Jetoj me trishtim, i frikohem vdekjes, çfarë të bëj?

0
677

Pyetje: Qe tre vite vuaj nga veset, jetoj me trishtim, i frikohem vdekjes gjithmonë më rri mendja aty se si do të vdes. Çka duhet të bëj që ta largoj pak?
Përgjigje: Lavd-falënderimi i takon vetëm Allahut…
Për atë pse vazhdimisht e kujtoni vdekjen nuk ka asgjë të keqe, sepse Pejgamberi, alejhi salatu ue selam, ka thënë: “Shtoni përmendjen e prishësit të kënaqësive d.m.th. vdekjen”, pra, na mëson një gjë e cila do të na mbajë të sigurt nga mashtrimi pas të mirave të dynjasë sepse të gjitha ato kënaqësi janë të përkohshme dhe relative, mirëpo këtë më së miri e kupton ai që më së shumti e kujton dhe e përmendë vdekjen. Me këtë porosi, Pejgamberi, alejhi salatu ue selam, nuk bën thirrje në pasivizëm dhe braktisje të jetesës normale, sepse një gjë e tillë do të ishte në kundërshtim me ligjet e fesë.
Një dijetar kishte thënë: “Kush e kujton shumë vdekjen, Allahu do ta nderojë me tri gjëra: pendim të shpejtë, kënaqësi me atë çfarë ka dhe adhurim të zellshëm; ndërsa kush e harron vdekjen do të sprovohet me tri gjëra: prolongim të pendimit, lakmi pas dynjasë dhe dembeli në adhurim”.
Pra, kujtimi i vdekjes nuk është ves, nuk është gabim dhe nuk ke pse të trishtohesh sepse të mirat që vijnë nga përmendja e vdekjes janë të mëdha. Allahu e di më së miri.