Burri është dera e gruas, derë për në xhenet

0
278

Burri është dera e gruas, derë për në xhenet nëse ajo i nënshtrohet atij në gjërat e lejuara e jo në harame.

Cilësia e pestë

Gruaja muslimane është e nënshtruar dhe sakrifikon për burrin e saj. Ajo e harron veten dhe kujton gjithmonë burrin e saj, u jep prioritet kënaqësive dhe dëshirave të tij ndaj të sajave.
Respektimi i burrit në atë që nuk është haram është qëllimi i saj kryesor; po ta humbë këtë gjë, për të është njëlloj si të kishte humbur ajrin me të cilin merr frymë.

Ibn El Xheuzi, Allahu e mëshiroftë, ka thënë: “Gruaja e mençur e ka për obligim që, kur gjen një burrë të devotshëm, i cili i përshtatet asaj, të mundohet ta kënaqë atë dhe të largohet nga çdo vepër që e pengon atë sepse nëse ajo bën ndonjë vepër që e hidhëron atë apo e pengon atë, kjo do ta shqetësojë atë dhe do ta mërzisë. Ai do ta mbajë mërzinë në vetvete dhe ka mundësi që kur ta gjej momentin e duhur, ta shkurorëzoj atë ose të marrë ndonjë tjetër.” (Ahkam En-Nisa)
Njohja e veprave dhe e fjalëve që bashkëshorti i saj i pëlqen ose nuk i pëlqen dhe veprimi sipas asaj që dëshiron burri është prej kushteve të një jetese të lumtur.

Shurjeh el Kadi tregon ngjarjen e tij pasi u martua me një grua të fisit Beni Temim. Ai vazhdon dhe thotë: “Pasi hyra natën e parë me gruan time, shkova për të marrë abdest. U ngrit gruaja dhe mori abdest bashkë me mua. U fala e edhe ajo u fal me mua. Pasi mbarova namazin, e luta Allahun që të jetë gruaja ime një dhuratë e begatshme dhe të më dhurojë Allahu prej të mirave të saj dhe të më mbrojë nga të këqijat e saj.”
Vazhdon Shurejhu dhe thotë: “Pasi përfundova fjalët e mia, filloi ajo duke falënderuar Allahun dhe duke e lavdëruar Atë, pastaj tha: “Unë jam një grua e panjohur për ty (nuk njihemi), më trego se çfarë ke dëshirë ti e unë të veproj ashtu dhe çfarë urren ti, që t’u largohem atyre veprave.”
I thashë: “Unë kam dëshirë këto sende dhe i urrej këto.” Ia tregova veprat dhe thëniet të cilat urrej. Më tha: “A ke dëshirë që familja ime të të vizitojë?” I thashë: “Unë jam gjykatës dhe kam frikë se mos i mërzis ata.” Pastaj më pyeti: “Kë dëshiron prej fqinjëve që të të vizitojnë?” Dhe unë i tregova për këtë.
Thotë Shurejhu: “Kam jetuar me këtë grua një jetë shumë të mirë dhe të lumtur, derisa u bë një vit. Kur hyra në shtëpi, pashë një grua të vjetër, e cila urdhëronte dhe ndalonte (këshillonte duke e urdhëruar dhe ndaluar). E pyeta gruan se kush ishte kjo grua, më tha: “Kjo është nëna ime.”
Nëna e saj tha: “Si je ti dhe si po kalon me gruan?” Shurejhu ia ktheu: “Nuk ka grua më të mirë.” Ajo tha: “S’janë mbushur shtëpitë me sherr më të madh sesa nga ankimet apo pakënaqësitë. E nëse sheh në të (gruan tënde) diçka të dyshimtë, atëherë përdore thuprën.”
Thotë Shurejhu: “Na vizitonte nëna e saj një herë në vit, e këshillonte vajzën e saj dhe e mësonte atë. Kam kaluar me gruan time njëzet vite dhe nuk jam hidhëruar me të vetëm se një herë, rast në të cilin kam qenë unë fajtor dhe i kam bërë padrejtësi asaj.”

Ky tregim është një shembull i gjallë i cili tregon për një grua e cila ka pasur cilësi të lakmueshme, që ka pasur prioritet kënaqësitë e burrit të saj ndaj kënaqësive të veta.
Nënshtrimi ndaj burrit të saj ka qenë për të baza pa të cilën nuk ka mundur të jetojë.

Prej shkaqeve kryesore të mosmarrëveshjeve mes dy bashkëshortëve është mosnënshtrimi i gruas ndaj burrit të saj, saqë arrihet deri te shkurorëzimi. Prej shkaqeve kryesore të lumturisë bashkëshortore është nënshtrimi i gruas ndaj burrit të saj.

Nuk ka dyshim se nënshtrimi i gruas ndaj burrit të saj mbron familjen nga humbja dhe shkapërderdhja e saj gjithashtu e bën burrin të lumtur dhe të dashuruar ndaj gruas së tij. Burri është dera e gruas, derë për në xhenet nëse ajo i nënshtrohet atij në gjërat e lejuara e jo në harame, apo derë për në xhehenem nëse ajo nuk i nënshtrohet atij.

Përktheu: Eroll Nesimi

LEAVE A REPLY

Please enter your comment!
Please enter your name here