Resulullahu sal-lAllahu alejhi ve sel-lem në rininë e vet ka qenë i prirur me virtyte më të mira që mund t’i kishin njerëzit. Ka pasur një koeficient të lartë inteligjence, që shprehej në çdo lëvizje ose në çdo iniciativë të tij. Nuk kishte dëshirë të fliste shumë. I pëlqente vetmia (veçimin), gjë që e bënte në momentet e meditimit dhe të hulumtimit për drejtësi dhe për të gjitha ato gjëra që janë të arritshme për mendjen e njeriut. Meditonte për natyrën, bukuritë e saj, ligjet e natyrës, pastaj për njeriun si individ dhe si pjesëtar të shoqërisë. Pastaj mendonte për besimin, ç’ishte ajo që besonte populli i tij, kujt i për-kulej dhe i lutej, përse merreshin me herezi, me falle etj. Nëse vërente se diku punohej mirë, atëherë edhe ai ngarendte në ndihmë, ndërsa nga veprat e këqija largohej. Nuk pinte alkool, nuk e hante mishin e kafshës të therur në altar, nuk i festonte festat e idhujve. Ishte i pari që ikte nga shirku apo politeizmi. Nuk duronte dot kur dikush bënte be me idhujt Latin dhe Uzatin. Nuk ka dyshim se Resulullahun sal-lAllahu alejhi ve sel-lem e ka ruajtur përcaktimi i Allahut të Lartësuar. Nëse ndodhte që tek ai të zgjohej ndonjë ves i keq njerëzor, ose të nisej pas ndonjë zakoni të padenjë për të, atëherë shfaqej kujdesi Hyjnor që ta ruante nga çdo gjë e keqe.
Ibni Ethiri rrëfen: “Resulullahu sal-lAllahu alejhi ve sel-lem ka thënë: “Kurrë nuk kam qenë i interesuar të bëj atë që bënin arabët paraislamikë, përveçse në dy raste, e nga të dyjat Allahu të Lartësuar më ka nxjerrë nga situata e vështirë. Pastaj, kjo nuk më ka ndodhur deri në fillim të Shpalljes, me të cilën Allahu të Lartësuar më ka nderuar. Një mbrëmje i thashë një djaloshi që ruante delet me mua në kodrat e Mekës: “A mund të kujdesesh për delet e mia, e unë të shkoj në aheng në qytet, sikurse djelmoshat e tjerë?” “Po,” – u përgjigj ai. Unë u nisa dhe, kur arrita te shtëpia e parë në Mekë, dëgjova muzikë, e pyeta: “Ç’është kjo?” Ata mu përgjigjën: “Martohen dy të rinj.” U ula të dëgjoja, e Allahu të Lartësuar m’i mbylli veshët e unë fjeta. Në mëngjes më zgjoi nxehtësia e diellit dhe u ktheva te djaloshi, i cili më pyeti se si e kisha kaluar? Unë i tregova, pastaj vendosa që edhe natën e dytë të veproja kështu. Kur në mbrëmje hyra në Mekë, më ndodhi sikurse natën e kaluar. Pas kësaj ndodhie nuk lejova më të më pushtonte e keqja.”[1]
Transmeton Buhariu nga Xhabir b. Abdullahu, i cili thotë: “Kur është ndërtuar Ka’bja, Resulullahu sal-lAllahu alejhi ve sel-lem dhe Abbasi kanë shkuar të mbartin gurë. Abbasi i thotë Resulullahut sal-lAllahu alejhi ve sel-lem: “Vëre petkun (izarin – pjesën e poshtme) tënd në qafë që të të mos rripet lëkura nga gurët.” Resulullahu sal-lAllahu alejhi ve sel-lem u gjunjëzua, i ngriti sytë nga qielli, pastaj u ngrit e tha: “Izari im, izari im,” dhe e shtrëngoi petkun rreth vet-es.”[2] Në versionin tjetër të hadithit qëndron: “Pas kësaj kurrë më nuk është dukur ndonjë pjesë e turpshme e trupit të tij.”[3]
Resulullahu sal-lAllahu alejhi ve sel-lem është shquar në fisin e vet me gjuhë të bukur, sjellje të mirë dhe me virtyte fisnike. Nga pamja ka qenë më i bukuri në fis, dhe me ahlak – moral më të bukur. Shquhej për butësi dhe përzemërsi. Gjithnjë fliste vetëm të vërtetën. E plotësonte çdo premtim dhe e ruante amanetin e besuar. Populli i tij e quante El-Emin, ndërsa nëna e të gjithë besimtarëve, Hatixhja radijAllahu anha, për të ka thanë : “Është i përsosur sepse ngushëllon të humbu-rin, gostit mysafirin dhe ndihmon në brenga.”[4]
Nga Libri: “Nektari i vulosur i xhenetit”
____________________________
[1] Ekziston mospajtimi rreth asaj nëse është ky hadith sahih. Hakimi dhe Zehebi e njohin në sahih, ndërsa Kethiri në Daif. Shih: El-Bidajetu ve-n-nihajetu: II/287.
[2] Sahihu-l-Buhari – kaptina mbi ndërtimin e Ka’bes: I/540.
[3] Vepra e njëjtë krahas me shpjegimin e Kastalanit.
[4] Sahihu-l-Buhari: I/3.