Gjigantët e internetit bashkohen kundër SHBA-së

Gjigantët e internetit bashkohen kundër SHBA-së

Katër gjigantë të internetit, “Google”, “Facebook”, “Amazon” dhe “Ebay” kanë bashkuar forcat për të krijuar një grup të fuqishëm lobues kundër qeverisë së Shteteve të Bashkuara të Amerikës, në lidhje me vendimarrje që prekin çështjet e internetit.

”Shoqata e Internetit”, siç do të quhet grupi, do të hapë zyrat e saj në shtator dhe do të merret me çështje të natyrës politike, administrative dhe rregulluese.

”Google” dhe “Facebook” shpenzojnë aktualisht shuma të mëdha për lobimet politike.

Lobimi është një prej industrive më të mëdha ekonomike në SHBA, me rreth 3,3 miliardë dollarë që shpenzohen çdo vit, në përpjekje për të ndikuar ligjvënësit në lidhje me çështje të ndryshme, shkruan tch.

Sipas Qendrës për Përgjegjshmëri Politike, “Google” shpenzoi 3,9 milionë dollarë në lobime nga prilli në qershor 2012. Në të njëjtën peridhë, “Facebook” pagoi 960 mijë dollarë.

Nëpërmjet formimit të kësaj shoqate, gjigantët e internetit synojnë të krijojnë një front të bashkuar, që t’i përfaqësojë për përmirësimin e legjislacionit apo përfaqësimin në çështje të ndryshme në të ardhmen.

Ligje të reja mbi piraterinë dhe për nivelin e mbrojtjes së adresave të internetit kanë shkaktuar protesta të mëdha në SHBA. Si rrjedhojë, “Wikipedia” mbylli për 24 orë shërbimin e saj në janar, për të kundërshtuar këto projektligje./ekuiliber/