DOBITË E AGJËRIMIT

0
220

Agjërimi është një ndër adhurimet më të dobishme dhe gjurmët e tij në pastrimin e shpirtit dhe në përmisimin e moralit janë shumë të mëdha.

Prej dobive të agjërimit është se ai në shpirtin e muslimanit mbjell frikërespekt dhe devotshmëri ndaj Allahut, azze ue xhel: “O ju që besuat, agjërimi u është bërë obligim sikurse që ishte obligim edhe i atyre që ishin para jush, kështu që të bëheni të devotshëm”Bekare 183.

Prej dobive të agjërimit është se ia mëson njeriut përballjen dhe durueshmërinë, dhe kjo vjen si rezultat i durimit të tij prej largimit nga epshet dhe pasionet.

Prej dobive të agjërimit është se ia mundëson njeriut të del fitimtar kundrejt epshit të tij. Shpirti i njeriut fort anon kah epshet dhe pasionet dhe kur shpirtit i plotësohet dëshira që gjithmonë ta merr atë çka e dëshiron, atëherë njeriu është në rrezik të madh prej devijimeve që përfundimi i tyre padyshim se është i keq. Allahu, azze ue xhel, thotë: “Shpirti (i njeriut) është fort I prirur për të keqe, përveç atij që e mëshiron Zoti im.” Jusuf 53.

Prej dobive të agjërimit është se e dobëson lëvizjen e shejtanit në trupin e njeriut, për shkak se ai lëviz në trupin e birit të Ademit ashtu si lëviz gjaku i tij në trup. Kur njeriu ia mundëson vetes të gjitha gjërat që i dëshiron epshi i tij, ia hap derën shejtanit të depërton më lehtë dhe ta mbisundon mendjen dhe shpirtin e njeriut.

Prej dobive të agjërimit është se ai ia rikujton njeriut begatitë e Allahut ndaj tij. Kur e kaplon etja dhe uria i rikujtohet se Allahu ia lehtëson atij furnizimin e ushqimeve dhe pijeve dhe e sheh se sa ka nevojë krijesa për Krijuesin dhe me këtë e rrit falënderimin ndaj Tij.

Prej dobive të agjërimit është se ai e nxit njeriun në bamirësi ndaj fukarave dhe nevojtarëve. Agjëruesin kur e kaplon uria dhe etja i rikujtohet gjendja e fukarave dhe kjo e nxit në bamirësi dhe lëmoshë ndaj tyre.

Prej dobive të agjërimit është se e mposht kryelartësinë dhe mendjemadhësinë ndaj njerëzve. Kur agjëron i pasuri dhe fukaraja, mbreti dhe dijetari, fisniku dhe tradhtari, atëherë robit i rikujtohet se nuk e dallon njërin prej tjetrit, përveç se devotshmëria dhe se njerëzit të gjithë janë robër të Allahut dhe për të gjithë vlejnë të njëjtat dispozita.

Prej dobive të agjërimit është se i bashkon muslimanët dhe i afron njërin me tjetrin. Ata agjërojnë në të njëjtën kohë, e hanë iftarin në të njëjtën kohë dhe kjo ndikon në afrimin e tyre dhe largimin e përçarjeve dhe mosmarrëveshjeve.

Prej dobive të agjërimit poashtu është se e lehtëson veprimin e adhurimeve. Kush e vëren gjendjen e agjëruesve në Ramazan, adhurimet e tyre dhe mirësitë që i veprojnë ata, do të bindet se agjërimi është një prej shkaqeve kryesore të udhëzimit dhe e kupton thënien e Allahut, azze ue xhel: “Mirëpo, po qe se e dini, agjërimi është më i mirë për ju” Bekare 184, dhe thënien e Pejgamberit, sal-allahu alejhi ue selem: “Agjërimi është mburojë.”

Dhe në fund prej dobive të agjërimit është se e mbron trupin prej sëmundjeve dhe zemrën prej moraleve të shëmtuara.

DR. SALIH EL FEUZAN

Nga arabishtja: Irfan JAHIU

LEAVE A REPLY

Please enter your comment!
Please enter your name here