DËNIMET E MËKATEVE

0
503

Prej dënimeve të mëkateve, mund të përmendim:
Në librin e saktë të Buhariut transmetohet nga Semretu Bin Xhundub se Profeti (a.s) u thoshte shpesh shokëve të tij: “A ka parë ndonjëri prej jush ndonjë ëndërr?” Ai vazhdon: “I tregonin atij aq sa dëshironin, dhe një ditë pas agimit Profeti (a.s) na tha: “Mbrëmë më erdhën dy vetë, më zgjuan nga gjumi dhe më thanë “Hajde me ne” dhe shkova me ta. Gjatë rrugës u afruam pranë një njeriu, i cili qëndronte mbështetur dhe një tjetër që qëndronte mbi të me një gur që e godiste në
kokë. Koka i çahej dhe guri sillej rrotull, duke e marrë edhe atë (kokën) me vete. Burri shkonte për ta marrë kokën e tij dhe nuk kthehej, derisa e sillte atë në vendin e mëparshëm, e më pas i kthehej pësëri duke bërë të njëjtën gjë me të. Thashë: “Larg të metave qoftë Allahu! Çfarë është kjo?” Burrat që më shoqëronin, më thanë: “Ec, ec!”
Vazhduam rrugën, derisa arritëm te një burrë që e kishte fytin të rrjepur dhe një tjetër që qëndronte mbi të me një palë gërshërë hekuri. Ai i afrohej njërës anë të fytyrës së tij dhe ia priste gushën deri në fyt. Më pas, ai kalonte në anën tjetër dhe vepronte si me anën e parë, duke e përsëritur të njëjtin veprim radhazi. Thashë: “Larg të metave qoftë Allahu! Çfarë është kjo?” Përsëri, burrat që më shoqëronin, më thanë: “Ec, ec!”
U nisëm dhe rrugës hasëm në një objekt që ishte i ngjashëm me një furrë. Në të dëgjoheshin përshëritje dhe zëra. U zgjatëm për të parë dhe para syve na dolën burra dhe gra lakuriq, të cilëve u vinte zjarr nga poshtë. Sa herë që u afrohej flaka, ata bërtisnin. Thashë: “Larg të metave qoftë Allahu!” Çfarë është kjo?” Burrat që ishin me mua, më thanë: “Ec, ec!”
Vazhduam rrugën dhe arritëm pranë një lumi, i cili ishte i kuq si gjaku. Në të ndodhej një njeri që notonte, kurse në breg të lumit ishte një burrë që kishte mbledhur gurë të shumtë rreth vetes. Burri që ndodhej në lumë notonte dhe më pas kthehej tek ai që ishte në breg, i cili ia hapte gojën dhe i fuste një gur. Burri notonte përsëri dhe kthehej në breg, duke kryen të njëjtin veprim vazhdimisht. Thashë: “Kush janë këta të dy?” Më thanë: “Ec, ec!” Më pas, hasëm një burrë me pamje të shëmtuar, i cili ndizte një zjarr dhe vraponte rreth tij. Pyeta: “Kush është ky?” Burrat që më shoqëronin, më thanë: “Ec, ec!” Ecëm, derisa arritëm në një kopsht plot gjelbërim që kishte të gjitha ngjyrat e pranverës. Në mes të tij ndodhej një burrë i gjatë, koka e të cilit, për pak sa nuk arrinte qiellin. Rreth burrit kishte aq shumë fëmijë, sa nuk kisha parë ndonjëherë. Thashë: “Kush janë këta?” Më thanë: “Ec, ec!”
Vazhduam rrugën dhe arritëm te një kopsht shumë i madh dhe shumë i bukur. Dy burrat që më shoqëronin, më thanë: “Ngjitu!” U ngjitëm dhe aty pamë një qytet të ndërtuar me ar dhe argjend. Arritëm te dera e qytetit dhe kërkuam që të na hapej dera. Hymë brenda dhe takuam disa burra, gjysma e të cilëve kishte pamje shumë të bukur dhe gjysma tjetër një pamje shumë të shëmtuar. Burrat që më shoqëronin, u thanë: “Shkoni dhe hidhuni tek ai lumë!” Aty ishte një lumë me rrjedhë të kundërt, uji i të cilit ishte i ngjashëm me qumështin. Ata u hodhën në të e më pas u kthyen te ne. Pamja e keqe e tyre ishte larguar. Ata të dy më thanë: “Ky është Xheneti i Adnit dhe ai atje është vendi yt!”
E hodha vështrimin lart dhe pashë një pallat të bardhë si reja. Ata më thanë: “Ky është vendi yt!” Thashë: “Allahu ju dhëntë begati, a po më lejoni të hyj në të?” Ata m’u përgjigjën: “Jo tani!” I pyeta: “Çfarë ishte e gjithë ajo që pashë rrugës?” Ata thanë: “Do të të tregojmë!” Burri, të cilit i çahej koka me gurë, është ai që e merr Kuranin dhe refuzon atë, duke fjetur në kohën e namazeve të detyruara.
Burri, të cilit i pritej gusha me gërshërë, është ai që del pas agimit nga shtëpia dhe gënjen me një gënjeshtër që arrin deri te horizontet (më të largëta). Kurse, burrat dhe gratë lakuriq në atë furrë janë njerëzit që kanë qenë imoralë gjatë jetës së tyre.
Burri që notonte në lumë dhe hante gurët, është ai që ha kamatën. Burri me pamje të shëmtuar që ndizte Zjarrin dhe sillej rreth tij, është Maliku, roja i Xhehenemit.
Burri i gjatë në kopsht është Ibrahimi, kurse fëmijët rreth tij, janë njerëzit që kanë vdekur me natyrë të pastër. (Në transmetimin e El-Burkanit thuhet: “Fëmijët në natyrën e pastër.” Shokët e pyetën: “O i Dërguari i Allahut, po fëmijët e politeistëve?” Ai u përgjigj: “Edhe ata!”
Njerëzit që ishin gjysëm të bukur dhe gjysëm të shëmtuar, janë ata që kanë përzier punën e mirë me punën e keqe dhe që Allahu i ka falur.”

Ibn El Kajim – Allahu e meshirofte
Semundja dhe ilaci