Sadakaja ka domethënie të madhe dhe sadakadhënësi ka pozitë të lartë

0
297

Sadakaja llogaritet prej veprave më të mira dhe më të dashura tek Allahu. Argument për këtë është hadithi të cilin e përcjell ibën Omeri, Allahu qoftë i kënaqur prej tyre, se i Dërguari i Allahut, lavdia dhe paqja e Allahut qofshin mbi të, ka thënë: “Veprat më të dashura tek Allahu janë gëzimi që e fut tek besimtari, ose t’ia lehtësosh atij vuajtjen, ose t’ia shlyesh atij borxhin ose ta largosh prej tij urinë.” (1)

Me një transmetim tjetër ka ardhur: “Prej veprave më të mira janë: futja e gëzimit tek besimtari, shlyerja e borxhit të tij, plotësimi i nevojës dhe lehtësimi i brengës së tij.” (2)

Madje sadakaja krenohet dhe lavdërohet para veprave tjera. Omer ibën Hatabi, Allahu qoftë i kënaqur prej tij, rreth saj thoshte: ‘Veprat lavdërohen njëra para tjetrës dhe lëmosha ju thotë: Unë jam më e mira në mesin tuaj.’ (3)

Pozitën e lartë që e zë sadakaja reflektohet edhe tek sadakadhënësi, ai është në një pozitë të lartë, ashtu siç i Dërguari i Allahut, lavdia dhe paqja e Allahut qofshin mbi të, tha: “Dynjaja është për katër veta: Një rob që Allahu e ka furnizuar me pasuri dhe me dituri. Ai i shfrytëzon ato dhe ka frikë respekt ndaj Zotit të tij në to. Me to mban lidhjet farefisnore, e mëson të drejtën (hakun) e Zotit në to. Kjo është pozita më e vlefshme (në Xhenet)…” (4)

Sadakadhënësi llogaritet dora e epërme, ashtu siç lajmëroi i Dërguari i Allahut, lavdia dhe paqja e Allahut qofshin mbi të, dhe tha: “Dora e epërme është më e mirë se sa dora e poshtme. Dora e epërme është ajo që jep, kurse e poshtme është ajo që kërkon.” (5)

Sadakadhënësi llogaritet ndër më të mirit në mesin e njerëzve për shkak dobisë që ua bën të tjerëve. Ka ardhur me një hadith se i Dërguari i Allahut, lavdia dhe paqja e Allahut qofshin mbi të, ka thënë: “Më i miri prej njerëzve është ai më dobiprurësi për ta .” (6)

Sadakadhënësi në ahiret bën pjesë në mesin e bamirësve dhe për këtë aludon hadithi i të Dërguarit të Allahut, lavdia dhe paqja e Allahut qofshin mbi të: “Bamirësit në dynja do të jenë edhe bamirësit e ahiretit.” (7)

Pozitën e lartë që e zë sadakadhënësi nuk përkufizohet vetëm se me botën tjetër, por ajo pozitë e përfshin edhe në dynja. Andaj, kush dorën e liron do sundon, kurse kush dorën e shtrëngon do poshtërohet.

Madje Muhamed ibën Hibani, Allahu e mëshiroftë, tha: ‘Kushdo që sundoi dhe udhëhoqi në periudhën e para Islamit dhe të Islamit derisa u njoh me sundim dhe populli i nënshtrohej dhe për tek ai udhëtonin i largëti dhe i afërmi, nuk mundi ta arrin përsosmërinë e këtij sundimi përveçse me ushqimin e të varfrit dhe me nderimin e mysafirit.’ (8)

Sadakadhënësi është mbi atë që e merr sadakanë derisa thuhet: ‘Sadakadhënësi e merr peng falënderimin dhe me sadakanë e tij e robëron të lirin.’ (9)

Prandaj ibën Semaki thoshte: ‘Çudi me atë njeri që me pasuri i blen skllevërit dhe me mirësi nuk i blen të lirët!’ (10)

Nga arabishtja: Irfan JAHIU

LEAVE A REPLY

Please enter your comment!
Please enter your name here