Çfarë është Shën Valentini sipas Islamit?

0
348

… Disa njerëz zgjedhin (për të adhuruar) në vend të Allahut (zota) të tjerë, (duke i konsideruar) si të barabartë me Atë dhe duke i dashur siç duhet Allahu. Por ata që besojnë e duan shumë më tepër Allahun…).” (El-Bekare, 165).

Islami është fe e plotë dhe e përsosur, prandaj muslimanëve nuk i duhen festa dhe praktika të kota e besëtyte sepse ato i dëmtojnë seriozisht vlerat morale të shoqërisë islame. Gjatë viteve të fundit, një numër gjithnjë e më i madh të rinjsh po jepen pas zakoneve dhe traditave që janë krejtësisht jomuslimane, duke u bërë viktima të komercializmit, ku shitet gjithçka madje edhe besimi.

Një prej festave që s’ka të bëjë me Islamin është edhe festa e Shën Valentinit. Kjo datë s’ka asnjë bazë në Islam dhe as në praktikën e gjeneratave të shkuara të muslimanëve. Duke pasur parasysh faktin se festimi i kësaj dite ka marrë hov në vende të ndryshme, dijetarët muslimanë kanë qëndrim unanim se festimi dhe përkujtimi i kësaj date, nga ana e muslimanëve, është risi që duhet të largohet, sepse është gabim dhe humbje.

Pejgamberi, paqja e Allahut qoftë mbi të, në një hadith thotë: “Kush sjell në fenë tonë diçka që nuk është e saj, ajo i refuzohet.” (Buhari dhe Muslimi). Ai gjithashtu na paralajmëron me fjalët: “Kujdes nga risitë në fe, sepse çdo risi është bid’at dhe çdo bidat shpie në lajthim dhe humbje.” 

Prandaj shënimi i kësaj dite është mëkat, sepse muslimanët duhet t’iu përmbahen udhëzimeve të fesë së tyre që të meritojnë mirësinë dhe mëshirën e Allahut dhe të shmangin çdo gjë që çon në gabim dhe që shkakton zemërimin e Allahut. Afërsia jonë me Zotin arrihet duke ndjekur praktikat e Pejgamberit që përbëjnë Sunnetin, që kodifikohet tek Sheriati.

Islami i njeh festimet e lumtura dhe rastet ku njerëzit afrohen në mënyrë reciproke. Në të njëjtën kohë, Islami e ndalon imitimin e verbër dhe përngjasimin me traditat joislame dhe zakonet xhahile dhe pagane, sikurse është rasti me festën e Shën Valentinit, të ashtuquajturën “Dita e të dashuruarve”. 

Dashuria

Islami është fe e dashurisë së vërtetë dhe të sinqertë, që është e bazuar në çdo gjë që është e bukur dhe fisnike. Koncepti i dashurisë në Islam është unik, sepse kur një musliman e do dikë apo diçka, këtë duhet ta bëjë vetëm për hir të Allahut dhe jo për qëllime të tjera. E njëjta gjë vlen edhe për urrejtjen.

Dashuria e parë dhe më e madhja që besimtari duhet të kultivojë është dashuria ndaj Krijuesit të tij – Allahut, pastaj ndaj pejgamberit, Muhamedit a.s., shokëve të tij, dijetarëve islamë, etj. Besimtari i vërtetë e dëshmon dashurinë e tij ndaj Allahut duke respektuar ligjin dhe urdhrat e Tij dhe duke u shmangur nga ato që Ai i ka ndaluar.

Mënyra më e mirë për ta provuar dashurinë ndaj Allahut është të ndjekurit e Pejgamberit (Ali-‘Imran, 31). Në një hadith, Pejgamberi a.s. thotë: “Askush prej jush nuk do të jetë besimtar i vërtetë derisa unë të mos jem për të më i dashur se prindërit e tij, vetvetja dhe të gjithë njerëzit.” (Buhariu).

Pas dashurisë sonë ndaj Allahut dhe Pejgamberit, ne jemi të detyruar që të tregojmë dashurinë tonë për prindërit tanë, veçanërisht kur ata janë në moshë të shtyrë. Dashuria bashkëshortore midis dy partnerëve është kushti i parë për lumturinë martesore. Bashkëshorti duhet të ushqejë dashuri dhe mëshirë ndaj gruas së tij, duke i tejkaluar gabimet e saj dhe të njëjtën gjë duhet ta bëjë edhe gruaja ndaj burrit. Dashuria ndaj fëmijëve manifestohet duke i edukuar ata me atë që Allahu e do dhe duke i ndaluar ata nga ajo që Allahu nuk e do.

Islami kërkon që muslimanët të kultivojnë dhe ta shprehin dashurinë ndaj njëri-tjetrit gjatë tërë vitit dhe jo vetëm në ditë të caktuara. Dashuria nuk është aventurë. Nga ana tjetër, ne jemi dëshmitarë se si, sot, dashuria perceptohet gabimisht dhe mediat i japin rëndësi vetëm imazheve të jashtme dhe tërheqjes fizike.

Shën Valentini është mashtrim marketingu i korporatave të mëdha në mënyrë që njerëzit të blejnë dhe konsumojnë sa më shumë dhe të mbushin zbrazëtinë e tyre shpirtërore me festa fals dhe të kota. Demagogë të ndryshëm jobesimtarë dhe heretikë të paskrupullt, të zhytur në shthurje morale, nuk i pengon asgjë për manipulimin e masave për qëllime komerciale.

Pra, ka forma të ndryshme të shprehjes së dashurisë, të cilat janë të lejueshme fetarisht, sikurse ka edhe forma të cilat nuk janë të lejuara. Duke i kremtuar festat e të tjerëve, muslimanët kontribuojnë në mënyrë të pandërgjegjshme për shkatërrimin e traditës dhe zakoneve të tyre.

LEAVE A REPLY

Please enter your comment!
Please enter your name here