Çështje që e cenojnë durimin dhe ia ulin vlerën pjesa e shtatë dhe e fundit

0
168

Çështje që e cenojnë durimin dhe ia ulin vlerën

Durimi, siç kemi thënë, është të tregohesh i përmbajtur gjatë hidhërimit, ta frenosh gjuhën nga ankesat, dhe t’i ndalësh duart nga goditja e fytyrës dhe shqyerja e teshave gjatë fatkeqësive. Nisur nga kjo themi se sa herë që njeriu nuk tregohet i përmbajtur në ndonjërën prej rasteve të mësipërme, ai në këtë mënyrë ka lënë mangët diçka prej durimit duke humbur kështu një pjesë të mirë të sevapit dhe shpërblimit.

Në vijim, do të sjellim shkurtimisht disa nga çështjet që e cenojnë durimin dhe e pakësojnë shpërblimin:

  1. Ankesat e panevojshme duke kërkuar ngushëllim tek njerëzit për ndonjë fatkeqësi që e ka goditur.

Nuk i ka hije besimtarit të qahet e të ankohet tek krijesat e Zotit për fatkeqësitë dhe brengat me të cilat Zoti i Madhëruar e ka sprovuar. Të qahesh tek krijesat për diçka me të cilën Krijuesi të ka sprovuar do të thotë të ankohesh ndaj Zotit, i Cili është më i mëshirshëm për robin sesa nëna për foshnjën e saj, tek ata të cilët as nuk munden të të mëshirojnë e as që janë në gjendje që të ta largojnë fatkeqësinë! Ankesat e tepërta e të panevojshme janë tregues për diturinë e pakët dhe besimin e dobët.

Tregohet se njëri nga muslimanët e hershëm kishte parë se si një varfanjak po i qahej një pasaniku për gjendjen e vështirë ekonomike që po kalonte. Ky e kishte kritikuar sjelljen e tij duke i thënë: “O njeri! A po ankohesh ndaj Atij që të mëshiron tek ai që s’të mëshiron?!” – Pastaj i thuri këto vargje:

Nëse të godet e keqja bëj durim

Ashtu siç i ka hije robit që tek Zoti i tij shpreson

Birit të Ademit (njeriut) mos iu qaj për ndihmë!

Mos u anko ndaj Atij që mëshiron tek ai që s’mëshiron!

Nuk bie ndesh me durimin nëse dhembjen dhe hidhërimin tënd ia paraqet Allahut. Kështu veproi profeti Jakub (Alejhi selam!) kur e goditën fatkeqësitë, ai kërkoi ndihmë dhe strehim tek Zoti i tij:

قَالَ إِنَّمَا أَشْكُو بَثِّي وَحُزْنِي إِلَى اللَّهِ

“(Jakubi) tha: “Unë dhimbjen time dhe pikëllimin tim ia paraqes vetëm Allahut.” Jusuf: 86

Po ashtu, nuk bie ndesh me durimin nëse shqetësimin tënd ia shpreh dikujt prej njerëzve të cilët janë në gjendje të të vijnë në ndihmë. I tillë është rasti kur i sëmuri i tregon mjekut për problemet e tij shëndetësore, apo kur dikujt i është bërë padrejtësi dhe kërkon ndihmë tek ata që mund t’ia largojnë padrejtësinë.

  1. Ndër çështjet që e cenojnë durimin dhe bien ndesh me të është veprimi i atyre njerëzve të cilët kur i godet fatkeqësia vajtojnë, shqyejnë teshat në shenjë zemërimi, godasin faqet, gërvishtin trupin me thonj apo shkulin flokët.

Disa të tjerë përplasin duart, dëmtojnë sendet që gjejnë pranë dhe ulërijnë e mallkojnë. Të gjitha këto veprime konsiderohen të shëmtuara dhe nuk lejohen. Profeti (Paqja dhe bekimi i Allahut qofshin mbi të!) ka njoftuar se këto veprime të shëmtuara nuk kanë asnjë lidhje me fenë islame.

Nuk bie ndesh me durimin nëse fatkeqësia përjetohet me lot dhe pikëllim, por pa ngritur zërin me vajtim dhe pa thënë fjalë të pahijshme. Allahu i Madhëruar, duke përshkruar pikëllimin e madh që kishte kapluar Jakubin (Alejhi selam!), thotë:

وَابْيَضَّتْ عَيْنَاهُ مِنَ الْحُزْنِ فَهُوَ كَظِيمٌ

“Sytë i ishin zbardhur prej pikëllimit dhe ishte plot zemërim.” Jusuf: 84

 

  1. Ndër çështjet që e cenojnë durimin dhe e pakësojnë shpërblimin është edhe shfaqja e mërzisë dhe të folurit për fatkeqësinë vend e pavend.

Njerëzit e urtë kanë thënë: “Prej moralit të mirë të njeriut është fshehja e fatkeqësisë, e sëmundjes dhe e sadakasë (lëmoshës që i jep nevojtarit).” Gjithashtu kanë thënë: “Fshehja e pikëllimit është esenca e durimit.”

  1. Ndër çështjet që e cenojnë durimin është shfaqja e panikut dhe tronditjes së thellë në rastin e fatkeqësive.

E ngjashme me këtë është edhe shprehja e ngazëllimit të papërmbajtshëm kur i ndodh diçka e gëzueshme. Ndërsa, cilësi e besimtarëve të mirë është që të tregohen të matur në të dyja rastet. Allahu i Madhëruar thotë:

إِنَّ الْإِنسَانَ خُلِقَ هَلُوعًا إِذَا مَسَّهُ الشَّرُّ جَزُوعًا وَإِذَا مَسَّهُ الْخَيْرُ مَنُوعًا

إِلَّا الْمُصَلِّينَ الَّذِينَ هُمْ عَلَىٰ صَلَاتِهِمْ دَائِمُونَ

 

“Vërtet që njeriu është krijuar i brengosur: kur atë e godet e keqja, ai ligështohet fort, por, kur i bie e mira, ai bëhet koprrac. Përjashtim bëjnë ata që falen, e që janë të vazhdueshëm në faljet e tyre…” Mearixh: 19-23

Nuk bie ndesh me durimin keqardhja dhe dhimbja që ndjen njeriu në rast fatkeqësie dhe as lotët që rrjedhin prej syve, pasi kjo është diçka e natyrshme, por muslimani duhet të tregohet i matur dhe i durueshëm dhe nuk duhet të mendoj keq për Zotin e tij. Muslimani nuk thotë fjalë të pahijshme dhe nuk bën veprime të pamatura pasi ai ka bindjen se ajo fatkeqësi që i ka ndodhur është caktim nga Allahu dhe sprovë. Ai ka bindjen se Allahu nuk e braktis robin e vet dhe nuk e humb atë.

Lus Allahun e Madhëruar, Zotin e gjithësisë të na japë durim dhe të na bëjë prej durimtarëve!

Lutja jonë e fundit është: Paqja, mëshira dhe bekimet e pashtershme qofshin mbi të dërguarin e Tij të fundit; Muhamedin, mbi familjen e tij të ndershme, mbi shokët e tij fisnikë dhe mbi të gjithë ata që ndjekin udhën e tij deri në ditën e fundit!

Përgëzoji durimtarit!   – pjesa e shtatë dhe e fundit –

Përgatiti: Seksioni i Shkencave Islame pranë ‘Darul Uatan’ – Rijad

Përshtati në gjuhën shqipe: E. Ajdini

LEAVE A REPLY

Please enter your comment!
Please enter your name here