Anatomia e gjumit: Opsioni më i keq për trupin është shtyrja e alarmit

0
521

Trupi para zgjimit përgatitet për ditë të re, por shtyrja e zgjimit mund t’ju kthejë përsëri në fazën e gjumit të thellë dhe të shkaktojë shok pas tingëllimës së re të alarmit.Meshkujt rrallë flenë në gjumë të thellë dhe zgjohen disa herë në natë çka rrit rrezikun nga tensioni i rritur i gjakut dhe problemet me zemër, zbulon
studimi i Universitetit të Harvardit.

“Edhe pse femrat nuk ishin të përfshira në këtë studim, ka shumë mundësi që ato që kanë gjumë më të lehtë mund të kenë rrezik më të lartë nga tensioni i lartë i gjakut”, pohon udhëheqësja e studimit, Susan Redline. Gjumi është i domosdoshëm për ruajtjen e shëndetit. Me rëndësi është që gjumi të na bëhet prioritet dhe të tentojmë të flemë së paku gjashtë deri tetë orë në ditë, thekson Natasha Stewart nga Fondacioni britanik për zemër.

Pse fshiheni nën mbulesë?

Trupi e do ritmin dhe parashikueshmërinë. Shumica ndiejnë lodhje sepse nuk i janë përmbajtur ritmit të zakonshëm të gjumit. Një orë para së të fillojë zgjimi trupi përgatitet. Gjumi bëhet më i lehtë, temperatura trupore fillon të rritet dhe fillon lirimi i kortizolit, hormonit të stresit, çka jep energji për zgjim, thekson eksperti për fjetje, doktor Neil Stanley.

Nëse trupi juaj nuk ka ritëm dhe nuk e di që është koha për t’u zgjuar pasi që cingëron alarmi, do të përjetojë shok. Pikërisht kjo është arsyeja pse pas ziles së alarmit do të ndiheni të lodhur, thekson Stanley.

Mos e shtyni zgjimin

Shumë e shtyjnë zgjimin duke e shtyrë alarmin për dhjetë ose 20 minuta për të kompensuar gjumin. Por, kjo është më e keqja që mund të bëni, pohojnë ekspertët. Trupi para zgjimit përgatitet për këtë dhe shtyrja e tij mund t’ju kthejë në fazën e gjumit të thellë dhe të shkaktojë shok pasi që alarmi të bjerë përsëri.

Përdoreni diellin

Ndryshimi prej gjumit në zgjim është shok i madh për organizmin, thotë Leon Kreitzman, autor i librit “Seasons of life”.

“Derisa flini, temperatura trupore si dhe tensioni i gjakut bien, prandaj gjatë zgjimit zemrës por edhe tërë organizmit i duhet pak më shumë kohë për të lëvizur”, thekson Kreitzman. Kjo shpjegon pse shumica e sulmeve në zemër ndodh në orët e mëngjesit.

Njerëzit janë më aktivë gjatë ditës, ndërsa flenë gjatë natës dhe kanë mekanizëm natyror i cili kontrollon ndjenjën e përgjumësisë dhe zgjimit. Mekanizmi është i sinkronizuar me lindjen dhe perëndimin e diellit. Nëse keni probleme me fjetjen apo me zgjimin, e rëndësishme është që të kaloni shumë kohë në vend të hapur, këshillon Kreitzman. Derisa është në vend të hapur trupi ngadalë mbushet me energji dhe i përshtatet kohës.