Zemër dashurie

0
260

I ftuar: Dr. Beshir Salih Er-Reshidij

Kryetar i këshillët të inspektorëve të zyrës së zhvillimit, pranë Divanit të Emirit në Kuvajt.

Prof. Xhasim El-Mutava: ”Paqja e Zotit qoftë mbi ju!

Ju urojmë mirëseardhjen në emisionin tonë, për të cilin kemi zgjedhur si moto:”Derisa lumturia të jetë tradita jonë.” Për temën e këtij emisioni, kemi zgjedhur titullin “Zemër dashurie”  Nuk ka njeri, i martuar apo beqar qoftë, në lindje apo perëndim, që të mos ketë nevojë për dashuri, pa të cilën nuk mund të jetojë.

Pyetja që lind është: ”Kush është ai person, i cili mund të falë dashuri? Si t’a shprehim dashurinë? Nëse një familje është e privuar nga dashuria, si mund t’a rikthejmë atë, me qëllim që të jetojnë të lumtur? Historitë e dashurisë – si ajo e Kajsit me Lejlanë tek arabët dhe Romeos me Zhulietën në perëndim – janë të shumta, por a ndikojnë dhe kontribuojnë këto histori në përhapjen e dashurisë në çdo shtëpi?

I ftuari ynë i sotëm, është doktori Beshir Salih Er-Reshidij. Ne i urojmë atij mirëseardhjen dhe fillimisht e pyesim: ”Cila është rëndësia e dashurisë në një familje dhe çfarë synojmë me termin “Zemër dashurie?”

Dr. Beshir Salih Er-Reshidij: ”Dashuria zë në vend shumë të rëndësishëm në jetën e njerëzve. Rëndësia që ajo zë, duket qartë në këngët e muzikantëve, vjershat e poetëve etj… të cilët natë e ditë thurrin vargje dhe i këndojnë kësaj ndjenje të çuditshme dhe të mrekullueshme. Por çfarë është dashuria dhe si përkufizohet ajo?

E vërtetë është, që deri sot askush nuk ka mundur t’a njohë dhe përkufizojë atë siç duhet. Unë kam kaluar pesë vite duke studiuar, se çfarë është dashuria. Ajo i ngjan më së shumti rrymës elektrike, korrentit. Shkencëtarët kanë zbuluar metoda të ndryshme të shfrytëzimit, prodhimit, trajtimit etj… të korrentit, por akoma nuk kanë thënë gjë mbi natyrën esenciale të tij.

Dashuria është një rrjet i cili i mban njerëzit në kontakt me njëri-tjetrin. Nëpërmjet kësaj, ata diskutojnë, orientojnë njëri-tjetrin. Pa të, lidhjet mes njerëzve shkëputen. Në këtë temë, ne do të fokusohemi në dashurinë në familje, kurse përsa i përket asaj të dashuruarve nga të rinjtë, ajo është diçka tjetër”.

Dashuria prindërore

Prof. Xhasim El-Mutava: ”Atëherë le të flasim rreth dashurisë prindërore”.

Dr. Beshir Salih Er-Reshidij: ”Të gjithë prindërit, me gjithë dallimet fetare, sektare, rracore, kulturore etj… krijojnë në mendjet e tyre një portret dhe imazh të fëmijëve të tyre. Sipas këtij portreti, ata fillojnë t`i edukojnë dhe formojnë karakterin dhe personalitetin e fëmijëve të tyre. Në fund, janë prindërit ata që shkaktojnë ndryshime rrënjësore në karakterin e fëmijës. Janë ata që e shndërrojnë atë nga të paditur në një shkencëtar të ditur, nga të vogël, në të madh etj… Unë jam i sigurtë që këto dhe të tjera ndryshime, nuk do të mund të ndodhnin nëse nuk do të kishte dashuri. Nëse do të mungonte dashuria, do të ndodhte plotësisht e kundërta”.

Dashuria mund të vrasë!

Prof. Xhasim El-Mutava: ”Atëherë ju thatë, që dashuria është si puna e korrentit, por ajo nuk vret”.

Dr. Beshir Salih Er-Reshidij: ”Dashuria ashtu si korrenti, mund të vrasë ndonjëherë”.

Llojet e dashurisë brenda në familje

Prof. Xhasim El-Mutava: ”Le të përqendrohemi pak mbi llojet e dashurisë, sidomos brenda familjes!”

Dr. Beshir Salih Er-Reshidij: ”Fillimisht dua të theksoj, se dashuria gjendet tek çdo baba dhe nënë. Këtu normalisht bëjnë përjashtime ata, që vuajnë nga probleme mendore dhe nervore.

Si t’a shprehim dashurinë që ndjejmë?

Ka disa mënyra:

a) Ndjenja pozitive + performancë pozitime = Gjallërim të lidhjeve me të gjithë ata që të rrethojnë.

(Dashuria e fëmijëve) (një fjalë-një pëshpëritje-një përqafim)

b) Ndjenja negative + performancë pozitive = Gjallërim të lidhjeve.

(urrej sjelljen e fëmijëve) (një fjalë-një pëshpëritje-një përqafim)

Në pikën (b) vërehet që ne nuk kemi folur mbi ndjenjat, por mbi aparencën. Në këtë rast, prindi ka arritur t’i kontrollojë ndjenjat e tij negative.

Është pikërisht kjo, ajo për të cilën flet i dërguari i Zotit ku thotë: ”T’i buzëqeshësh vëllait tënd, është sadaka”.

Lidhur me këtë, Zoti i Madhëruar thotë në Kuran: ”dhe bëhu i butë me besimtarët që të pasojnë ty!” (Shuara 215)

“Zoti yt ka urdhëruar, që të mos adhuroni askënd tjetër përveç Atij dhe, që të silleni mirë me prindërit. Nëse njëri prej tyre ose të dy arrijnë pleqërinë te ti, mos u thuaj atyre as “uh!”, mos i kundërshto, por drejtoju atyre me fjalë respekti.”  (Isra: 23)

Në këto ajete, Zoti nuk ka kërkuar që t’u themi prindërve “U duam shumë…” por ka kërkuar që të sillemi butë dhe me respekt me ta, pasi sjelljet janë më domëthënëse se ndjenjat.

c) Ndjenja pozitive + performancë negative = Shkatërrim.

(Dashuria e fëmijëve) (rrahje-kopraci-dhunë)

d) Ndjenja negative + performancë negative = Shkatërrim.

Nga këto tre lloje, shohim që performanca është më e rëndësishmja, pra sjellja dhe aparenca. Çështja e ndjenjave nuk ka të bëjë direkt me mua. E dua dikë apo nuk e dua, këtë nuk e kontrolloj dot, por ajo që mund të bëj është të sillem mirë me të. E rëndësishme është çfarë u them dhe çfarë veproj”.

Si e dallojnë fëmijët dashurinë e prindërve?

Prof. Xhasim El-Mutava: ”Kameramani ynë doli në rrugë dhe u drejtoi disa fëmijëve këtë pyetje: ”Si e dallon nëse prindërit të duan?”

Përgjigjet e tyre ishin të ndryshme. Disa prej tyre u përgjigjën: ”E dalloj nga interesi dhe përkushtimi që kanë, si dhe nga shpenzimet që bëjnë për mua”.

Disa të tjerë përmendën sjelljen e mirë dhe lëvdatat. Cili është mendimi dhe komenti juaj doktor, rreth këtyre përgjigjeve?”

Dr. Beshir Salih Er-Reshidij: ”Përgjigjet e fëmijëve, janë ajo që ata e shohin dhe e ndjejnë nga prindërit e tyre. E përbashkëta e të gjithë përgjigjeve ishte, se sjellja dhe aparenca, është tregues i dashurisë. Dikush prej tyre, përmendi “Lëvdatat” dhe diçka të tillë ai e komentoi si dashuri edhe pse në realitet ti mund t’a lëvdosh dikë, por nuk e do. Një fëmijë tjetër përmendi si tregues dashurie “Shpenzimet që bëjnë dhe të hollat që i japin”. Kjo ndodh, edhe pse ne mund t’i japim dikujt që nuk e duam. Kështu, prindërit dhe fëmijët, nuk e njohin botën e ndjenjave të pakonkretizuara me vepra. Sipas tyre, nëse dashurinë nuk e shohin të konkretizuar në një sjellje, për ta nuk është dashuri. Sa më i vogël të jetë fëmija, ai do ta masë dashurinë e prindërve me diçka të prekshme. Diçka e tillë i ngjan të hollave, që depozitojmë në bankë. Ato janë të pavlefshme nëse nuk i nxjerrim, t’i investojmë dhe të përfitojmë prej tyre”.

A e bën dashuria e tepërt të llastuar një fëmijë?

Prof. Xhasim El-Mutava: ”Nëse të hollat e depozituara në bankë, do i nxirrnim njëherazi dhe t’i shpenzonim të gjitha, a nuk do të konsiderohej diçka e tillë si shpërdorim dhe menaxhim i keq? Ne shohim që disa prindër e shprehin dhe e nxjerrin të gjithë dashurinë që ndjejnë për fëmijët, gjë e cila i bën fëmijët të llastuar”.

Dr. Beshir Salih Er-Reshidij: ”Kjo është një pyetje e goditur. Le të mbetemi përsëri tek të hollat e depozituara në bankë. Nëse do i merrje të gjithë të hollat e depozituara dhe do i shpenzoje pa kriter, diçka e tillë do të ishte katastrofë dhe shkatërrim. E tillë është dhe dashuria, të cilës duhet t’i gjejmë vendin. Ne duhet të dimë kur të falim dashuri dhe kur jo”.

Prof. Xhasim El-Mutava: ”Sipas jush problemi nuk qëndron në sasinë e dashurisë, por qëndron në kohën dhe në vendin e duhur”.

Dr. Beshir Salih Er-Reshidij: ”Kjo është e vërtetë”.

Dashuria e fëmijëve pas divorcit të prindërve

Një teleshikues nga Katari: ”Si mund të vazhdojnë t’ju falin dashuri fëmijëve të tyre, dy prindër të divorcuar, duke e ditur se jetojnë larg njëri-tjetrit?”

Prof. Xhasim El-Mutava: ”Mendoj se edhe në një rast të tillë, mund të vazhdohet t’ju jepet fëmijëve dashuria e duhur dhe të nevojshme. Edhe pse prindërit janë të divorcuar, fëmijët mund të mbajnë lidhje me të dy prindërit. Shpeshherë, sasia e dashurisë e dhënë nga prindër të divorcuar, mund të jetë pozitive. Ashtu siç është pozitive vetë divorci në disa raste, sidomos në ato raste kur marrëdhëniet bashkëshortore janë përkeqësuar shumë. Një nënë e divorcuar, sa herë që të përmendë ish bashkëshortin e saj në sy të fëmijëve, duhet t’a përmendë për mirë dhe anasjelltas. Unë njoh shumë të divorcuar, që ndjekin këtë rrugë. Vetë Zoti i Madhëruar thotë: ”…Më pas, gruaja ose të mbahet me dinjitet, ose të lejohet të ikë me dinjitet”. (Bekare: 229)

Drejtësia dhe barazia në dashuri

Prof. Xhasim El-Mutava: ”A është e vërtetë, që dashuria e tepërt i bën fëmijët të llastuar dhe se gjithashtu privimi nga dashuria i bën ata të dhunshëm dhe të ashpër?

Do të ishte shumë me vlerë nëse do të përmendnit mënyra sesi prindërit të tregohen të ekuilibruar në çështjen e dashurisë. Kur mund të konsiderohet dashuria e tepërt dhe kur mund të konsiderohet e pamjaftueshme?”

Dr. Beshir Salih Er-Reshidij: ”Çdo fëmijë ka nevojë për një sasi të caktuar dashurie. Nuk e shoh me vend, që fëmijëve t’u japim dashuri në mënyrë të barabartë, por në mënyrë të drejtë. Kjo, pasi të thuash barazi në dashuri, do të thotë, që të gjithëve t’u falësh dashuri njëlloj. Ndërkohë, drejtësia në dashuri kërkon që secilit prej fëmijëve t’u japësh dashurinë e nevojshme për të. Kjo i ngjan shembullit të dikujt që ka disa fëmijë. Shpenzimet e një fëmije adoleshent, nuk janë ekuivalnte me ato të një foshnjeje. Në këtë rast ne nuk mund të shpenzojmë për të dy njëlloj. E tillë është dhe dashuria, ku disa fëmijë kanë nevojë për më shumë dashuri. Një fëmijë i dobët, një që ka probleme në shkollë, një i sëmurë etj… ka nevojë për më shumë dashuri dhe dhembshuri.

Në raste të tilla, babai dhe nëna janë doktorët më të mirë, të cilët e vlerësojnë situatën.

Doktor Ibrahim El-Khalifij ka bërë një studim interesant mbi çështjet e dashurisë. Gjatë studimit ai zbuloi, se fëmijët e ndjejnë dashurinë vetëm të konkretizuar në diçka të prekshme. Kështu, nëse e pyet një fëmijë të vogël: “Si e kupton që prindërit të duan?”, ai do të përgjigjej: “Ngaqë më blejnë çokollata!”

Por nëse do i jepnim një çokollatë një adoleshenti, a do t’a konsideronte këtë si tregues dashurie? Sigurisht një adoleshent nuk do e konceptonte në këtë formë dashurinë.

Kështu, treguesit e dashurisë ndryshojnë dhe variojnë nga njëra moshë në tjetrën.  E përsëris dhe një herë, ata që e vlerësojnë sasinë e duhur dhe nevojat e fëmijës për dashuri, janë vetëm prindërit”.

Dashuria pa kufi, është më e mirë se privimi

Prof. Xhasim El-Mutava: ”Shoh që fillove t’a vështirësosh disi çështjen e dashurisë doktor i nderuar. Me këto që thatë të gjithë ne kemi filluar të mendojmë dhe planifikojmë kohën dhe vendin e duhur për t’u falur fëmijëve dhe familjes dashurinë e duhur. Kjo, edhe pse dashuria është e përhapur në familjet tona, ku atë e hasim sidomos tek nënat. Janë ato që i përqafojnë dhe përkëdhelin vazhdimisht fëmijët. Ato që përmendët ju më lart, duket sikur përmbajnë njëfarë hezitimi dhe planifikimi në dhënien e dashurisë!”

Dr. Beshir Salih Er-Reshidij: ”Unë uroj që dashuria të jetë e përhapur në çdo shtëpi dhe familje dhe kjo dashuri të jetë me shumicë. Unë jam kundër kufizimit të dashurisë dhe mendoj, që një dashuri me shumicë dhe tepricë është më e mirë se privimi nga kjo ndjenjë edhe pse një dashuri e tillë ka anët e saj negative. Prandaj, përqafimet, puthjet, ledhatimet, përkëdheljet, lëvdatat, stimulimet, prekjet, pëshpëritjet etj… janë tregues të dashurisë dhe duhet të jenë sa më prezente”.

Marrëdhëniet bashkëshortore janë marrëdhënie bashkëveprimi dhe shkrirjeje

Prof. Xhasim El-Mutava: ”Në një nga historitë që rrëfehen shpesh, është se një grua iu ankua të shoqit dhe i tha: “Ku janë fjalët e ëmbla të cilat i dëgjoja para se të martohemi? Tashmë nuk më thua asnjë nga ato fjalë”.

Burri iu përgjigj: “A ke parë ndonjë peshkatar që ta mbushë gojën e peshkut me ushqim, pasi t’a ketë kapur?” Cili është komenti juaj doktor i nderuar?”

Dr. Beshir Salih Er-Reshidij: ”Së pari, unë nuk pajtohem me marrëdhënie të tilla mes dy bashkëshortëve, të cilat nuk kanë përse të jenë marrëdhënie peshkatari dhe peshku, apo egërsire dhe preje. Në fakt, marrëdhëniet bashkëshortore duhet të jenë marrëdhënie, që karakterizohen nga harmonia, mirëkuptimi dhe shkrirja.

Së dyti, duhet të jetë gruaja ajo, që t’i thotë burrit fjalë të ëmbla, duke synuar që me këtë t’ia mësojë dhe të shoqit çfarë duhet të thotë, pasi kjo është një proçes shkrirjeje, kohezioni dhe bashkëveprimi mes dy partnerëve. Ai është A-ja, kurse ajo është B-ja. Të dy janë shkrirë dhe asimiluar në një të vetëm”.

Gruaja është krijesa më e aftë për të mësuar burrin

Prof. Xhasim El-Mutava: ”A është diçka e tillë e mundur dhe si mundet ajo t’a mësojë dhe edukojë të shoqin me fjalë të ëmbla, ndërkohë që ai rrjedh nga një ambjent dhe mjedis i ashpër dhe i thatë?”

Dr. Beshir Salih Er-Reshidij: “Unë nuk njoh dikë tjetër më të aftë sesa gruaja në mësimin e burrit. Sido që të jetë burri me natyrë të thatë, nëse gruaja dëshiron që t’a qetësojë dhe zbusë zemrën e burrit, e bën këtë në shumë forma, të cilat një burrë nuk mund t’i kuptojë. P.sh, nëse gruaja ia fal të metat burrit, e mbyll njërin sy dhe e pranon atë ashtu siç është, në mënyrë automatike ajo ka përcjellë tek i shoqi dashurinë dhe respektin që ndjen për të në mënyrën më praktike. Kush tjetër përveç gruas mund t’a mësojë një person me karakter të thatë dhe të ashpër? Këtë e them, edhe pse dyshoj në ekzistencën e një personi të tillë, kur flitet për dashuri.

Femra është burim, prej të cilit shpërthejnë lumenj dashurie dhe dhemshurie. Gjithësesi, dashuria duhet të jetë e ndërsjelltë mes dy bashkëshortëve. Ata duhet të dinë si t’a mbrojnë këtë dashuri dhe si t’a shprehin atë”.

Gruaja e kërkon dashurinë me rrugë materiale

Prof. Xhasim El-Mutava: ”Burri e shpreh dashurinë e tij me anë të shpenzimeve dhe të hollave që i jep të shoqes. Ndërkohë që femra kërkon, që t’i shprehet dashuria me anë të fjalëve të tilla si: “Të dua” “Më merr malli për ty” etj… gjë të cilën burri e ka të vështirë. Ai nuk kursen kur bie fjala për shpenzimet, shëtitjet dhe banimin, por është i kursyer me fjalët”.

Dr. Beshir Salih Er-Reshidij: ”Nëse me lejoni, doja të them që një sjellje e tillë, është forma që ndjek burri për t’i shprehur gruas dashurinë e tij. Femra e kërkon dhe ka nevoja dhe për diçka të tillë dhe jo vetëm për fjalë. Ajo ka nevojë për dikë, që shpenzon dhe harxhon për të, ka nevojë për dikë që e strehon, për dikë që i thotë të dua praktikisht dhe në mënyrë të prekshme. Logjika e femrës nuk përbëhet vetëm nga fjalë, por edhe nga vepra, sjellje dhe komunikim.

Po… nëse burri shpenzon dhe harxhon pa e shoqëruar këtë me ndjenja, kjo ëshë një mangësi. Gjithashtu, nëse ai ia shpreh asaj ndjenjat, por nuk shpenzon asnjë qindarkë për të shoqen, edhe kjo është një mangësi. Çfarë të bëjë me fjalët e tij në këtë rast? Ku t’i gjejë të hollat e duhura për nevojat e saj? Kështu, dashuria e vërtetë shprehet me anë të shpenzimeve të shoqëruara me fjalë të buta dhe të ëmbla”.

Dashuria është art që mësohet

Prof. Xhasim El-Mutava: ”Një burrë, ka kaluar dymbëdhjetë vite martesë me të shoqen, pa i thënë asaj asnjë fjalë dashurie. Gjatë një udhëtimi pune, atij i lindi një ide, që t’a marrë të shoqen në telefon dhe t’i thotë: ”Të dua dhe më ka marrë shumë malli për ty!” dhe në fakt ashtu veproi.

Por, ai mbeti i shtangur kur dëgjoi përgjigjen e të shoqes, e cila ia ktheu:”A tani u kujtove?!” dhe ia mbylli telefonin.

Kjo, në fakt ndodh shpesh, pasi gruaja është mësuar me një lloj jetese të caktuar dhe kur i shoqi përpiqet të ndryshojë diçka, ajo e ka të vështirë”.

Dr. Beshir Salih Er-Reshidij: ”Diçka e tillë konsiderohet art dhe teknikat e shprehjes së dashurisë mund të fitohen dhe mësohen, ashtu siç mësohen fushat dhe teknikat e tjera. Kompjuteri në vetvete është një aparaturë komplekse, interneti po ashtu, por nëse na sigurohet një ekspert i kësaj fushe, shumë kollaj ne mund t’a mësojmë përdorimin e kësaj teknologjie. E tillë është dhe shprehja e dashurisë, e cila ndryshon nga një ambjent në një ambjent tjetër”.

Fëmijët e masin dashurinë me parametra të prekshëm

Prof. Xhasim El-Mutava: ”Le të hyjmë pak në botën fëminore. Libri “Fëmijët pa probleme, janë lule pa gjemba” e autores “Moza Maliki”, profesore në universitetin e Katarit, më ka bërë shumë përshtypje. Ajo thotë në libër: ”Shumë familje, sidomos babai dhe nëna, mjaftohen me dashurinë e fshehtë, dashuri të cilën fëmija nuk mundet t’a përkthejë dhe t’a ndjejë. Nëse fëmija nuk e ndjen të konkretizuar dashurinë e prindërve dhe familjarëve të tjerë, me anë të puthjeve, përkëdheljeve, përqafimeve, fjalëve të ëmbla, buzëqeshjeve etj… fëmija do të ndihet i privuar nga ana emocionale, pasi gjatë gjithë kohës ai ka nevojë për këto forma të të shprehurit të dashurisë, si nga nëna ashtu dhe nga babai”.

Në një paragraf tjetër ajo shton:”Shumica e rasteve të deviacioneve, sidomos deviacionet në sjellje, lindin për shkak të mungesës së dhembshurisë, sigurisë dhe dashurisë gjatë fëmijërisë”.

Cili është mendimi juaj doktor i nderuar, mbi këto dy paragrafe?”

Dr. Beshir Salih Er-Reshidij: ”Besoj se faktet e lartpërmendura e konfirmojnë rëndësinë e ndjenjës së dashurisë tek njeriu, e cila shprehet jo vetëm me fjalë. Kjo tregon, se nëse duam të krijojmë lidhje të forta me fëmijët dhe të ndryshojmë disa sjellje të tyre, ne duhet që t’i duam, t’ua shprehim këtë dashuri, t’i përqafojmë, t’i puthim etj… Të duash me zemër dhe të mos e shprehësh është diçka e papranueshme tek fëmijët.

Unë dua t’i kthehem sërish doktor Ibrahim El-Khalefij dhe studimit të tij, në të cilin ai përmend dhe një ndodhi, e cila ka lidhje me këtë temë. Nëna e një fëmije i lexonte atij çdo natë nga një histori. Kjo vazhdoi për një kohë të gjatë, dhe nëna filloi t’i thotë djalit të saj: ”Kur do të rritesh, që të lexosh vetë dhe të shpëtoj unë?!”

Vitet kaluan dhe fëmija tashmë mësonte në klasën e tetë. Nëna e tij vazhdonte t’i lexojë histori, ndërkohë që ai vetë nuk mundej të lexojë as dhe një fjali të vetme. Më vonë, familja kuptoi që ky fëmijë kishte rezultate shumë të dobëta në lëndën e leximit. Shkaku i kësaj ishte, se nëna e tij i thoshte gjatë gjithë kohës: ”Kur do të rritesh, që të lexosh vetë..” Fëmija, duke menduar se atë ditë që do të lexonte vetë, e ëma do e braktiste, nuk do e ndjente më pranë, nuk do i merrte erë etj… nuk kishte mësuar të lexojë. Problemi nuk u zgjidh, derisa e ëma i premtoi, se nëse do të mësojë të lexojë, ajo do të ulej pranë tij dhe do të dëgjonte histori prej tij”.

Problemi i shërbyeseve

Një teleshikues nga Katari: ”Unë shoh se shërbëtoret, sidomos ato që vijnë nga vende të ndryshme, përbëjnë një problem dhe rrezik për edukimin dhe formimin e fëmijëve tanë. Fëmijët marrin dhe informohen prej tyre mbi çdo gjë, ndërkohë që prindërit janë të dy në punë. Përse të mos qëndrojë nëna në shtëpi me fëmijët e saj, duke u plotësuar nevojat që kanë në këtë moshë?”

Dr. Beshir Salih Er-Reshidij: ”Unë mendoj se shërbyeset janë një mirësi dhe begati e Zotit, ashtu siç është nafta dhe pasuri të tjera nëntokësore. Sfida jonë nuk është prezenca e tyre mes nesh, por është mënyra si duhet t’i përdorim dhe të përfitojmë prej tyre. Unë njoh shumë individë, të cilët kanë përfituar shumë nga prezenca e shërbëtoreve dhe kanë ditur t’i shfrytëzojnë për mirë”.

Katër mënyra për të shprehur dashurinë

Prof. Xhasim El-Mutava: ”Kameramani ynë, u drejtoi disa prindërve këtë pyetje: ”Përmendni katër forma, me të cilat u shprehni dashurinë fëmijëve tuaj!”

Përgjigjet ishin pothuaj të ngjashme dhe të tilla: ”Edukimi, respekti, normat fetare, plotësimi i kushteve, arsimimi etj..” Cili është komenti juaj doktor i nderuar?”

Dr. Beshir Salih Er-Reshidij: ”Unë dua t’ju kujtoj këtyre prindërve, që përgjigjet që kanë dhënë janë të papranueshme për botën e fëmijëve. Pothuaj të gjithë format dhe mënyrat e lartpërmendura, janë urdhëra dhe dispozita, bëje mos e bëj. Edhe pse ato janë të drejta dhe të vërteta, fëmija i kupton si shenja dhe sinjale urrejtjeje. Nëse duam t’i arsimojmë fëmijët, duhet ta bëjmë duke ua bërë të dashur shkollimin dhe arsimimin. Ne duhet t’i mësojmë, se periudha e pushimeve nuk është e mirë, pasi nuk përfiton dhe nuk mëson diçka të re dhe se shkolla është një mënyrë për t’u ndjerë komod dhe për të marrë informacionin e duhur në jetë”.

Dashuria në jetën e një fëmije të vetëm

Një teleshikues nga Katari: ”Ndonjëherë gruaja ime e rreh djalin tonë të vetëm, me pretekstin se nuk dëshiron, që ai të bëhet i përkëdhelur dhe i llastuar. Unë dua të di, si të sillem me këtë fëmijë të vetëm, me qëllim që të mos llastohet?”

Prof. Xhasim El-Mutava: ”Kjo nënë, ka krijuar një nocion dhe imazh të caktuar në mendje, për të cilin duhet të ulet me burrin e saj dhe fillimisht të përcaktojnë kuptimin e fjalës “i llastuar” dhe kush është një fëmijë i llastuar.

Në fakt unë personalisht përkrah ata, që bëjnë thirrje, se fëmija duhet llastuar dhe përkëdhelur, por me kufij. Dashuria duhet t’i ngjajë një deti, ku të notojë e gjithë familja. Jeta nuk është e gjitha urdhëra, ndalesa dhe ekzekutime. Fëmijëve nuk mund t’u jepet dashuria e duhur me anë të ndëshkimit, kërcënimit dhe frikës, por me anë të stimulimit.

Kështu, fillimisht dhe në një rast të tillë, duhet të njihemi me mentalitetin e nënës dhe të konceptit të saj mbi llastimin.

Së dyti, duhet të ndërgjegjësohemi, që çdo sjellje mund të ndryshohet vetëm me dashuri.

Përsa i përket pyetjes së fundit, mbi mënyrën më efikase të edukimit të fëmijës së vetëm, dua t’a konfirmoj dhe një herë, që dashuria jepet sipas nevojave të fëmijës. Ajo nuk ndryshon nga një fëmijë apo dhjetë”.

Shkaqet që e bëjnë burrin të mos e shprehë dashurinë me fjalë

Një teleshikues nga Algjeria: ”Cilat janë shkaqet psikologjike, të cilat e pengojnë një burrë, që dashurinë t’a shprehë me fjalë?”

Dr. Beshir Salih Er-Reshidij: ”Kjo është një pyetje e drejtë, por që unë nuk mund të jap një përgjigje, pasi njerëzit kanë karaktere dhe natyra të ndryshme. Çdo njeri lind dhe jeton në një ambjent, nga i cili formohet, vjen nga një kulturë e ndryshme, temperament i ndryshëm etj… Ne i bëjmë thirrje çdo burri, që t’a shfaqë dashurinë e tij për gruan, në çdo formë qoftë, pa përmendur diçka të caktuar. Nëse ti e ke pranuar t’a duash gruan tënde, atëherë shfaqe këtë dashuri në një formë, e cila të përshtatet ty”.

Një grua që nuk i thotë burrit fjalë dashurie

Një teleshikues nga Kanadaja: ”Unë vuaj nga fakti, që gruaja ime nuk më thotë fjalë të ëmbla dhe fjalë dashurie”.

Prof. Xhasim El-Mutava: ”Besoj se shqetësimit të teleshikuesit i duhet kushtuar një vëmendje e veçantë prej nesh. Unë nuk e pranoj faktin, që gruaja duhet vetëm të marrë dhe të mos japë dashuri. Shprehja e dashurisë duhet të jetë e ndërsjelltë, duhet të ketë marrje dhe dhënie, bashkëveprim dhe bashkëpunim mes dy partnerëve. Jo njëri të japë dhe tjetri të marrë. Nëse burri e ka të vështirë të shprehet me fjalë dashurie, rolin e mësuesit në këtë rast duhet t’a marrë gruaja. Por kjo nuk duhet të bëhet me imponim, por me dashuri. Besoj se gjëja më e shtrenjtë që një burrë kërkon prej gruas së tij, është besimi në aftësitë e tij.

E përsëris dhe një herë, njerëzit kanë karaktere dhe janë të kategorive të ndryshme. Ka prej tyre, që kanë nevojë për mbështetje materiale, disa të tjerë vlerësojnë lëvdatat, të tjerë marrëdhëniet seksuale etj… Profeti Muhamed a.s ka thënë në një hadith: ”Gruaja merret për katër gjëra: Bukurinë, pasurinë, farefisin dhe fenë…”

Çdo njeri kërkon cilësitë që i përshtaten karakterit të tij. Secili nga partnerët duhet të informohet mbi atë që dëshiron partneri tjetër, edhe pse kjo nuk është e lehtë. E përsëris, kërkesat e njërit nga partnerët mund të ndryshojnë nga një kohë në tjetrën”.

Një teleshikuese nga Kuvajti: ”Përveç sjelljeve dhe komunikimit, nga burrat ne presim dhe fjalën e ëmbël dhe të ngrohtë”.

Dr. Beshir Salih Er-Reshidij: ”Është pikërisht kjo ajo që theksuam dhe më lart. Kush nuk di, mund të mësohet. Ptofeti a.s ka thënë: ”Dija fitohet duke mësuar dhe urtësia duke e ushtruar atë”.

Prof. Xhasim El-Mutava: ”A është e mundur, që dikush të mësojë mbi dashurinë, edhe pse i ka kaluar të pesëdhjetat apo gjashtëdhjetat?”

Dr. Beshir Salih Er-Reshidij: ”Unë mendoj, që sa më i shtyrë të jetë në moshë, aq më të kollajtë e ka njeriu, që të mësojë diçka mbi artin e të dashuruarit. Unë nuk jam me fjalën e urtë kuvajtiane, që thotë: ”Sa më shumë të vjetërohesh, lehtësohesh (nga trutë)”. Edhe të moshuarit e kanë të lehtë të mësojnë, por duhet të kenë vullnet dhe dëshirë”.

Xhelozia tek fëmijët

Një teleshikuese nga Bahrejni: ”Vajza ime është e përkëdhelur, pasi është dhe fëmija i parë. Më vonë asaj i lindën vëllezër të tjerë dhe është normale që të vegjëlve t’ju kushtohet një kujdes më i veçantë. Por kjo e bëri atë xheloze dhe të papërmbajtshme, pasi uërin dhe krijon situata të pakëndshme. Si duhet të veproj?”

Prof. Xhasim El-Mutava: ”Në një rast të tillë nuk ka përse t’a fajësojmë vajzën. Ajo humbi dashurinë, vëmendjen dhe kujdesin që tregohej më parë për të. Mendoj se zgjidhja është e lehtë, duke i falur më shumë dashuri dhe duke i kushtuar më shumë vëmendje. Veç kësaj, nuk i duhet kushtuar vëmendje sjelljeve negative të saj në raste xhelozie. Besoj se shumë shpejt ajo do t’a kalojë një situatë të tillë në dashtë Zoti. Gjithashtu unë të këshilloj, që t’i kushtosh pak kohë vetëm asaj, të dalësh vetëm me të shëtitje, të bisedoni vetëm për vetëm, ku t’a kaloni mirë. Edhe nëse sillet keq ndonjëherë, përpiqu t’i injorosh këto sjellje. Kërkoji që të të ndihmojë në përkujdesjen për fëmijët e vegjël, gjë e cila do e bëjë të mos ndihet e injoruar”.

Dr. Beshir Salih Er-Reshidij: ”Unë njoh një grua, e cila ua ndan vajzave detyrat dhe i ngarkon me përgjegjësi të ndryshme. Dikush është ndihmëse, dikush kujdeset për buxhetin e shtëpisë, dikusht tjetër për ushqimin etj…”

Mysafirja e shtëpisë

Një teleshikuese nga Gjermania: ”Vajza e burrit tim është gjashtëmbëdhjetë vjeçe dhe të them të vërtetën, fëmijët e mi i dua më shumë se atë. Burri, duke e ndjerë diçka të tillë, ka filluar t’a preferojë dhe t’a dojë atë më shumë. Kjo bëri, që të lindin zënka dhe konflite në familje. Çfarë duhet të bëj?”

Dr. Beshir Salih Er-Reshidij: ”Kjo vajzë tashmë është e rritur dhe unë mendoj, se problemi qëndron në mënyrën se si e trajton ti atë. Ti mund t’a trajtosh dhe konsiderosh atë si vajzën tënde, e edukon dhe kërkon prej saj të të bindet siç të binden vajzat e tua dhe mund t’a ndëshkosh siç bën me fëmijët e tu. Por çfarëdo që të bësh dhe sido që të përpiqesh, ajo nuk të konsideron ty si nënën e saj. Kjo ndodh, pasi ti në fakt, si ligjërisht, fetarish dhe realisht nuk je nëna e saj. Ti duhet të fillosh t’a ndryshosh imazhin e krijuar në mendje. Konsiderojë atë si një mysafire, shoqe, motër etj.. dhe sillu mirë dhe me të butë ndaj saj”.

Si e kupton që burri të do?

Prof. Xhasim El-Mutava: ”Kameramani ynë doli në rrugë dhe u drejtoi disa grave këtë pyetje: ”Si e kupton që burri të do?”

Përgjigjet ishin të ndryshme, kishte prej tyre që thonin: “Nga fjalët që më thotë”. Të tjera mendonin, se sjelljet e tij në shtëpi ishin tregues i dashurisë ose jo, të tjera mendonin si shenjë dashurie plotësimin e dëshirave dhe tekave etj… Cili është komenti juaj doktor i nderuar?”

Dr. Beshir Salih Er-Reshidij: ”Mendoj se këto përgjigje ishin më pranë realitetit. Uroj që e njëjta pyetje t’ju drejtohet dhe burrave.

Përsa i përket anketimit, dua të them që gruaja ka dy proekupime kryesore: Materiale dhe emocionale. Asnjëra nuk mund të bëjë pa tjetrën dhe sfida e vërtetë këtu është, të kuptosh nevojën e partnerit, burri qoftë apo gruaja dhe çfarë ka në mendje. Normalisht, kjo është diçka që nuk thuhet, por duhet të zbulohet”.

Si të sillemi me fëmijët grindavecë dhe të prapë?

Një teleshikuese nga Bahrejni: ”Djali im i madh është nëntë vjeç dhe mesa duket kam dështuar në edukimin e tij. Ai është shumë nevrik, nuk ma vë veshin, rreh fëmijët më të vegjël etj.. Kjo më bën, që edhe unë t’a ndëshkoj dhe t’a rrah atë”.

Dr. Beshir Salih Er-Reshidij: ”Ashtu siç kemi nevojë për një instruktor dhe seanca të veçanta për të mësuar drejtimin e makinës, madje mund të bëjmë dhe gabime të shumta gjatë kursit, kemi nevojë që edhe artin e komunikimit t’a mësojmë dhe ushtrojmë.

Sa më shpesh që t’a rrahësh djalin, aq më shumë do i përdorë ai grindjet dhe prapësitë si mjet për t’u hakmarrë dhe për të tërhequr vëmendjen tënde, sepse sipas përvojës së tij vetëm një mënyrë e tillë e të sjellurit tërheq vëmendjen tënde. Duke dashur të duket si burrë, ai i rreh dhe i godet fëmijët e vegjël. Pastaj vjen ti si siperfuqi dhe e rreh, madje e bën këtë në sy të njerëzve të tjerë. A e mendon si mund të ndihet djali yt në ato çaste?!

Zgjidhja e kësaj çështjeje qëndron në faktin, se ti duhet t’a kontrollosh veten dhe nervat e tua. Në Bahrejn zhvillohen shumë kurse trajnimi mbi komunikimin me fëmijët dhe edukimin e tyre. Unë të këshilloj, të marrësh pjesë në këto kurse”.

Përpiqu t’i injorosh gabimet dhe prapësitë e tij, të cilat i bën për të tërhequr vëmendjen tënde. Merre me të mirë, sillu me të butë, duaje dhe mbështete”.

Edukimi me dhunë

Një teleshikuese nga Arabia Saudite: ”Djali im i madh është trembëdhjetë vjeç dhe babai i tij sillet shumë ashpër me të dhe e rreh, jo siç vepron me fëmijët e tjerë. Djali e ndjen një diferencë të tillë. Kur i kërkoj tim shoqi të sillet më butë, ai më thotë: ”Unë i edukoj fëmijët e mi sipas mënyrës time”. Çfarë duhet të bëj unë?”

Dr. Beshir Salih Er-Reshidij: ”Padyshim që nëna duhet të luajë një rol në zgjidhjen e këtij problemi. Ti duhet t’a mbushësh dhe rrethosh me dashuri e dhembshuri këtë fëmijë të keqtrajtuar, më shumë se fëmijët e tjerë. Ti duhet të përpiqesh, që t’ia kompesosh nevojën për dashuri. Veç kësaj, duhet të krijosh marrëdhënie të veçanta me këtë djalë, të ulesh vetëm për vetëm me të, të diskutosh, t’a përqafosh, puthësh etj… me qëllim që të ndihet i rëndësishëm dhe ta ndjejë që dikush përkujdeset për të. Gjithashtu, ti duhet të jesh hallka lidhëse mes tij dhe të atit, duke ia bërë të qartë, që babai i do të mirën, por që ka gabuar në rrugën që ndjek për t’a edukuar. Njëkohësisht, duhet të përpiqesh që t’a bindësh me mirësjellje të atin që të ndryshojë sjellje”.

Dallimet kulturore në shprehjen e dashurisë

Një teleshikuese nga Katari: ”Im shoq, jo që nuk më thotë asnjë fjalë të ëmbël dhe të ngrohtë, por as nuk më falenderon dhe lëvdon kurrë për ushqimin, që i pregatis dhe shërbimet e tjera. Çfarë më duhet të bëj, që ai të shprehë ndjenjat e tij për mua?”

Dr. Beshir Salih Er-Reshidij: ”Besoj se kjo çështje ka të bëjë me kulturën dhe ambjentin, ku ka lindur dhe është rritur. Kohët e fundit ne jemi nën presionin e mediave vizive dhe të shkruara. Ka nga ata njerëz, të cilët i kanë pranuar dhe përthitur siç janë. Ka të tjerë, që kanë vendosur barriera mes vetes dhe informacionit, që përcjellin këto media.

Gruaja e ka të mundur, që t’a mësojë të shoqin e saj dhe t’ia mësojë mirësjelljen dhe shprehjen e ndjenjave. Veç kësaj, ajo duhet të jetë e durueshme, pasi diçka e tillë i ngjan kultivimit të pemës. Ajo ka nevojë për punime, vaditje, krasitje dhe kohë. Sa herë që të dëgjosh prej tij ndonjë fjalë të mirë, gëzohu, sado e vogël qoftë ajo”.

Dashuria për jetimin

Një teleshikuese nga Dubai: ”Kushërira e burrit tim (goca e xhaxhait) është katërmbëdhjetë vjeç. Ajo jeton me ne, pasi nuk i ka prindërit. Ne e duam dhe përkujdesemi maksimalisht për të, megjithatë ajo është inatçore dhe e çuditshme. Një herë ajo më kërkoi të shkonim në kinema dhe unë pranova, edhe pse nuk i pëlqej vende të tilla, por e bëra për t’a kënaqur”.

Dr. Beshir Salih Er-Reshidij: ”Kjo është një vajzë jetime dhe duhet t’a dish, që sa më mirë të sillesh me të, aq më shumë do të shpërblehesh nga Zoti. Po ashtu do të shpërblehesh dhe për durimin që tregon ndaj saj. Me vajtjen tënde në kinema, ke bërë një gjest të mrekullueshëm. Vetë kërkesa e saj për t’a shoqëruar në kinema, është tregues që ajo të do. Duhet të jesh e bindur, që Zoti kurrë nuk do e çojë dëm mundin, djersën dhe durimin tënd. Përpiqu që t’i falësh sa më shumë dashuri dhe ngrotësi”.

Dashuri si nyja e litarit

Prof. Xhasim El-Mutava: ”Një herë, Aisheja e pyeti të dërguarin e Allahut: ”Si e përshkruan dashurinë tënde për mua o i dërguar i Zotit?”

Profeti a.s iu përgjigj :”Si nyjen e litarit!”

Aisheja e pyeti sërish: ”Si është nyja tani o i dërguari i Zotit?”

Profeti a.s iu përgjigj: ”Siç ka qenë o Aishe!”

Më pas, Profeti a.s i tha: ”Nuk më vjen keq nëse vdes, pasi më është premtuar, se ti do të jesh gruaja ime në xhenet”.

Në fund, e falenderojmë doktor Beshirin për informacionin e dhënë dhe derisa lumturia të kthehet në traditë, u përshëndesim: Paqja e Zotit qoftë mbi ju!”

LEAVE A REPLY

Please enter your comment!
Please enter your name here