Acidi folik që u shtohet disa ushqimeve

0
225

Një studim i ri tregon se acidi folik, që u shtohet disa ushqimeve, mund të ketë edhe disa të mira të tjera si për shembull parandalimin e tensionit të lartë të gjakut tek gratë. Anne Maria Donadio thotë se çdo ditë merr acid folik me rekomandim të mjekut për parandalimin e lindjes me defekt të fëmijës së saj. Ajo i merr ato në formë tabletash krahas ushqimit. Acidi folik gjendet gjithashtu në lëngun e portokallit, fruta, perime, fasule e bukë. Krahas parandalimit të lindjeve defektoze, acidi folik ose folate, mund të ketë një tjetër dobi për gratë për uljen e tensionit të gjakut. Në këtë përfundim arriti një studim botuar këto ditë në revistën e shoqatës amerikane të mjekësisë. Doktor John Forman i spitalit Brigham thotë se një dozë më e lartë acidi folik duket se pakëson rrezikun e zhvillimit të tensionit të lartë. Doktor Forman dhe kolegët e tij pranë spitalit të Grave, Brigham në Boston, studiuan të dhënat dietike të 150 mijë grave. Ata studiuan dy grup mosha; 27 deri 44 vjeç dhe 43 deri më 70 vjeç, duke vëzhguar marrjen e acidit folik dhe tensionin e gjakut për 8 vjet. Rezultate më të dukshme u vunë re tek gratë e reja. Doktor Forman thotë se mes grave të reja, ato që konsumuan mbi 1 mijë mikrogram folate në ditë, rreziku për t’u prekur nga tensioni i gjakut ra 46 përqind, në krahasim me ato gra që merrnin 200 mikrogram acid folik në ditë. Tek gratë më të moshuara ky rrezik ra 18 %. Shumë prej grave amerikane konsumojnë 400 mikrogram acid folik në ditë, duke e marrë atë nëpërmjet ushqimeve. Për marrjen e 1 mijë mikrogramëve, gratë pjesmarrëse në studim morrën folate shtesë. Por doktor Forman thotë se duhet patur kujdes: “Deri sa të kryen studime të tjera, gratë nuk duhet të shtojnë pa arsye dozën e acidit folik, megjithatë ne jemi të gëzuar rreth shpresave që kanë krijuar rezultatet e studimit të tanishëm për parandalimin e tensionit të lartë të gjakut.”

Përgatiti: Astrit Lulushi

LEAVE A REPLY

Please enter your comment!
Please enter your name here