Tema nuk është diçka e panjohur te ne në Islam pasi se secili musliman e din shumë mirë se ne duhet të jemi në radhë të parë falënderues ndaj All-llahut azze we xhel që krijoi njeriut prej asgjësë dhe për te krijoi çdo gjë në këtë univers dhe i vuri të gjithën në dispozicion atij njeriu të cilin e krijoi vetëm për një shkak, për të adhuruar Krijuesin e Tij I Cili me të vërtetë meriton shumë më tepër se kjo.
Falënderimi në Islam ka një domethënie të madhe pasi edhe vetë Kur’ani fisnik fillon së pari me Emrat e Bukur të Allahut – Bismilahi Rrahmani Rrahim dhe pastaj thuhet që në fillim Elhamdulilah “Falënderimi i takon Allahut, Zotit të botëve!” (Fatiha 1)
El Hamd – poashtu është edhe një prej Emrave të Allahut azze we xhel dhe don të thotë Falënderues.
Të gjitha namazet fillojnë me këtë sure me të cilin falënderojmë Krijuesin.
5 Sure të Kur’anit të mrekullueshëm, po aq sa edhe është numri i namazeve të obliguara, fillojnë me Elhamdulilah – Falënderimi i takon All-llahut. Ato janë suret: Sure 1. El Fatiha, Sure 6. El Enam, Sure 18. El Kehf, Sure 34. Sebe dhe Sure 35. Fatir.
Në Kuranin Fisnik kemi 5 ajete që përfundojnë me fjalinë “Elhamdul lilahi rabil alemin” (Falënderimi i qoftë Allahut, Zotit të botëve), ato ajete janë: Sure El En’am ajeti- 45, Sure Junus ajeti -10, Sure Es Safat ajeti- 182, Sure Zumer ajeti- 75, dhe Sure Gafir ajeti -65.
Në Kur’anin famëlartë janë shpallur shumë ajete për falënderimin, do të ceki disa pasi ka njerëz shumë më kompetentë se unë për të shkruar në këtë drejtim, por sa për t’i dhënë një bukuri mahnitëse shkrimit përmes fjalëve të të Lartëmadhëruarit:
Sure El Bekare 152: Pra ju më kujtoni Mua (me adhurime), Unë ju kujtoj juve (me shprëblim). Më falënderoni e mos Më mohoni.
Sure Ibrahim 7: Dhe (përkujtoni) kur Zoti juaj njoftoi bindshëm: “Nëse falënderoni, do t’ua shtoj të mirat, e nëse përbuzni, s’ka dyshim, dënimi Im është i vështirë!”
Sure Llukman 12: Ne i patëm dhënë Llukmanit mençuri të përsosur (e i thamë): Të falënderosh All-llahun, e kush falënderon, e mira e atij falënderimi i takon atij, e kush refuzon (edhe ai e ka për vete), në të vërtetë, All-llahu nuk ka nevojë (për falënderimin e tij) pse Ai vetë është i lavdishëm.
Këto ajete janë vetëm një pjesë e vogël e asaj se çka flitet në Kur’anin famëlartë për falënderimin. Pas asaj vijnë edhe Hadithet e Pejgamberit salaAllahu alejhi we selem për falënderimin të cilat poashtu janë të shumta. Do të veçoj vetëm sa për bukuri të shkrimit, pasi fjalët e tij zbukurojnë poashtu çdo gjë pasi vijnë nga thellësia e shpirtit:
„Është e çuditshme puna e besimtarit. Gjithë jeta e tij është hajr. Nëse atij i vjen një e mirë, ai falënderon Zotin dhe merr shpërblim për këtë gjë. Nëse atij i bie një fatkeqësi, ai duron për hir të Zotit dhe përsëri shpërblehet për këtë gjë e kjo gjë ndodh vetëm me besimtarin”. (Muslimi)
“Nuk e ka falënderuar Allahun ai që nuk i falënderon njerëzit”.
“Vërtet All-llahu është i kënaqur me robin i cili, kur ha diçka, e falënderon All-llahun, e po ashtu edhe kur të pijë diçka e falënderon All-llahun“.
E shumë shumë tjera Ajete dhe hadithe të cilat nuk mundem as ti shkruaj në këtë shkrim të vogël dhe modest.
Por nëse ndalemi dhe kujtojmë kodin e ditës së një muslimani nëse i përmbahemi urdhëresave të Islamit atëherë shohim se ne në çdo gjendje dhe tërë kohën duhet të themi Elhamdulilah; a thua pse?
Pos atyre të lartëpërmendurat janë kur zgjohemi, në fund të ushqimit, në fund të pirjes, kur hipemi në mjetin bartës, kur kthehemi në shtëpi, kur na ndodh diçka e këndshme, por edhe kur nuk na ndodh diçka e këndshme, jemi të urdhëruar të themi Elhamdulilah dhe ashtu gjatë tërë dites deri kur shkojmë për gjumë, dhe ashtu dita ditës, javëve, muajve, viteve tona të jetës, jetojmë duke falënderuar Allahun.
Pra prap duhet vetë të kujtohemi se pse a thua?
Të kthehemi edhe një here te Ajeti 12 i Sures Llukman ku thuhet shumë bukur dhe qartë :
« Të falënderosh All-llahun, e kush falënderon, e mira e atij falënderimi i takon atij, e kush refuzon (edhe ai e ka për vete), në të vërtetë, All-llahu nuk ka nevojë (për falënderimin e tij) pse Ai vetë është i lavdishëm ».
Jo vetëm falënderimi por çdo proces dhe çdo urdhër i Allahut azze we xhel ka mirësinë e vet andaj ne duhet të kryejmë pa pikë mëdyshje pasi Ai gjithmonë dhe në çdo gjë e don të mirën tonë dhe asgjë tjetër, Ai është i panevojshëm, I Lartësuar qoftë dhe i Madhëruar ashtu siç i përket vetëm Atij.
Duke e ditur se në të gjitha religjionet falënderimi është i urdhëruar, është vërejtur se ata të cilët me të vërtetë e praktikojnë kanë shumë avantazhe pozitive andaj edhe falënderimi është vurë në fokus kohën e fundit. Janë kryer shumë studime të ndryshme për të vërtetuar dhe analizuar se çfarë gjëra pozitive apo edhe negative bie gjendja e falënderimit në trupin dhe shpirtin e njeriut, a ka ndonjë të mirë të vërtetë apo është vetëm një iluzion i perceptuar nga vetvetja dhe një farë efekti placebo në mendjen e njeriut. (Placebo (lat. “dua të pëlqej”) është një tabletë ose preparat tjetër mjekësor, që nuk ka asnjë substancë ndikuese dhe d.m.th për nga definicioni nuk mund të ndikoj si medikament.)
Qendra studimore në Berkeley Univerziteti për mirëqenie California USA – studjon për këtë temë që nga viti 2001 dhe poashtu kanë ardhur në përfundim se falënderimi – mirënjohja është një nga gjashtë shtyllat e lumturisë.
Gjithnjë e më shumë shkencëtarë po kthehen në këtë temë për të eksploruar efektet pozitive të këtij qëndrimi. Rezultati është mbresëlënës: “Njerëzit falënderues janë më të shëndetshëm, më të lumtur, më rezistente ndaj stresit, më efikas dhe më të kënaqur me jetën e tyre dhe marrëdhëniet shoqërore”.
Prof. Paul J Mills nga Universiteti i Californisë, San Diego ka studjuar se si falënderimi – mirënjohja përmirëson shëndetin e pacientëve të sëmurë nga zemra. Në studimet kanë marë pjesë 186 Pacientë burra dhe gra me insuficienc kardiake (dështimi i zemrës). Këtu u përdorën teste psikologjike për të përcaktuar shkallën e mirënjohjes dhe mirëqenien mendore, subjektive të personave. Vlerat e fituara u krahasuan me gjendjen mendore, cilësinë e gjumit, lodhjen, besimin në veten dhe vlerat inflamatore në gjakun e pacientëve. Nga kjo u konstatua se sa më të mirënjohur që ishin pacientët ata ishin më të lumtur, flinin më mirë. Përveç kësaj, mirënjohja më e madhe lidhej me vetëbesimin më të madh nga kjo vinin nivelet e reduktuara të inflamacionit në gjak.
Në hapin tjetër pjesëmarrësit u ndanë në dy grupe. Grupit të parë iu referua të shkruajnë një lloj ditari për falënderim. Në këtë ditar i cili poashtu u quajt ditari i fatit, shënoheshin nga shkruesit vetëm gjërat pozitive. Pacientët nga grupi i parë në këtë ditar kanë shënuar për tetë javë me rresht vetëm tre gjëra për të cilat ndiheshin të falënderuar. Grupi i dytë nuk kishte ditar aspak.
“ Pas kësaj ne erdhëm në përfundim se te pacientët të cilët çdo ditë shkruanin në ditar nivele të ndryshme inflamatore kanë rënë. Njëherit u rrit frekueca dhe normaliteti i zemrës, e cila është e barabartë me një rrezik të reduktuar të infarktit “, thotë Prof. Mills.
Falënderimi – mirënjohja në vend të ilaçeve antidepresive
Falënderimi rrit prodhimin e dopamines dhe serotoninës në gjak, në popull të njohura si “Hormonet e lumturisë”. Dopamina është stimulans natyral, e jep ndjenjën e ekstazës, ndihmon përqendrimin në veprime individuale dhe motivon. Serotonina është neurotransmetues, një lajmëtar kimik në trurin tuaj – që shumica e shkencëtarëve ia atribuojnë ndjenjave të lumturisë por edhe rregullon tensionin e enëve të gjakut në sistemin kardiovaskular. Serotonina na jep ndjenjën e qetësisë, paqës së mbrendshme dhe kënaqësisë. Ndër të tjera na ofron që ne të kemi një gjumë më të rehatshëm dhe të mirë dhe të kemi një oreks të shëndetshëm.
Falënderimi është një çështje ushtrimi
Një ushtrim tjetër i suksesshëm i mirënjohjes është shkrimi dhe shpërndarja e letrave të falënderimit. Shkencëtarët nga Universiteti i Indianës kanë egzaminuar 43 persona, të cilët kanë kërkuar përkrahje për shkak të ankthit dhe depresionit. Me 22 prej tyre studiuesit përfunduan një seancë javore që ishte rreth falënderimit. Pjesëmarrësit duhet të shkruajnë letra falenderimi. Personat e egzaminuar vetë vendosnin nëse letrat e falenderimit do ti dërgonin atyre personave që u kanë shkruajtur apo jo. 21 Pjesëmarrësit e mbetur nuk kishin aspak seanca të falënderimit.
Tre muaj më vonë, shkencëtarët nga të gjithë pjesëmarrësit kryen skanimin e trurit. Në ndërkohë, personave të egzaminuar u tha se do të merrnin para nga një donator i pasur.Donatori nuk kërkon, por do të ishte i lumtur që secili prej atyre që marin, të dhurojnë një pjesë të saj një fondi bamirësie ose një personi tjetër. Pas testit, personat do të merrnin shumën e premtuar, duke minusuar atë që do të dhuronin.
Personat e dinin shumë mirë se është test por ata do të mernin një transaktion monetar, kurse personat zgjedheshin rastësisht.
Skanimi i trurit treguan këto rezultate:
Sa më shumë një person dhuroi dhe sa më e madhe që ishte ndjenja e falënderimit, aq më shumë aktivitete vëreheshin në pjesë të ndryshme të trurit. Edhe atë në lobin frontal, selia e personalitetit dhe sjelljes shoqërore; në lobin parietal, i cili është përgjegjës për gjërat shqisore dhe motorike, dhe në lobin okular që është përgjegjës për vizionin.Aktivitetet e trurit ishin të ndryshme nga aktivitetet tjera si për shembull, ato të përfshira në eksperimentet e empatisë.
Pra falënderimi është një emocion unik.
Pjesëmarrësit të cilët më parë kanë shkruar letrat e falënderimit treguan edhe pas dy javësh një aktivitet dukshëm më të fortë (signifikant) në zonat e trurit që hulumtuesit kishin lidhur më parë me falënderimin.Por edhe muaj më vonë ata kishin të pranishëm aktivitete nga ky falënderim. Kjo gjithashtu ndikoi në rajonin që na vlerëson se çfarë ndikimi do të ketë sjellja jonë me qeniet njerëzore.
Falënderimi pra është një muskël. Sa më shumë që përdoret aq më shumë forcohet struktura përkatëse në tru. Sa më shumë që me vetëdije ta praktikojmë sot falënderimin, aq më shumë do ta perceptojmë dhe përdorim spontanisht në të ardhmen.
Dhe shpesh vjen deri te e ashtuquajtura spirala e falënderimit: sa më shumë që ndihemi mirënjohës, aq më shumë sillemi pro-shoqërisë dhe ndaj të tjerëve, gjë që i bën edhe ata mirënjohës dhe ndryshon sjelljen e tyre e kështu me radhë.
Në foto e mëposhtme ju mund të shihni aktivitetin e trurit të skanuar gjatë mirënjohjes.
.
E verdhë: = korrelacioni positiv me ndjenjën e falënderimit (lobi temporal, dhe zona paraballore)
E kaltërt: = korrelacioni negativ (cingulata gyrus, cortex insularis dhe korteksi dytësor somatosensoral)
Kjo don të thotë se falënderimi mundet të ushtrohet. Më e mira e gjithë kësaj është se sa më shumë falënderues ndjehemi, jemi shumë më të prirur nga falënderimi të japim më tej. Dhe nuk është patjetër të jenë donacione monetare. Por në secilin rast ashtu siç ne e dimë shumë mirë në Islam edhe për gjëra shumë të vogla duhet të jemi falënderues për Krijuesin e Mrekullueshëm dhe për secilin njeri që na bën një ndihmë të vogël.
Shkencëtarët kanë shkruar edhe për metoda se si të mësohemi të falënderojmë gjë të cilën ne e kemi në Kur’an dhe hadith por edhe në kodin e sjelljes së një muslimani andaj nuk do të shkruaj për to, përpos që të vetëdijesohemi dhe të shfrytëzojmë një të mirë nga të mirat e shumta që na ka dhënë dhe na ka urdhëruar Krijuesi ynë i Mrekullueshëm dhe i pa të meta.
Avantazhet që sjell falënderimi në një shikim:
Forcon sistemin imunitar
Pakësimin e stresit dhe rritjen e flexibilitetit
Zemër të shëndoshë
Motivim më të lartë për projektet e juaja
Humor të mirë
Gjumë më të mirë
Ekuilibrim i mirë i mbrendshëm trupor dhe shpirtëror
Mirëqenie më e mirë shoqërore dhe sociale
Dhe kurorën e të gjithave e lash për në fund:
All-llahu azze we xhel kur ne falënderojmë vetëm se na i shton gjendjet për falënderim.
Sure Ibrahim 7: Dhe (përkujtoni) kur Zoti juaj njoftoi bindshëm: “Nëse falënderoni, do t’ua shtoj të mirat, e nëse përbuzni, s’ka dyshim, dënimi Im është i vështirë!”
Lus All-llahun e Lartëmadhëruar të pranojë këtë vepër dhe të më falë gabimet që për njerëzit janë normale, duke e falënderuar nga thellësia e shpirtit për çdo gjë që më ka dhënë dhe do të më jap deri në pafundësi. Në radhë të parë që më ka mundësuar dhe më ka lejuar të jemi një krijesë e Tij dhe të besoj në Te.
El-hamdu li-llahi rabbi-l-‘alemin. (Falënderimi i takon vetëm All-llahut, Zotit të botërave).
Përgatiti dhe përktheu nga gjuha gjermane: Suzana Hasani