Histori të bukura të treguara nga Profeti -alejhi selam- (Pjesa 2)

0
245

E pesta: Frika e madhe e profetëve prej Allahut të madhëruar dhe kjo merret nga reagimi i Jahjës -alejhi selam- sepse sa më shumë të shtohet dija aq shumë shtohet frika. Allahu i madhëruar në Kuran thotë: “Me të vërtetë frikë Allahun e kanë dijetarët” suretu Fatir: 28.
Ibn Abasi -radiallahu anhu- në komentimin e ajetit thotë: “Ata të cilët e dinë se Allahu ka mundësi për çdo gjë”.
Ska dyshim se dituria e profetëve rreth Allahut është më e madhe se te çdo kush tjetër prandaj dhe profeti ynë Muhamedi -alejhi selam- njëherë kur iu parafytyrua xheneti dhe xhehenemit gjatë namazit të eklipsit u tha njerëzve: “O umeti i Muhamedit! Sikur ta dini atë që unë di do të kishit qeshur pak dhe do të kishit qarë shumë” E transmeton Buhariu dhe Muslim.

E gjashta: Frika më e madhe e profetëve ka qenë në lidhje me detyrën e tyre kryesore dhe që është përcjellja me besnikëri e porosive dhe e mësimeve të Allahut dhe prandaj Jahja tha: [Kam frikë se nëse do ta bësh ti atë gjë para meje, Allahu do të ma shembë tokën poshtë këmbëve apo do të më dënojë].
Allahu i madhëruar i drejtohet profetit të tij në Kuran: “O ti i dërguar! Përcille atë që të është zbritur prej zotit tënd dhe nëse nuk do ta bësh atëherë nuk e ke përcjellë mesazhin e tij. Allahu do të të mbrojë prej njerëzve. Ai nuk e udhëzon popullin mohues” suretu El-Maide: 67.
Profeti -alejhi selam- nisur nga kjo frikë shpesh herë kur këshillonte njerëzit për gjëra të rëndësishme përsëriste shprehjen “E la hel bel-legtu?” që do të thotë: A nuk e përcolla (mesazhin e Allahut)? Dhe kur njerëzit thoshin se po, ai thoshte “Allahumme Ishhed” që do të thotë: O Allah, dëshmo! Këtë gjë profeti -alejhi selam- e ka përdorur shumë në haxhin e lamtumirës dhe në ditët e sëmundjes së tij para se të vdiste.

E shtata: Në hadith nuk tregohet se pse Jahja -alejhi selam- u vonua në përcjelljen e mesazhit të Allahut. Në rregullat e fikhut përmendet edhe ky rregull: Vonimi i përcjelljes së një gjykimi deri kur të bëhet i nevojshëm apo i përshtatshëm lejohet ndërsa vonimi i tij nga koha kur është bërë i nevojshme apo i përshtatshme nuk lejohet.
Kështu ndoshta prej arsyeve mund të ketë qenë gjetja e momentit të përshtatshëm për përcjelljen porosive të Allahut sepse Benu Israilët kanë qenë popull që u kanë shkaktuar shumë mundime profetëve të tyre derisa Allahu i madhëruar e ka përmendur këtë gjë edhe në kuran: “O ju që keni besuar! Mos jini si ata që e munduan Musën (me gënjeshtra dhe trillime) dhe Allahu e pastroi atë prej tyre. Ai te Allahu ishte njeri me pozitë të lartë” suretu El-Ahzab: 69.
Sjellja e keqe me profetët e Allahut në mesin e Beni Israilëve ka qenë punë e njohur madje edhe vrasja e tyre ka qenë punë e njohur tek ata siç thotë Allahu i madhëruar në Kuran: “Është shkruar për ta (Beni Israilët) poshtërimi dhe mjerimi dhe fituan zemërimin e Allahut sepse i mohonin ajetet e Allahut dhe i vrisnin pa të drejtë profetët. Kjo për shkak të kundërshtimeve të tyre dhe kalimit të kufijve” El-Bekara: 61. Prandaj dhe Allahu i madhëruar në ajetin e sures Maide i garanton profetin tonë mbrojtjen duke i thënë: [Allahu do të të mbrojë prej njerëzve].
Aishja -radiallahu anha- tregon: “Profeti -alejhi selam- kur mbërriti në Medine, nuk i zunë sytë gjumë një natë dhe tha: Ah sikur një burrë i mirë të më bënte roje! Kur papritur dëgjuam një zë arme dhe atëherë profeti -alejhi selam- thirri: Kush është? Burri u përgjigj: Jam Sead bin Malik. Profeti -alejhi selam- i tha: çfarë të solli? Ai i tha: Pata frikë për ty o i dërguari i Allahut dhe erdha për të të bërë roje. Atëherë profeti -alejhi selam- bëri dua për të dhe fjeti” e transmeton Buhariu dhe Muslimi.
Aishja -radiallahu anhu- anha gjithashtu tregon “Profeti -alejhi selam- ruhej nga të tjerët derisa i zbriti ajeti [Allahu do të të mbrojë prej njerëzve] atëherë profeti -alejhi selam- nxori kokën nga çadra dhe tha: O njerëz! Largohuni se do të më ruaj Allahu!” e transmeton Tirmidhiu dhe e saktëson sheikh Albani.
Jahja dhe Isa -alejhima selam- e kanë vuajtur shumë sjelljen e keqe të Beni Israilëve me ta ndoshta Jahja pak më shumë sepse ishte edhe viktimë e kësaj sjellje të keqe siç tregon: Abdullah bin Zubejri, Ibn Umeri dhe Ibn Abasi -radiallahu anhum- se ai është vrarë për shkak femre imorale kur ai e ia ndaloi një mbreti të tyre të asaj kohe martesën me vajzën e vëllait apo me gruan e vëllait siç thonë Ehli Kitabi dhe Allahu e di më së miri. Ndërsa Isa -alejhi selam- siç tregon për të Allahu në Kuran, Beni Israilët i përgatitën atij një plan për ta vrarë dhe Allahu e shpëtoi prej tyre.
Por mund të ketë qenë edhe kjo tjetra se ai ka dashtë të punojë vet me ato porosi që të japë shembullin e mirë te njerëzit para se ti ftojë të tjerët për të punuar me to sepse profetët përveç përcjelljes së porosive dhe mësimeve të Allahut për te popujt e tyre kanë pasur detyrë e ofrimin e shembullit të mirë për ta. Madje këtë e gjejmë edhe në hadith kur thotë [Allahu e porositi Jahjën birin e Zekerijës -alejhi selam- për pesë gjëra që ti bëjë ai vet dhe ti urdhërojë Beni Israilët ti bëjnë ato].

E teta: Xhamia është vendi më i mirë i grumbullimit për të përcjellë porositë e Allahut. Kështu ka qenë edhe në kohën e profetit -alejhi selam- i cili kur kishte ndonjë gjë të rëndësishme urdhëronte të thirrej “Es-Salate xhamiaten” që do të thotë: “Grumbullohuni për në namaz me xhematë”. Kështu ai i grumbullonte njerëzit në xhami pastaj u fliste për porositë e Allahut siç veproi dhe Jahja -alejhi selam-.

E nënta: Zgjedhja e xhamisë së Aksasë si vend për ti përcjellë porositë e Allahut tregon për vlerën e xhamisë së Aksasë.
Xhamia e Aksasë është vendi më i begatë i Shamit, një ndër xhamitë më të vjetra të tokës pas Qabesë e ndërtuar për adhurimin e Allahut dhe kibla e Beni Israilëve prandaj dhe nuk kishte vend më të përshtatshëm sesa ajo për ti përcjellë porositë e Allahut.

E dhjeta: Porositë e Allahut për Beni Israilët janë si porositë e tij për umetin e profetit Muhamed -alejhi selam- sepse profeti ynë na ka njoftuar se islami është ndërtuar mbi pesë shtylla: dëshmia se nuk ka të adhuruar tjetër veç Allahut, falja e namazit, dhënia e zeqatat, agjërimi i Ramazanit dhe kryerja e haxhit. E vetmja gjë që ndryshon nga porositë e Jahjës është porosia e pestë sepse Jahja përmend “Dhikrin” kurse Muhamedi -alejhi selam- përmend Haxhin. Megjithatë Haxhi në thelbin e tij nuk është gjë tjetër veçse ibadet dhikri për Allahun kështu i bie që këto pesë punë të jenë baza e adhurimit të Allahut pasi të gjithë profetët janë porositur për to.

Dr Abdullah Nabolli

LEAVE A REPLY

Please enter your comment!
Please enter your name here