Falënderimet qofshin vetëm për Allahun. Paqja dhe shpëtimi qofshin për të dërguarin Muhamed, për familjen e tij, si dhe për të gjithë pasuesit e tij deri në Ditën e Gjykimit.
A dëshironi që të keni paqe, siguri dhe gëzim?
Ju duhet t’i kërkoni falje Allahut të plotfuqishëm, sepse Ai thotë: “E të kërkoni falje Zotit tuaj dhe pendohuni (kthehuni) tek Ai, se Ai do të ju mundësojë përjetime të mira (në këtë jetë) deri në një afat (të caktuar) dhe çdo punëmiri i jep shpërblimin e merituar…” Hud, 3.
A dëshironi të keni një trup të fortë dhe të shëndetshëm, pa sëmundje dhe aftësi të kufizuara?
Ju duhet t’i kërkoni falje Allahut të plotfuqishëm, sepse Ai thotë: “…Kërkoni falje prej Zotit tuaj dhe kthehuni Atij (me pendim). Ai ju lëshon shi me bollëk dhe fuqisë suaj i shton fuqi, e mos refuzoni e të bëheni mëkatarë!” Hud, 52.
A doni të jeni larg fatkeqësive dhe aksidenteve, të jeni të sigurt nga ngatërresat dhe dilemat?
Ju duhet t’i kërkoni falje Allahut të plotfuqishëm, sepse Ai thotë: “Po Allahu nuk do t’i dënojë ata, derisa ti (Muhamed) je në mesin e tyre dhe Allahu nuk do t’i dënojë, derisa ata kërkojnë falje (istigfarë).” Enfal, 33.
A dëshironi të keni shi me bollëk, fëmijë të drejtë, para të ligjshme dhe ushqim të zgjeruar?
Ju duhet t’i kërkoni falje Allahut të plotfuqishëm, sepse Ai thotë: “…Kërkoni falje Zotit tuaj, se Ai vërtet falë shumë. Ai ju lëshon nga qielli shi me bollëk, ju shumon pasurinë dhe fëmijët, ju bën të keni kopshte dhe ju jep lumenj.” Nuh, 10-12.
A dëshironi që mëkatet tuaja të jenë falur dhe shpërblimet tuaja të jenë rritur?
Ju duhet t’i kërkoni falje Allahut të plotfuqishëm, sepse Ai thotë: “E kur ju thamë: ‘Hyni në këtë fshat (vendbanim), dhe hani në të lirisht ku të dëshironi, e hyni në derën (e fshatit) të përulur dhe thoni: “Hittatun” – ndjesë.’ Ne ua falim mëkatet tuaja, e bamirësve ua shtojmë shpërblimin.” El Bekare, 58.
Të kërkuarit falje Allahut është ilaç i suksesshëm për të fshirë mëkatet. Kjo është arsyeja që Profeti, salallahu alejhi ue selem, na ka urdhëruar për të kërkuar shpesh faljen e Allahut të madhëruar. Pejgamberi, salallahu alejhi ue selem, ka thënë: “O njerëz! Kërkoni falje nga Allahut dhe pendohuni Atij! Unë kërkoj faljen e Allahut dhe i pendohem Atij njëqind herë në ditë.”
Allahu i madhëruar është i kënaqur me atë që kërkon faljen e Tij. Është i kënaqur me faktin se si ky person e pranon mëkatin e tij, kur thotë: “O Allah! Unë kam bërë një gabim dhe unë kam qenë neglizhent në të drejtat karshi Teje dhe vetes sime, duke lejuar që unë dhe shpiti im të tundohem nga djalli i mallkuar, i cili është urdhërues i vazhdueshëm në të keqe. I mbështetur në mëshirën Tënde, faljen dhe vetëpërmbajtjen, unë të drejtohem Ty i penduar, duke shprehur keqardhje për mëkatin. Më fal mua! M’i fshi mëkatet dhe gabimet e mia, se unë nuk kam ndonjë Zot tjetër përveç Teje. O Allah! Edhe nëse mëkatet e mia janë të rënda, falja jote është e madhe dhe më e plotë.”
Përktheu: Erion Sulo