Kosova në pesë vjetorin e pavarësisë së saj shkruan Dr. Shefqet Krasniqi

0
199
Dr.-Shefqet-Krasniqi
Dr.-Shefqet-Krasniqi

17 shkurti në historinë moderne të Kosovës ka hyrë si një ndër datat më të rëndësishme të saj, dhe s’ka si të mos jetë e tillë kur ajo shënon datën e pavarësimit të saj nga Serbia.

Ishte viti 2008 kur Parlamenti ynë shpalli Pavarësinë, dhe ne përfundimisht u ndamë nga Serbia, u liruam nga robëria, u pavarësuam nga çetnikët dhe drazhistët e Shumadisë e të Nishit dhe të tjerë, të cilët për dekada vranë, prenë, masakruan, e torturuan çdo gjë që “ua turbullonte ujin”. Kjo u bë me ndihmën e Zotit Fuqiplotë, i Cili ia dha “shuplakën” zullumqarit, e pastaj me ndihmën dhe përkrahjen e shumë miqve tanë. Vërtet liria është dhuratë e madhe, të lumtë ne që e pritëm, e inshallah e gëzojmë dhe kurrë më robëri nuk shohim e as nuk përjetojmë!

Mbretëronte bindja dhe besimi se me arritjen e pavarësisë shqiptarët do ta kenë një jetë më të mirë. Kjo për shkak se Kosova ishte në duart e huaja, udhëhiqej nga njerëz të huaj, mbase disa nga ta edhe dashakëqij, por nuk ndodhi ashtu.

Kosova, edhe tash pas pesë viteve pavarësi, vuan thuajse nga po të njëjtat probleme, për të mos thënë se disa prej tyre iu janë shtuar aq sa thuaja po duan ta ngulfasin. Krimet, sidomos ato të organizuara, janë shtuar, madje tash kur po shënohet pesëvjetori raportet flasin për shtatëfishim të krimit dhe drogës, ndërsa qeveria, me respektin me të madh, nuk ka bërë asgjë në luftimin e tyre. Përkundrazi, qeveria ka qenë e gatshme dhe ka shfaqur dhëmbët shumë herë për problemet që nuk ekzistojnë fare, apo ka shpenzuar energji për të shkelur të drejtat, siç kishim dhe kemi të bëjmë me shaminë, thuaja po u bëka nami nëse disa vajza e vendojnë shaminë, e cila në esencë është pjesë e identitetit tonë kombëtar, është veshje e nënave dhe gjysheve tona, është obligim dhe detyrë fetare, është e drejtë individuale dhe pjesë e lirisë për të cilën kemi derdhur gjak dhe kemi dhënë shumë.

Qeveria pati rastin, jo vetëm për të marrë mësim, por edhe për t’u arsyetuar nëse për shaminë i jep llogari dikujt, tash me rastin e Zëvendës-Presidentes së Egjiptit, një gruaje muslimane, të cilën shamia nuk e pengoi të zërë pozitën numër dy në shtetin e saj. Është një rast i veçantë për të kuptuar se shamia nuk pengon avancimin e femrës, se Islami nuk ia mbyll dyert vetëm se të keqes, se edhe me Islam mund të ecim para, madje më sigurt se me gjithë të tjerët. Islami e ndalon dhe lufton drogën, korrupsionin dhe çdo dukuri tjetër negative, por nuk e ndalon dhe as nuk pengon shkollimin dhe emancipimin e femrës, përkundrazi nxit dhe stimulon që ajo sa më shumë të ngritet e të arsimohet.

Të nderuar, Kosova është shtet i yni, të gjithë kemi hise të barabartë në të, ani pse jo të gjithë njëjtë kanë kontribuar, por megjithatë ka diçka çka mbetet për botën tjetër, ndërsa këtu të gjithë duhet të gëzojmë të drejtat tona. Ta gëzojmë të gjithë këtë liri, të punojmë të gjithë për të mirën e vendit tonë, për gjeneratat e ardhme. Nuk duam të bëhemi vetëm kritikë e të shfaqemi opozitë, por duam që liria ta ketë kuptimin e plotë të saj siç e meriton.

Lus Allahun t’i ketë paguar me Xhenet të gjithë ata që për hir të Tij kanë rënë për këtë atdhe, ashtu siç shpresoj se e ardhmja do të jetë në favor të gjithë neve. Allahu na çoftë në hair të gjithëve dhe na largoftë nga çdo e ligë dhe e keqe. Amin dhe deri javën e ardhme me një temë tjetër, selam alejkum.

LEAVE A REPLY

Please enter your comment!
Please enter your name here