që ndiheni të uritur apo me dëshirën për të konsumuar diçka, e keni zgjidhjen.
Pini shumë ujë
Në qoftë se ju ndodh shpesh që gjatë orarit të punës të ndiheni të pafuqishëm dhe jo produktiv, një ndër shkaqet kryesore është dehidratimi. Në tavolinën tuaj mbani gjithmonë një shishe uji dhe një gotë. Brenda saj mund të vendosni feta portokalli, qitroje apo limoni. Në këtë mënyrë uji merr shije dhe ju konsumoni më tepër.
Lëvizni
Në qoftë se keni ndenjur përpara kompjuterit për disa orë, me shumë mundësi do ndiheni të përgjumur, me sy të lodhur dhe të papërqendruar. Në këtë rast këshillohet të lëvizni. Në qoftë se nuk keni hapësirë, atëherë mund të lëvizni nëpër ambientet e kompanisë apo të bisedoni me një koleg.
Shikoni larg në horizont
Këshilla kryesore që japin mjekët okulistë për personat që qëndrojnë gjatë përpara kompjuterit është shkëputja çdo 2 orë dhe përqendrimi i shikimit larg në hapësirë. Në këtë mënyrë, sytë dhe truri juaj do të çlodhen dhe ndjesia e përgjumjes do të largohet. Në qoftë se ambienti juaj i punës është i rrethuar me ambiente me gjelbërim, kjo do të ishte ideale.
Drejtohuni te mjeku
Në qoftë se i keni provuar të gjitha alternativat e mësipërme dhe nuk keni patur rezultat, atëherë drejtohuni te një mjek specialist për të kuptuar çfarë jua shkakton këtë gjendje. Diabeti apo anemia mund të jenë dy alternativa të mundshme./revistawho