Shkuarja e njeriut nga vendbanimi i tij në një vend tjetër, me një largesë prej mbi 88 km dhe me nijet për të qëndruar atje më pak se 15 ditë, njeriun e kthen nga satusi i vendësit (ar. mukim) në statusin e udhëtarit (ar. musafir).
Nëse vendi i synuar është një vendbanim tjetër i tij, atëherë në statusin e udhëtarit mbetet vetëm përgjatë rrugës mbi 88 kilometërshe. Ndërsa me të hyrë në vendbanimin e tij, ai e humbet këtë status dhe automatikisht kthehet në vendës. E njetja gjë vlen edhe kur synohet të qëndrohet diku 15 ditë e më shumë, pra vetëm gjatë rrugës jemi mysafirë dhe me të hyrë në atë vend automatikisht kthehemi në vendës.
Fetarisht për udhëtarin apo mysafirin vlejnë disa rregulla më ndryshe nga ato të mukimit dhe këto rregulla janë lehtësim i madh për të. Prej tyre theksojmë:
1. Mysafirit gjatë statusit të tij si udhëtarë i lejohet mos agjërimi i ramazanit.
2. Periudha kohore e fërkimit të mestve zgjatet nga një ditë e një natë në tri ditë e tri net.
3. Mysafiri nuk e ka për detyrim faljen e namazit të xhumasë.
4. Mysafiri nuk e ka për obligim faljen e namazit të bajramit.
5. Mysafiri nuk e ka për obligim therjen e kurbanit dhe
6. Mysafiri e ka për obligim që namazin farz katër rekatësh ta shkurtojë në dy rekate.
Mirëpo tani shtrohet pyetja: Nëse një njeri për shkak të kurbetit, punës, jetesës më të mirë, shkollimit, etj. shpërngulet nga vendlindja e tij në Maqedoni në një vend tjetër bie fjala në Gjermani. Pastaj ky njeri niset për pushime në Maqedoni dhe këtu synon të qëndrojë p.sh. 10 ditë. Ky kurbetçi a duhet ta shkurtojë namazin në vendlindjen e tij në Maqedoni apo me të hyrë në ish-vendbanimin e tij ai e humb statusin e mysafirit?
Për këtë çështje problematike fukhahatë hanefi kanë dhënë këto shpjegime:
SITUATA E PARË: Kur njeriu largohet tërësisht nga vendbanimi i tij drejt një vendbanimi të ri duke mos lënë asgjë mbas vetes, atëherë ky vendbanim anulohet me të riun.
P.sh.: dikush e merr familjen dhe shet gjithçka që ka në Gostivar për shkak të vendosjes në Berlin, ky njeri nëse vjen në Gostivar dhe synon të qëndroj më pak se 15 ditë, atëherë duhet ta shkurtojë namazin dhe për të vlejnë edhe rregullat tjera të mysafirit, ngase fetarisht Gostivari më nuk llogaritet vendbanim i tij por Berlini.
Imam Merginani [rahimehullah] thotë: Ai që ka një vendbanim dhe prej tij shpërngulet dhe vendoset diku tjetër; pastaj udhëton për në vendbanimin e tij të parë, atëherë namazin e shkurton, ngase (i pari) nuk është më vendbanim i tij. [1]
Imam Kasaniu [rahimehullah] thotë: Vendbanimi esencial (el-vatan el-aslij) anulohet me një të ngjashëm si ai…Ky anulim bëhet kur njeriu vendoset në një vendbanim tjetër dhe prej venbanimit të parë e merr edhe familjen, atëherë ky i pari anulohet nga statusi i vendbanimit esencial, saqë nëse vjen aty si udhëtar, namazi i tij nuk kthehet në katër rekatësh. [2]
Imam Damad Efendiu [rahimehullah] thotë: Vendbanimi esencial (el-vatan el-aslij) është qyteti apo fshati ku njeriu ka lindur apo ka krijuar familje. Ky (vendbanim) anulohet me një të ngjashëm si ai. Nuk duhet harruar se Pejgamberi salallahu alejhi ve selem pas hixhretit veten e tij në Meke e llogariste për mysafir, saqë atje e shkurtonte edhe namazin. [3]
Në këtë situatë janë një numër i vogël i kurbetçinjve tanë dhe kur këta vijnë në vendlindjen e tyre për pushime që zgjasin më pakë se 15 ditë, atëherë namazin farz katër rekatësh e kanë për obligim ta shkurtojnë në 2 rekate, ngase fetarisht llogariten për mysafirë.
SITUATA E DYTË: Kur njeriu largohet tërësisht nga vendbanimi i tij drejt një vendbanimi të ri, duke e lënë mbas vetes familjen. Në këtë rast, si vendbanimi i tij i vjetër ashtu edhe ai i riu janë të njejtë për të. Pra, në asnjërin prej tyre nuk shkurtohet namazi dhe në asnjërin prej tyre njeriu në fjalë nuk llogaritet në statusin e mysafirit.
P.sh.: dikush për shkak të punës apo çka do qoftë shpërngulet nga Gostivari për në Berlin, mirëpo në Gostivar akoma i jeton gruaja apo fëmijët e tij të vegjël, ky njeri me të hyrë në Gostivar e humbet statusin e mysafirit dhe mysafir ngelet vetëm përgjatë rrugës Berlin-Gostivar-Berlin.
Imam Shurunbulali [rahimehullah] thotë: Nëse njeriu vendoset në një vendbanim të ri dhe…nëse në të parin ka familje, atëherë që të dy vendbanimet janë esenciale (el-vatan el-aslij) për të. [4]
Me termin familje në këtë çështje është për qëllim gruaja dhe fëmijët e tij që duhet të kujdeset për ta
E njëjta situatë është edhe kur njeriu krijon familje në dy vendbanime.
Imam Ibrahim Halebiu thotë: Nëse njeriu ka familje në dy vende, atëherë në cilindo qoftë prej tyre të hjyë llogaritet vendës. [5]
Në këtë situatë janë një numër shumë shumë i vogël i kurbetçinjve tanë, për të mos thënë se gati se asnjëri prej tyre nuk ndodhet në kësisoj situate.
SITUATA E TRETË: Kur njeriu largohet tërësisht nga vendbanimi i tij dhe me vete e merr familjen duke e lënë mbas vetes vetëm shtëpinë, atëherë për këtë situatë dijetarët hanefi kanë dy qëndrime edhe atë:
a). Vendi ku i ka mbetur vetëm shtëpia nuk llogaritet më si vendbanim i tij. E nëse ndodh të vijë në këtë vendbanim për vizitë të shkurtër deri në 14 ditore, atëherë namazi 4 rekatësh duhet shkurtuar në 2. Ndërsa mendimi i dytë thotë:
b). Vendi ku i ka mbetur shtëpia apo toka akoma llogaritet si vendbanim i tij dhe ky vendbanim nuk anulohet me vendbanimin e tij të ri, ku jeton, punon apo studion. Pra, në asnjërin prej tyre nuk shkurtohet namazi.
Imam Ibrahim Halebiu thotë: E nëse i vdes gruaja në njërin prej tyre, mirëpo atje akoma e ka shtëpinë dhe tokën, atëherë sipas njërit mendimin ky nuk mbetet më vendbanim i tij, ndërsa sipas mendimit tjetër mbetet akoma. [6]
Në El-Fetava El-Hindijeh potencohet: Nëse njeriu shpërngulet me familjen dhe gjësendet e tija drejt një vendi tjetër, mirëpo në vendbanimin e tij të parë e ka shtëpinë dhe tokën, për këtë situatë thuhet se ky (vendi i shtëpisë) mbetet akoma si vendbanim i tij. Në këtë jep shenjë imam Muhamedi në El-Kitab, siç edhe theksohet nga Zahidiu. [7]
4Imam Ibën Nuxhejmi thotë: Në veprën “El-Muxhteba” pasi potencohen të dy mendimet për rastin kur personi e merr me vete familjen dhe gjësendet e tija, mirëpo pas vetes e lë shtëpinë dhe tokën, thuhet: Kjo duhet të jetë përgjigja për këtë çështje mëse aktuale që jemi sprovuar ne dhe shumë prej myslimanëve banorë të këtyre trojeve, të cilët kanë shtëpi dhe vende në fshatrat e largët dhe atje shkojnë gjatë verës me familjet dhe gjësendet e tyre: duhet ditur mirë se që të dy vendet janë vendbanime të tija dhe njëri-tjetrin nuk e anulojnë. [8]
Në këtë situatë janë shumica absolute e kurbetçinjve tanë, andaj për ta ruajtur nga këputja këtë lidhje të tyre të hollë me vendlidnjen e tyre nëpërmjetë objektit shtëpi, ata duhet të veprojnë sipas mendimit të dytë të kësaj situate.
—–
[1]. Imam Burhanudin Merginani. “El-Hidaje”. Bejrut: Daru ihjai’t-turath, pa vit botimi. Vol. I, fq. 81.
[2]. Imam Alaudin Kasani. “Bedaiu’s-sanai”. Bejrut: Daru’l-kutubi’l-ilmijeh, 1986. Vol. I, fq. 103.
[3]. Imam Damad Efendi. “Mexhmeu’l-enhur”. Kajro: Daru’t-tibaatai’l-amirah, 1910. Vol. I, fq. 164.
[4]. Imam Ebu’l-ihlas Shurunbulali. “Hashijetun ale’d-durar”. Kajro: Daru ihjai’l-kutubi’l-arabijeh, pa vit botimi. Vol. I, fq. 135.
[5]. Imam Ibrahim Halebi. “Halebi Sagir”. Stamboll: Shifa Yayinevi, 2013. Fq. 537.
[6]. “Halebi Sagir”, fq. 537.
[7]. Grup autorësh. “El-Fetava El-Hindieh”. Damask: Daru’l-fikër, 1310H. Vol. I, fq. 142.
[8]. Ibën Nuxhejm Misriu. “El-Bahru’r-raik”. Bejrut: Daru’l-kitabi’l-islami, pa vit botimi. Vol. II, fq. 147.
Shkruan: Hazir Selmani