Fjala dhe plaga

0
220

Një ditë një njeri kishte humbur në një pyll të dendur dhe të thellë. Derisa nata po afrohej, ai filloi të kërkonte një vend të përshtatshëm ku mund ta kalonte natën. E pa një shpellë dhe u strehua në të. Pasiqë ishte shumë i lodhur, së shpejti u zhyt në një gjumë të thellë. Kur u zgjua në mëngjes, e pa ariun duke qëndruar pranë tij. Ariu ishte i zgjuar dhe miqësisht i disponuar:

“Më fal o mik, nuk isha në shtëpi kur erdhe dhe nuk munda të të gostis më mirë. Do të kisha përgatitur një darkë dhe një shtrat të rehatshëm“ – tha ariu.

“Oh, përkundrazi. Unë shumë mirë pushova. Vetëm një gjë nuk më pëlqeu. Shumë, vëlla, po kundërmonte aromë e keqe në këtë shtëpinë tënde“ – tha njeriu.

Pas këtyre fjalëve, ariu mori një thikë dhe ia dha njeriut:

“Merre këtë thikë dhe më godit me sa forcë që ke në gjoksin tim. Nëse këtë nuk e bën, unë do të ha ty në këtë moment!“

Njeriu u frikësua dhe filloi t’i lutet, duke thënë se këtë nuk mund ta bënte. Ariu mbeti në fjalën e tij dhe filloi të zemërohej më tepër. Njeriu kur e pa se nuk ka shaka, mori thikën dhe me forcë e godit ariun në shpatulla, duke i shkaktuar një plagë të thellë.

Pas kësaj ata u ndanë.

Kaluan shumë vite nga ajo ngjarje. Një ditë, u takuan përsëri në pyll. Ata biseduan për shumë gjëra. Kur njeriu deshi të ndahet nga ariu dhe të vazhdonte rrugën, ariu i tha:

“Shiko o miku im në shpatullën time, a po e sheh plagën që ma pate shkaktuar me thikë? A po vëren ndonjë gjë? ”

Njeriu e shikoi me frikë dhe tha me lehtësim: “Jo, asgjë nuk po shihet. Çdo gjë është shëruar mirë!”

“Tani ti do të më kuptosh mua, o miku im”, tha ariu. “Plaga u shërua dhe unë e harrova atë. Mirëpo, fjalët fyese që mi the atëherë, nuk do t’i harroj derisa të jam gjallë. Tani shko rrugës tënde, dhe dije, se më mirë është që ne të dy kurrë edhe njëherë mos të takohemi.“

Që atëherë, njeriu dhe ariu jetojnë në armiqësi të vazhdueshme.

Mësimi i tregimit: Edhe plaga më e thellë shërohet, por plaga e shkaktuar me fjalë fyese kurrë nuk harrohet.

Përshtati: Miftar Ajdini

LEAVE A REPLY

Please enter your comment!
Please enter your name here