A e dini se sa xhami ka në Kosovë dhe cila është më e vjetra?

0
521

Deri sa në Komunën e Prishtinës, po zvarritet procesi i ndërtimit të Xhamisë Qendrore, që është cilësuar se do të jetë më e madhja në vend, në tërë Kosovën janë afro 800 xhami të tjera, ku besimtarët myslimanë mund t’i kryejnë ritet fetare.

Këto objekte fetare datojnë që nga viti 1289, kur edhe është ndërtuar xhamia e parë, ajo e Mlikës e cila gjendet në Komunën e Dragashit.

Por, si faltorja e parë për myslimanët në Kosovë zyrtarisht njihet “Xhamia e Qarshisë” në Prishtinë, për ndërtimin e së cilës janë nevojitur 51 vite.

“Xhamia më e vjetër në Kosovë llogaritet të jetë xhamia e Mlikës, viti i ndërtimit 1289, në komunën e Dragashit, ndërkohë që me dokumentacione zyrtare, xhamia e Qarshisë në Prishtinë, ndërtimi i së cilës ka filluar në vitin 1389 kurse ka përfunduar ne vitin 1440. Xhamia të reja kemi nga ato që po ndërtohen çdo vit nëpër vendbanime të ndryshme nëpër Kosovë”, ka treguar për Gazetën Fjala, zëdhënësi i Bashkësisë Islame të Kosovës, Ahmet Sadriu.

Ndërtimi i xhamive të reja, sipas zyrtarëve të BIK-ut është bërë me kontributin e vetë qytetarëve të besimit islam të Kosovës, por edhe me ndihmën e donatorëve të huaj, kryesisht nga Turqia dhe Arabia Saudite.

Pavarësisht kësaj, një numër i qytetarëve vazhdojnë të kryejnë ritet fetare jashtë faltoreve.

Mirëpo, duket se kjo nuk i pengon edhe aq shumë qytetarët, pasi që numri i tyre ditëve të xhumasë në një xhami është shumë i madh dhe hapësira e objekteve fetare nuk janë të mjaftueshme për ti pranuar të gjithë.

“Numri besimtarëve në xhami ditëve të Premte është, varësisht nga xhamitë, qytet fshat, varion, nga 150 deri në njëmijë besimtar”, ka thënë Sadriu për Gazetën Fjala.

Në secilën prej këtyre xhamive ka një hierarki të udhëheqjes. Figurë kryesore në një xhami është imami, muezini dhe këshilli i xhamisë.

Një imam për punën që bën paguhet prej 250 deri në 450 euro, para këto që merren nga buxheti i BIK-ut.

Zvarritet ndërtimi i Xhamisë më të madhe në vend

Megjithatë, besimtarët islam edhe festën e Kurban Bajramit, e kanë falur përsëri në rrugët e Prishtinës.

Kryetari i Bashkësisë Islame, Naim Tërnava nuk mundi të qëndrojë pas fjalës së dhënë për ndërtimin e Xhamisë Qendrore, as 50 ditë. I pari i BIK-ut , më 21 qershor kishte deklaruar se Xhamia e Madhe do të ndërtohet me ose pa leje.

Ai madje kishte thënë se është në gjendje edhe të shkojë në burg për këtë çështje.

“Do të vijë dita që ne të dalim dhe ta nisim Xhaminë. Unë do t’i organizojë. Do të marrë përgjegjësi. Nëse dikush duhet të arrestohet jam unë. Nëse dikush kërkon përgjegjësi jam unë. Nuk dëshiroj që të shkojnë punët deri këtu”, kishte paralajmëruar Tërnava.

Mirëpo, këtë deklaratë të Tërnavës, e ka hedhur poshtë zëdhënësi i BIK-ut, Ahmet Sadriu.

Ai ka treguar se tash BIK nuk do ta nis ndërtimin e xhamisë pa marrë lejë nga Komuna e Prishtinës.

“Ende nuk kemi ndonjë datë të caktuar se kur do të fillojë ndërtimi i xhamisë, por jemi duke e pritur dhënien e lejes nga Komuna e Prishtinës”, ka thënë Sadriu.

Gazeta Fjala ka kërkuar sqarim nga Komuna e Prishtinës, se a do të jepet leja për ndërtim apo jo, mirëpo deri tani nuk ka marrë përgjigje.

I pari i BIK-ut e kishte quajtur të pakuptueshëm faktin që prej pesë vitesh qeverisja lokale e Prishtinës nuk po e jep lejen për ndërtimin e xhamisë qendrore, lokacioni për të cilën është ndarë te Posta e Madhe.

Por, vetë kreu i Prishtinës, Shpend Ahmeti përmes një postimi në Facebook, kishte premtuar se xhamia do të ndërtohet dhe se janë duke u kujdesur për aspektin urbanistik dhe estetik të saj.

“Xhamia do të ndërtohet, ndërsa detyra e Komunës është që të zbatojë ligjin. Meqenëse është xhamia më e madhe në Kosovë, duhet të kujdesemi edhe për aspektin urbanistik dhe estetik më shumë se për objekte të rëndomta. Si xhamia më e madhe do të jetë pikë referente përtej mandateve tona e sikleteve të pan-it. Xhamia nuk bëhet as për inati të dikujt e as për hatër të askujt.”, kishte shtuar Ahmeti.

Ahmeti këtë qëndrim e kishte përsëritur edhe më pas, ku për media ishte shprehur se xhamia do të ndërtohet në lokacionin ku është dhënë dhe se kanë mbet vetëm disa çështje të definohen, duke shtuar se kjo çështje është politizuar.

Dy milionë besimtarë pritet të marrin pjesë në Haxh

Dy milionë myslimanë nga e gjithë bota këtë javë po qëndrojnë në Mekë të Arabisë Saudite për pelegrinazhin e Haxhit.

Haxhi është një nga pesë shtyllat e besimit islam, të cilin duhet ta shërbejë secili mysliman së paku një herë në jetë.

Ky vit shënon rikthimin në Haxh të besimtarëve nga Irani.

Irani e ka bojkotuar atë vitin e kaluar, pasi, në vitin 2015, mbi 2,400 pelegrinë kanë humbur jetën nga ikja e turmave.

Irani ka pasur numrin më të madh të viktimave – përkatësisht 464.

“Këtë vit, ne presim rreth dy milionë pelegrinë”, kishte thënë për AFP-në, Abdelmajed Mohammed Al-Afganistan, drejtor për çështje të Haxhit.

Ndërkohë që Kosova ishte shpallur vendi i tretë më religjioz në Botë së bashku me Indinë, Bregun e Fildishtë, Ganën dhe Papua New Guinea. Kjo sipas Gallup International Poll.

Sipas raportit të këtij viti, vendi më religjioz në botë është Tajlanda, ku 98% e popullsisë janë deklaruar besimtarë. Në vendin e dytë renditet Nigeria me 97%, ndërsa Kosova, India, Gana, Bregu i Fildishtë dhe Papua New Guinea ndajnë vendin e tretë me 94%.

Kurse vendet më pak religjioze janë: Kina, Suedia, Çekia dhe Britania e Madhe.