Pijet alkoolike, droga dhe rreziku i tyre

0
220

O robër të Allahut!

Nuk ka dyshim se një nga krimet dhe problemet më të mëdha që është përhapur si kanceri në shoqëritë tona –që ka tronditur fenë dhe moralet, ka shkatërruar virtytet dhe pasurinë, ka përhapur krimin dhe shkatërruar familjet-, është dhe dhënia pas alkoolit e drogës.

Alkooli dhe droga janë një katastrofë e vërtetë dhe një vepër e shëmtuar, që ka shkatërruar të rinjtë tanë, ka çuar dëm pasuritë, është bërë shkak për vrasje si dhe ka tronditur jashtë mase qetësinë dhe sigurinë tonë.

Jo më kot njerëzit e logjikshëm në të gjitha kohërat e kanë quajtur alkoolin “nëna e të këqijave”, madje njerëzit e mençur nuk e kanë konsumuar edhe nëse nuk kishin fe. Ndërsa kur erdhi feja Islame, Allahu e ndaloi alkoolin në librin e Tij, po ashtu e ndaloi edhe i dërguari i Allahut i cili ka thënë: “Ajo e cila të deh me shumicë edhe pakica e saj është e ndaluar”. Njëherë vjen te Profeti -salallahu alejhi ue selem- një burrë nga Jemeni dhe e pyeti për një pije të cilën e përdornin në vendin e tij. Profeti i tha: “A të deh ajo? Po- iu përgjigj pyetësi. Atëherë Profeti -salallahu alejhi ue selem- tha: “Allahu i ka përgatitur pirësit të pijeve alkoolike se do t’i japë atij për të pirë nga balta e qelbur. Njerëzit pyetën: O i dërguar i Allahut, çfarë është balta e qelbur? “Lëngu që del nga mishi i djegur i banorëve të zjarrit”. (Trs. Muslimi)

Ndërsa në një hadith tjetër Profeti -salallahu alejhi ue selem- ka thënë: “Kush i beson Allahut dhe Ditës së Gjykimit, të mos ulet në një sofër ku pihet pije alkoolike”. (Trs. Tirmidhiu)

Pirja e pijeve alkoolike dhe e drogës, është një gjynah i madh, ajo është shkaku i shumë të këqijave, aq sa Allahu e ka mallkuar atë, ka mallkuar gjithashtu prodhuesin, atë për të cilin prodhohet, atë që e pi, atë që e transporton, atë për të cilin transportohet, shitësin e saj, atë që e blen, atë që e shërben dhe atë që i shërbehet, si dhe atë që përfiton prej të ardhurave të saj.

Pirja e pijeve alkoolike dhe drogës e bën njeriun më të guximshëm në kundërshtimin e Allahut, sikurse e bën atë të mos i marrë në konsideratë krimet, e gjitha kjo vjen sepse alkooli dhe droga shkatërrojnë arsyen, të marrin mendjen dhe e bëjnë njeriun shtazarak. Abdullah ibn Amër përcjell se Profeti -salallahu alejhi ue selem- ka thënë: “Një mbret prej bijve të Izraelit mori një burrë dhe e la të zgjedhë mes tre veprave: të pinte alkool, të vriste një fëmijë, apo të hante mish derri, ose në të kundërt do ta vrisnin. Ky burrë zgjodhi të pinte alkool, por kur e piu atë u deh dhe më pas i kreu të gjitha ato që i kërkuan”. (Trs. Taberniu, Hakim)

Sot janë shtuar në masë grupet kriminale të cilat shpërndajnë lëndët narkotike e prodhojnë pije alkoolike, ata përpiqen të përhapin të keqen në mesin e shoqërisë sonë, të cenojnë sigurinë, si dhe të kërcënojnë familjet tona, duke shtuar kështu vrasjet, marrjen e nderit dhe çthurjen i rinisë.

O ju njerëz! Të këqijat e pijeve alkoolike dhe drogës janë të shumta, prej tyre:

Një: Konsumimi i pijeve alkoolike dhe drogës, si dhe shpërndarja e tyre, është si t’i kesh hapur luftë Allahut, Krijuesit tënd dhe është një mëkat i hapur e i qartë. Ata që e bëjnë një gjë të tillë kanë tërhequr mbi vete mallkimin e Allahut, urrejtjen dhe dënimin e Tij. Kjo është një armiqësi e qartë ndaj Allahut dhe ligjit të Tij, si dhe është një nga gjynahet më të mëdha me të cilat është kundërshtuar Allahu, sepse ai që pi e dehet, ka humbur logjikën e kontrollin, bëhet shkak për vrasje, humbje jetësh, nëpërkëmbje nderesh dhe veprime të tjera të këqija.

Dy: Me pirjen e pijeve alkoolike dhe drogës, humbet arsyeja, e cila është një nga mirësitë më të mëdha që Allahu i ka dhuruar njeriut, kështu që në momentin që kjo mirësi largohet, njeriu bie në humnerën e shthurjes, i paraqitet zemërimit dhe mallkimit të Allahut. Allahu thotë për të zotët e mendjes: وَمَا يَذَّكَّرُ إِلَّا أُولُو الْأَلْبَابِ “Por këtë nuk e kupton tjetër kush, përveç njerëzve të mençur”. [Bekare 296]. Ndërsa për banorët e Zjarrit thotë: “Ata do të thonë: “Sikur të kishim dëgjuar ose menduar, nuk do të ishim midis banorëve të Zjarrit Flakërues!” [Mulk: 10]

Ai i cili është shkak për largimin e logjikës dhe humbjen e arsyes e ka zbritur veten e tij në rangun e shtazëve të cilat nuk kuptojnë, ai e ka zhvlerësuar veten, e ka humbur burrërinë, është zhveshur nga turpi e nuk ka as besim e as mirësi në të.

Tre: Përdorimi i pijeve alkoolike dhe drogës është shkak për gjakderdhje dhe përdhosje nderi. Çdo ditë dëgjojmë për krime rrëqethëse, të cilat kryhen nga grupe të droguara, këtyre njerëzve nuk u ka mbetur asnjë vlerë, ata kanë tronditur qetësinë e shoqërisë tonë, kanë frikësuar robërit e Allahut dhe kanë tejkaluar kufijtë; e lusim Allahun ta pastrojë shoqërinë tonë prej vesit të tyre.

Sa i përket nderit, nuk ka dyshim se mëkati më i madh pas alkoolit është imoraliteti, dhe ai në shumë raste vjen pasi njeriu e humb logjikën dhe arsyen. Sa e sa narkomanë e të droguar në ndikimin e drogës kanë abuzuar në nderin e grave të dëlira e të pastra, sa e sa të mitura janë përdhunuar prej tyre, sa familje janë shkatërruar, e sa buzëqeshje janë fishkur, sa vajza kanë humbur nderin, vajzërinë, madje gjënë më të shtrenjtë e më të çmuar të tyre “dëlirësinë dhe virgjërinë”.

O njerëz!

Konsumimi i drogës në shoqëritë tona dhe rinia jonë, do të thotë që ne jemi të destinuar të jetojmë në një atmosferë frike e terrori, për shkak të pasigurisë që vjen nga këta njerëz; kjo do të thotë që të mos jemi të sigurt në shtëpitë tona, të mos jemi të sigurt në punën tonë, të mos jemi të sigurt për gratë dhe vajzat tona. Kjo do të thotë që këto grupeve kriminale mund të rrëmbejnë edhe fëmijët tanë e t’i bëjnë ata gjah të tyre.

E lus Allahun të na ruajë ne dhe ju nga rënia në gjynahe, të na dhurojë frikën ndaj Tij dhe përkushtim, të na japë siguri në familjet, fëmijët dhe pasurinë tonë.

II

Falënderimi i takon Allahut, paqja dhe lavdërimet e Allahut qofshin mbi vulën e Profetëve Muhamedin, familjen e tij, shokët e tij dhe të gjithë ata që ndjekin rrugën e tij deri në ditën e gjykimit.

O muslimanë! Frikësojuni Allahut se frika ndaj Tij është shpëtim e lumturi në këtë botë, siguri e qetësi në Ditën e Gjykimit dhe ajo është furnizimi më i mirë që mund të marrë njeriu për udhëtimin e Ahiretit. Allahu thotë: “Dhe ju furnizohuni, dhe nuk ka dyshim se furnizimi më i mirë është frika ndaj Allahut”.

Në realitetin ku jetojmë është për të ardhur keq që gjen në mesin e muslimanëve të tillë të cilët ende kanë mbetur në rrjetat e alkoolit e drogës, duke mos hequr dot dorë prej tyre, e duke mbetur të varur nga këto vese të shëmtuara. Por e keqja bëhet më e madhe kur mungon ndërgjegjja dhe të tillët justifikohen se konsumimi i tyre në sasi të vogla nuk është i dëmshëm dhe për rrjedhojë kjo nuk bie në kundërshtim as me fenë. Njerëzve të tillë shejtani ua ka hijeshuar të keqen, mëkatin ua ka bërë të mirë e të ëmbël; këta njerëz nuk e kuptojnë se po pasojnë këshillat e armikut të tyre Allahu thotë: “Mos i pasoni hapat e shejtanit, vërtet shejtani për ju është një armik ndaj edhe ju konsiderojeni atë si të tillë”.

Madje Allahu i lartësuar thotë qartë në Suren Maide:

يا أيها الذين آمنوا إنما الخمر والميسر والأنصاب والأزلام رجس من عمل الشيطان فاجتنبوه لعلكم تفلحون* إنما يريد الشيطان أن يوقع بينكم العداوة والبغضاء في الخمر والميسر ويصدكم عن ذكر الله وعن الصلاة فهل أنتم منتهون

“O besimtarë! Me të vërtetë, pijet alkoolike, bixhozi, idhujt dhe shigjetat e fallit janë vepra të ndyta nga punët e djallit. Prandaj, largohuni nga këto, me qëllim që të shpëtoni! Vërtet, djalli me pije alkoolike dhe me bixhoz kërkon që të fusë midis jush armiqësi e urrejtje dhe t’ju shmangë nga të kujtuarit e Allahut dhe kryerja e namazit. Prandaj, a po hiqni dorë? [Maide: 90-91].

Sahabët e Profetit Muhamed -salallahu alejhi ue selem- kur zbriti ky ajet thanë: “Hoqëm dorë Zoti ynë hoqëm dorë”.

Ata iu përgjigjën menjëherë urdhrit të Allahut, aq sa kishte prej tyre, siç tregon Enesi, që ishin duke pirë pije alkoolike e ende nuk u kish ardhur lajmi, kur e morën vesh se ai ishte bërë haram, ndonjëri e kishte pijen në gojë, nuk e kaloi poshtë por e hodhi menjëherë. Rrugët e Medines u lagën nga pijet alkoolike dhe vera, të gjithë që kishin pije alkoolike dhe verë e derdhën atë menjëherë.

Përse nuk i përgjigjemi edhe ne Allahut në këtë mënyrë? A nuk dëshirojmë edhe ne sikur ata Xhenetin? A nuk i frikësohemi dënimit të Allahut dhe zjarrit?

O të rinjtë musliman!

Mos t’iu mashtrojë shejtani duke ua zbukuruar pijet alkoolike dhe drogën, në to nuk ka vetëm se të këqija. Frikësojuni Allahut e largohuni nga këto vese sot sa nuk është vonë, largohuni e pendohuni sot sa ende dera e pendimit është e hapur, largohuni nga shoqëria e cila konsumon pije alkoolike e drogë, madje nga çdo vend ku shërbehen e përmenden ato për mirë.

Përgatiti: Bledar Haxhiu – Lidhjahoxhallareve.com

LEAVE A REPLY

Please enter your comment!
Please enter your name here