1 PRILLI

0
520

Islami si fe na tërheq vërejtjen nga gënjeshtra në përgjithësi, dhe e llogaritë atë prej cilësive të Kufrit(mosbesimit) dhe Nifakut(dyftyrësisë).
Allahu, subhanehu ue te’ala, në Kur’an thotë: “Pamëdyshje trillojnë gënjeshtra vetëm ata që nuk u besojnë argumenteve të Allahut, e ata janë gënjeshtarë.” (Nahl, 105).
Allahu, subhanehu ue te’ala, poashtu thotë: ”Allahu nuk e udhëzon në rrugë të drejtë atë që e tepron me gënjeshtra.” (Gafir, 28).
Muhammedi, alejhi salatu ue selam, ka thënë: ”Cilësitë e dyftyrëshit janë tri: kur flet gënjen, kur premton nuk e zbaton premtimin dhe kur i besohet tradhëton.” (Transmetojnë Buhariu dhe Muslimi).
Gënjeshtra është moral i keq, nga ajo na kanë tërhequr vërejtjen sheriatet(legjislacionet) e ndryshme. Se gënjeshtra është e keqe është pajtuar edhe natyrshmëria e shëndoshë, dhe këtë e thonë madje edhe personalitetet më mendjendritur.
Edhe në sheriatin tonë na është tërhequr vërejtja nga rrena me ajete të Kur’anit, hadithe të Muhammedit, alejhi salatu ue selam, dhe me konsensus te dijetarëve muslimanë, e poashtu gënjeshtra ka një perfundim të keq në këtë botë dhe në botën tjetër.
Islami nuk e ka lejuar gënjeshtrën pos në raste të caktuara si: në luftë, në pajtimin mes njerëzve dhe mes burrit e gruas.
Ndëshkimi i rrenës:
1. Dyftyrësi(Nifak) në zemër.
Allahu, subhanehu ue te’ala, thotë: ”Dhe ua lidhi Ai atyre në zemrat e tyre hipokrizinë deri në atë ditë kur do të dalin para Tij, për shkak se atë çka i premtuan Allahut nuk e mbajtën dhe për shkak se genjejnë.” (Teube, 77).
2. Gënjeshtra udhëzon drejt të këqijave dhe zjarrit.
Ibën Mes’udi, radiAllahu anhu, thotë se Pejgamberi, salAllahu alejhi ue selem, ka thënë:
“Sinqeriteti është bamirësi ndërsa bamirësia shpie ne Xhennet. Vërtet njeriu do të vazhdojë të flasë drejt(të jetë i sinqertë në të folur) derisa të shkruhet tek Allahu,subhanehu ue te’ala, si i sinqertë. Gënjeshtra është marrëzi ndërsa marrëzia shpie në zjarr(Xhehennem). Njeriu do të vazhdojë te gënjejë derisa të shkruhet tek Allahu, subhanehu ve te’ala, si gënjeshtar.” (Transmetojnë Buhariu dhe Muslimi).
3. Nuk i pranohet dëshmia.
Ibën Kajimi, Allahu e mëshiroftë, ka thënë: ”Gjuha rrenacake është në pozitën e gjymtyrës së paralizuar që nuk ka dobi prej saj, bile edhe më e keqe se ajo, më e keqja tek njeriu është gjuha rrenacake”.
4. Nxirja e fytyrës në këtë botë dhe në botën tjetër.
Allahu, subhanehu ue te’ala, thotë: ”Në ditën e Kijametit, do t’i shohësh fytyrënxirë, ata të cilët kanë folur gënjeshtra për Allahun.” (Zumer, 60).
Rrena është posta e Kufrit(mosbesimit), ndërsa dyftyrësia është udhërrëfyesi, mjeti, shoferi, zbukurimi dhe veshja e tij.
Pse gënjejnë njerëzit?
1. Mospasja frikë nga Allahu.
2. Përpjekja për të ndryshuar realitetet.
3. Mashtrimi i njerëzve.
4. Tërheqja e vëmendjes së njerëzve me anë të tregimeve dhe njohurive të rreme.
5. Mësimi i gënjeshtrës qysh në femijëri.
6. Llogaritja e saj prej “zgjuarsisë”.