Ja pasojat e moskryerjes së namazit

Ja pasojat e moskryerjes së namazit

Lavdërimi e falënderimi i takon vetëm Allahut, Zotit të botëve. Paqja qoftë mbi të Dërguarin e Allahut, Muhammedin, mbi familjen e tij, mbi sahabët, mbi ne dhe mbi të gjithë adhuruesit e Allahut!

Fatkeqësisht, kohët e fundit po hasim në besimtarë, të cilët nuk falen, madje ka prej tyre që as nuk e dinë se falja (namazi) është kushti i dytë për të qenë musliman, pas dëshmisë se nuk ka zot tjetër përveç Allahut dhe se Muhammedi është i dërguari i Tij. Për këtë, gjithsesi kanë ndikuar shumë edhe rrethanat shoqërore, por tani, kur ekziston një literaturë mjaft e pasur, që sqaron kushtet për të qenë besimtar, është e palogjikshme që në Ditën e Gjykimit të dilet me arsyen se nuk e kam ditur se duhej të falesha. Por a thua mund t’i fshehim gjë Allahut (xh.sh.), që e di të dukshmen dhe të fshahtën?! Besojmë se kjo afishe, që flet për pasojat e moskryerjes së namazit, do të mirëpritet nga lexuesit e nderuar.

Pyetje: Si duhet ta trajtojmë individin, i cili thotë se është musliman, por nuk falet dhe nuk agjëron? A duhet ta përshëndesim me “selam” dhe kur të vdesë t’ia falim xhenazen?

Përgjigjet dr. Jusuf Kardaui: Kjo i ngjan shembullit të njeriut, që caktohet nga shoqëria për të kryer një detyrë, për të cilën do të shpërblehet, nëse e kryen në rregull, por edhe bëhet përgjegjës për kryerjen e saj. Por, nëse ky njeri nuk e kryen detyrën e besuar, edhe pse është i aftë mendërisht dhe fizikisht, d.m.th. e lë punën pa arsye, atëherë ky njeri mund të gjykohet:

Duke e larguar nga vendi i punës, ngaqë nuk e kreu detyrën;

Me dënim më të butë se largimi nga puna, nëse nuk i ka nënçmuar hapur, përpara të tjerëve detyrimet e veta.

Ky është qëndrimi i dijetarëve islamë për muslimanin, që me vetëdije nuk i kryen detyrimet fetare e veçanërisht faljen e pesë kohëve. Disa prej dijetarëve mendojnë se detyrimi themelor i çdo muslimani, madje i çdo njeriu në jetën e tij është vetëm përulja ndaj Allahut (xh.sh.). Mosnën­shtrimi ndaj Allahut (xh.sh.) konsiderohet si tradhëti e detyrimit themelor të një muslimani. Për këtë arsye, një njeri që nuk i nënshtrohet Allahut, nuk meriton që ta mbajë emrin musliman e as të jetë nën mbrojtjen e Islamit. Këtë mendim e përforcon edhe ky hadith i besueshëm:

“Ajo që na dallon nga ata (jobesimtarët) është namazi; kush e lë namazin, bëhet jobesimtar.”

Disa dijetarë të tjerë mendojnë se individi që e ka lënë pas dore një detyrë islame, por nuk e përbuz atë, e kryen atë kohë pas kohe, pendohet për parregullsitë e veta dhe synon të përmirësohet, do të trajtohet si musliman.

Sipas kësaj që u tha deri tani, del se ata nuk falen për dy shkaqe:

1. Mohojnë se falja është detyrim dhe nuk i kushtojnë kurrfarë rëndësie asaj. Sipas mendimit të të gjithë dijetarëve islamë, njerëzit e tillë konsi­derohen jobesimtarë, sepse rëndësia e namazit në Islam është e njohur. Pra, kushdo që e mohon, e nënçmon dhe e përgënjeshtron urdhrin e Allahut dhe të të Dërguarit të Tij, konsiderohet jobesimtar, në zemrën e tij nuk ka besim as sa kokrra e grurit. Për këta njerëz Allahu (xh.sh.) thotë:

“… Atij, që kundërshton Allahun dhe të Dërguarin e Tij, i takon zjarri i Xhehen­nemit dhe aty mbetet përgjithmonë.” (Xhinn, 23)

“Dhe kur i thërrisni për t’u falur, ata e marrin për tallje e lojë. Këtë e bëjnë për arsye se janë njerëz që nuk kuptojnë.” (Maide, 58)

Këto ajete e përshkruajnë mjaft mirë pozitën e atyre, që namazin dhe adhurimet (ibadetet) e tjera i konsiderojnë si shenjë prapambeturie e rënieje dhe i përqeshin ata që falen.

2. Nuk e kryejnë faljen nga përtacia e sepse janë dhënë vetëm pas kësaj bote, shkojnë pas epsheve të veta dhe mashtrimeve të ndryshme të shejtanit. Rreth kësaj çështjeje dijetarët islamë kanë dhënë këto mendime:

Ebu Hanife: “Një njeri i tillë duhet të kon­siderohet mëkatar dhe është e domosdoshme që të riedukohet me rrahje, të gjakoset e pastaj të veço­het (izolohet), derisa të fillojë të falet. Kështu do të veprohet edhe me atë njeri që, pa shkak të arsyeshëm, nuk agjëron gjatë ditëve të Ramazanit.

Maliku dhe Shafiu: “Një njeri i tillë është mëkatar. Dënimi me rrahje a veçim (izolim) nuk do të mjaftojë. Nëse është kokëfortë në qëndrimin e tij, duhet të dënohet me vdekje.

Ahmed ibn Hanbeli: “Një person i tillë është jobesimtar. Ai duhet të dënohet me vdekje, por para se të dënohet, duhet t’i thuhet të pendohet e t’i kërkojë falje Zotit dhe të falë namazin. Nëse e pranon këtë kusht, lirohet, në të kundërtën, të zba­tohet dënimi.

Kuptohet, mendimi i këtyre dijetarëve mbësh­tetet në Kur’an dhe në hadithe të besueshme. Në Kur’an theksohet edhe se si do të ndihet jobesim­tari në Ditën e Gjykimit:

“Atë Ditë, mjerë përgënjeshtruesit! Se, kur u thuhej ‘përuluni’, nuk përuleshin. Atë Ditë, mjerë përgënjeshtruesit!” (Murselat, 47-48)

“Atë Ditë, kur të zbulohet gjithçka dhe të thërriten për të bërë sexhde, ata nuk do të munden. Ata do të jenë me sy ulur, poshtërimi do t’i kaplojë, sepse e dinë që kanë qenë të ftu­ar të bënin sexhde, kur kanë pasur forcën e arsyetimit (por ata kanë refuzuar).” (Kalem, 42-43)

Për ata që pendohen, Allahu i Madhëruar thotë:

“… Por nëse pendohen, e kryejnë faljen dhe e japin zekatin, atëherë hapeni rrugën për ta, se vërtet, Allahu fal dhe është Mëshirues.” (Teube, 5)

Në Kur’an përshkruhet edhe dialogu në mes të besimtarëve dhe jobesimtarëve në Ditën e Gjykimit:

(Besimtarët do të pyesin): “ا’ju solli në Sekar (xhehennem)? (Jobesimtarët) Do të thonë: Ne nuk ishim nga ata që faleshin, nuk i ushqenim të varfërit dhe përziheshim me të tjerët në biseda të kota dhe mohonim Ditën e Gjykimit, derisa na erdhi vdekja.” (Muddethir, 42-43)

Pra, gjëja e parë që të shtie në zjarrin e Xhe­hennemit, është moskryerja e faljes. Ajeti vijues tregon cilësitë e dyfytyrakëve (munafikëve):

“Dyfytyrakët përpiqen ta mashtrojnë Allahun, por Allahu e mbizotëron dinakërinë e tyre. Kur ngrihen të falin namazin, ata ngrihen me përtesë dhe e bëjnë këtë vetëm për t’u dukur para njerëzve, ndërsa Allahun e përmendin fare pak!” (Nisa, 142)

Edhe hadithet e të Dërguarit të Allahut (s.a.s.) e vlerësojnë si jobesimtar atë, që me vetëdije lë pas dore faljen:

“Ajo çfarë na dallon neve nga ata (jobesim­tarët) është namazi. Kush e lë namazin, bëhet jobesimtar.”

“Kurrë mos e lër asnjë kohë të namazit me vetëdije, sepse ai që e le namazin me vetëdije, nuk e ka mbrojtjen e Allahut.”

“Kush e kryen namazin rregullisht, do t’i bë­het dritë, shpëtim dhe dëshmi në Ditën e Gjykimit, kush nuk e kryen atë rregullisht, nuk do të ketë dritë, shpëtim e dëshmi dhe në Ditën e Gjykimit do të jetë në shoqërinë e Karunit, Faraonit, Hamanit dhe Ubejj ibn Halefit.”

“Ai, të cilit i kalon namazi i ikindisë, është si ai, të cilit i është gjymtuar familja dhe pasuria e vet.”

“Për dyfytyrakët (munafikët) nuk ka namaz më të rëndë se sabahu dhe jacia (në xhami) por po ta dinin se çfarë shpërblimi kanë për to, do t’i falnin, qoftë edhe duke shkuar zvarrë.”

“Kam vendosur që të urdhëroj muezinin të thërrasë ikametin e ndonjërin t’i bëhet imam xhe­matit, ndërsa unë të marr gaca dhe t’ia djeg shtë­pinë atij, që ende nuk ka dalë në xhami për namaz!”

Edhe sahabët (Zoti qoftë i kënaqur prej tyre), pa përjashtim e konsiderojnë jobesimtar personin që nuk falet. Ata kanë thënë se i vetmi detyrim, të cilin po e le, të shpie në mosbesim, është namazi.

Aliu (r.a.): “Ai që nuk falet, është jo­besimtar!”

Ibn Abbasi (r.a.): “Kush e lë pas dore nama­zin, është bërë jobesimtar.”

Xhabir ibn Abdullahu (r.a.): “Jobesimtar është ai që nuk falet.”

Ejjub es-Sikhtijani (r.a.): Pa dyshim, lënia e namazit është mosbesim.”

Hafidh Mundhiri për të theksuar hadithet dhe thëniet e sahabëve mbi këtë temë, thotë: “Një grup sahabësh dhe tabi’inësh i konsiderojnë jo­besimtarë edhe ata që e shtyejnë faljen e namazit pa arsye. Ndër ta janë: Umeri, Ibn Mes’udi, Ibn Abbasi, Muadh ibn Xhebeli, Xhabir ibn Abdullahu, Ebu Derda, Ahmed ibn Hanbeli, Is’hak ibn Ruvejhi, Abdullah ibn Mubaraku, Ibrahim en-Nehai, Hakim ibn Utejbe, Ejjub es-Sahtijeni, Ebu Daud et-Tajalisi, Ebu Bekr ibn Ebi Shejbe, Zuhejr ibn Harbi dhe të tjerë (Zoti qoftë i kënaqur me ta!).

Kur lexojmë këto mendime të përcjella nga dijetarët e njohur islamë, sahabë dhe tabi’inë, për mosbesimin e atij, që qëllimisht, lë pa falur edhe një namaz, atëherë cili do të ishte qëndrimi i tyre ndaj atij, i cili ka kaluar vite të tëra pa e përulur kurrizin kurrë për sexhde Allahut (xh.sh.)?!

Nga sa u tha, nxjerrim përfundimin se ai që nuk falet është:

– jobesimtar, nëse nuk falet, ngaqë nuk e vlerëson, e përbuz namazin dhe rëndësinë e tij;

– mëkatar i madh (sipas disave, sërish, jobesimtar), nëse nuk falet, për shkak se është dhënë pas epsheve dhe dëshirave të veta. Sipas një mendimi më të butë, një njeri i tillë është mëkatar, dhe nuk është larg as nga kufri (mosbesimi), sepse nuk ka dyshim se mëkatet ndjekin njëri-tjetrin e kështu arrihet lehtë në mosbesim.

Për këtë arsye, duhet që çdo musliman që e ndien veten musliman, në qoftë se nuk e ka falur namazin, t’i rishqyrtojë veprimet dhe rrugën e tij, t’i kërkojë falje Allahut (xh.sh.) e ta forcojë besimin e ta kryejë gjithmonë namazin. Po kaq e domosdoshme është që besimtarët ta këpusin çdo lidhje me ata, që me këmbëngulje, qëndrojnë në mendimin se namazi nuk është detyrim i muslimanit; gjithsesi, kjo vlen nëse besimtarët i kanë këshilluar më parë ata e ata nuk i kanë pranuar këshillat e tyre me kokëfortësi.

Për atë, që nuk falet, Ibn Tejmijje thotë: “Nuk duhet t’i jepni selam, e as t’i përgjigjeni ftesës së tij; nuk duhet t’ia jepni bijën a motrën për bashkëshorte, sepse ai që nuk fal namaz, në të vërtetë, nuk është musliman, nuk meriton grua muslimane, as fëmijë muslimanë. Nuk i lejohet një sipërmarrësi ta punësojë, sepse një njeri që nuk i kryen detyrimet e veta ndaj Krijuesit të vet, aq më pak do t’i kryejë detyrimet ndaj krijesave të tjera.”

Namazi është shtylla kryesore e fesë. Nuk ka ndjesë, kur nuk e kryen namazin, përveç kur personi e humb vetëdijen dhe nuk di çfarë flet. Në raste sëmundjesh të tjera nuk ka arsye të mjaf­tueshme që namazi të mos falet, madje edhe kur njeriu është i paralizuar a i plagosur rëndë. Sipas Sheriatit, të sëmurit i duhet thënë: “Pastrohu si të mundesh dhe sa të mundesh, ulu si të mundesh, por mos e lër namazin; pastrohu me ujë e nëse nuk ke ujë, merr tejemum; falu më këmbë e nëse nuk mundesh, falu ulur; nëse nuk mundesh edhe kështu, falu mbështetur në krahun e djathtë a shtrirë në shpinë; nëse as kështu nuk mundesh, lëviz kokën ose sytë, në kuptim të fjalëve të Allahut (xh.sh.):

“Prandaj, sa të keni mundësi, ruhuni prej dënimit të Allahut!” (Tegabun, 16)

Me sa u tha më lart, vërejmë përgjegjësinë e mbarë shoqërisë për moskryerjen e kësaj detyre e sidomos, të individit, brenda autoritetit e përgje­gjësisë së tij vetjake: babai është përgjegjës për djemtë e vajzat e moshës jomadhore, burri për gruan e tij etj. Allahu urdhëron:

“Urdhëroji të afërmit e tu të falin namaz e edhe ti vetë zbatoje atë, sepse ne nuk kërkojmë prej teje ndonjë furnizim. Ne të furnizojmë ty. Ardhmëria e mirë i takon atij që ruhet.” (TaHa, 132)

Muhammedi (s.a.s.) ka thënë:

“Urdhërojini fëmijët tuaj të falin namaz që shtatë vjeç e kur t’i mbushin dhjetë vjeç, dety­rojini.”

Allahu gjithashtu thotë:

“O ju që besuat, ruajeni veten dhe familjen tuaj nga zjarri, lënda djegëse e të cilit janë njerëzit dhe gurët!” (Tahrim, 6)

Nëse bashkëshorti me të vërtetë e do gruan e tij, babai fëmijën e tij, dhe nuk dëshirojnë që t’i humbin, atëherë le t’i mbrojnë nga zjarri, duke u urdhëruar nënshtrimin ndaj Krijuesit.

Nuk ka mbetur edhe një çështje, të cilën duhet ta shpjegojmë: A duhet t’ia falin xhenazen atij, që nuk e ka falur namazin?

Gjithsesi, çështja shtrohet kështu: A ka qenë i vdekuri jobesimtar, apo vetëm mëkatar i madh? Sipas mendimit të dijetarëve, në qoftë se i vdekuri ka qenë i ftuar nga imami ose gjykatësi i Sheriatit të asaj kohe që ta falte namazin e ky nuk ka pasë pranuar, atëherë nuk do t’i falet xhenazja, sepse konsiderohet si jobesimtar. Kjo vlen për njeriun, i cili përveç namazit, ka edhe mangësi të tjera, siç janë pandershmëria dhe moskryerja e detyrimeve të tjera islame. Kur njeriu nuk e ka mohuar na­mazin si detyrim, ndonjëherë është falur e ndo­njëherë jo, atëherë këtij personi do t’i falet namazi dhe do të varroset në varrezat e muslimanëve.

U bëjmë thirrje besimtarëve, të cilët deri tani nuk e kanë falur namazin për arsye të ndryshme, që t’i drejtohen çiltërisht Krijuesit të tyre, Allahut me pendim dhe të fillojnë ta kryejnë këtë detyrim. Sigurisht, Allahu është Mëshiruesi, Falësi i mëkateve, është Ai që me kënaqësi do t’ua pranojë pendimin e çiltër dhe do t’ua falë mëkatet e mëparshme. Insha-Allah!

“O ju që keni besuar, pendohuni te Allahu me një pendim të çiltër!” (Tahrim, 8)

“O ju që keni besuar, kijeni frikë Allahun me një çiltëri të vërtetë dhe mos vdisni ndry­she, veç duke qenë muslimanë!” (Ali Imran, 102)

Për ata që ruhen, Allahu (xh.sh.) premton:

“Eshtë e sigurt se kanë shpëtuar besim­tarët – ata, të cilët janë të përulur kur falin namazin, ata që i shmangen bisedës së kotë, ata që rregullisht japin zekatin, ata që nuk bëjnë marrëdhënie intime (me askënd tjetër), përveçse me bashkëshortet ose me ato, të cilat i kanë në pronësi (skllavet) – sepse (në rastin e tyre) ata nuk qortohen. E ata, dëshirat e të ci­lëve shkoj­në tej atyre caqeve, kanë shkelur dispozitat e caktuara. Dhe ata, të cilët i ruajnë ato që u janë besuar (sende ose fjalë), e ruajnë edhe prem­ti­min e dhënë, i kushtojnë kujdes kohës së na­mazit, janë trashëgimtarët e Firdeusit (xhennetit) dhe aty janë përgjithmonë.” (Mu’minun, 1-11)

Dr. Jusuf Kardaui