Pyetje: Jetojmë në vendet Islame, por akoma nuk e kemi shijuar shijen e besimit. Njerëzit e mirë që na përkujtojnë Allahun, janë të pakët, ndaj na këshilloni me diçka që të kemi dobi prej saj, Allahu ju shpërbleftë me të mira!
Përgjigje: Lavdatat i takojnë vetëm Allahut.
Së pari: Duhet të lexosh sa më shumë Kuran, si dhe ta dëgjosh leximin e tij sa më shumë, duke medituar në kuptimin e fjalëve që lexon apo i dëgjon sa të kesh mundësi. E nëse ka diçka që nuk e kupton, atëherë pyet njerëzit e dijes në vendin tënd, ose shkruaju njerëzve të dijes prej dijetarëve të Sunetit.
Ajo që të ndihmon në meditimin e asaj që lexon, është leximi i shpjegimit të Kuranit. E prej shpjegimeve më të shkurtura e më të dobishme është Tefsiri i Seadit (Allahu e mëshiroftë).
Së dyti: Duhet të përmendësh Allahun sa më shpesh, dhikret që janë transmetuar në hadithet e sakta si fjala “La ilahe il-la Allah (Nuk e meriton adhurimin askush me të drejtë veç Allahut)”, apo “Subhana Allah (I Lartësuar dhe pa të meta është Allahu)”, apo “Subhana Allah, el-hamdu lilah, la ilahe il-la Allah, Allahu ekber (I Lartësuar dhe pa të meta është Allahu, Ladatat i takojnë vetëm Allahut, Nuk e meriton adhurimin askush me të drejtë veç Allahut, Allahu është më i madhi)” apo lutje të ngjashme me këto. Për këtë mund të lexosh tek libri i imam Neveviut “El-Edhkar” apo të ngjashme me të.
Sepse me përmendjen e Allahut njeriut i shtohet besimi dhe i qetësohet zemra, Allahu i Lartësuar ka thënë: “Me të vërtetë me përmendjen e Allahut qetësohen zemrat” [Read: 28].
Mundohu të tregohesh i kujdesshëm në namaz, agjërim dhe shtyllat e tjera të Islamit, duke shpresuar në mëshirën e Allahut dhe duke iu mbështetur atij në të gjithë çështjet e tua. Allahu i Lartësuiar thotë: “Besimtarë të vërtetë janë vetëm ata, zemrat e të cilëve, kur përmendet Allahu, fërgëllojnë dhe, kur u lexohen shpalljet e Tij, u forcohet besimi dhe vetëm te Zoti i tyre mbështeten, ata që falin namazin dhe japin prej asaj që Ne ua kemi dhënë. Njëmend, ata janë besimtarë të vërtetë. Ata do të kenë shkallë përnderimi te Zoti i tyre, falje dhe furnizim bujar (në Xhenet).” [Enfal: 2-4].
Dije se besimi shtohet me bindje ndaj Allahut dhe pakësohet me mosbindjen ndaj Tij, ndaj kujdesu për obligimet që Allahu ka obliguar, Kryerjen e namazit në kohë me xhemat dhe në xhami, dhënien e zekatit me çiltërsi dhe zemër të qetë, sepse është pastrim për ty nga gjynahet dhe mëshirë për të varfërit dhe nejvotarët.
Mundohu që të rrish me njerëzit e mirë e të devotshëm, në mënyrë që të jenë ndihmë për ty në zbatimin e rregullave fetare, si dhe të të oreintojnë në atë çka fiton lumturinë e dynjasë dhe Ahiretit.
Largohu nga pasuesit e bidateve dhe të gjynaheve, në mënyrë që mos të sprovohesh edhe ti, e të dobësojnë vullnetin tënd në veprat e mira.
Mundohu ti shtosh sa më shumë adhurimet vullnetare dhe kthehu tek Allahu dhe kërkoji Atij suksesin.
Nëse i vepron këto gjëra, atëherë Allahu do ta shtojë besimin, do të arrish atë që ke humbur prej të mirave, do ti shtojë mirësitë dhe qëndrueshmërinë në Islamin e saktë.
[Komisioni i Përhershëm i Fetvave: 3/187].
Përktheu Ylli Rama