Dita e Fundit është Dita e Kiametit. Në këtë Ditë njerëzit do të ringjallen për të dhënë llogari para Allahut, në mënyrë që të marrin shpërblimin për veprat e tyre. Kjo ditë është emërtuar kësisoj sepse pas saj nuk ka asnjë ditë tjetër. Në atë Ditë xhenetlitë do të hyjnë në Xhenet, kurse xhehenemlitë në Xhehenem.
Besimi në Ditën e Fundit përfshin tri çështje:
Besimi në Ringjalljen. Kjo do të thotë se të vdekurit do të ringjallen, kur i fryhet surit (burisë) për herë të dytë. Njerëzit do të dalin para Zotit të botëve. Ata do të jenë të zbathur, të zhveshur dhe të pasynetuar. Allahu i Lartësuar thotë: “Ashtu siç e filluam krijimin e parë, do ta përsërisim atë. Ky është premtimi Ynë. Ne do ta bëjmë këtë me të vërtetë.” (El Enbija, 104).
Ringjallja është një e vërtetë që e konfirmojnë Libri i Allahut, Suneti dhe konsensusi i muslimanëve. Allahu i Lartësuar thotë: “Mandej, pas kësaj ju do të vdisni, pastaj, ju me siguri që do të ringjalleni në Ditën e Kiametit.” (El Muminun, 15-16).
Ndërkaq, i Dëguari ﷺ thotë: “Në Ditën e Kiametit njerëzit do të ringjallen këmbëzbathur, të zhveshur dhe të pasynetuar.” (Shënojnë Buhariu dhe Muslimi).
Muslimanët janë të njëzëshëm se njerëzit do të ringjallen. Gjithashtu, urtësia e Allahut është që këto krijesa të kenë një cak përfundimtar, ku Allahu do t’i shpërblejë ata sipas asaj që ishin urdhëruar të punonin përmes gjuhës së të dërguarve të Tij. Allahu i Lartësuar thotë: “Mos vallë, keni menduar që Ne ju kemi krijuar kot dhe që nuk do të ktheheshit te Ne (për t’ju gjykuar)?!” (El Muminun, 115).
Allahu iu drejtua të Dërguarit të Tij ﷺ: “Me të vërtetë, Ai që ta ka urdhëruar ty (Muhamed) Kuranin, do të të kthejë në vendin e caktuar. Thuaj: “Zoti im e di mirë se kush sjell udhëzim të drejtë dhe kush është në humbje të qartë.” (El Kasas, 85).
Besimi në llogarinë dhe në shpërblimin. Çdo njeri do të llogaritet për veprat e tij dhe do të shpërblehet për to. Këtë e argumentojnë Kurani, Suneti dhe konsensusi i muslimanëve. Allahu i Lartësuar thotë: “Pa dyshim, ata do të kthehen të gjithë tek Ne dhe patjetër që do të japin llogari para Nesh!” (El Gashije, 25-26).
Gjithashtu, Allahu thotë: “Kush bën një vepër të mirë, do të shpërblehet dhjetëfish. Kush bën një vepër të keqe, do të dënohet vetëm sipas gjynahut që ka bërë dhe nuk do t’i bëhet kurrfarë padrejtësie.” (El Enam, 160).
Po ashtu, Allahu thotë: “Dhe në Ditën e Kiametit, Ne do të vendosim peshore të sakta e askush nuk do të pësojë asnjë padrejtësi. Ne do të sjellim (për gjykim) çdo vepër, qoftë kjo edhe sa pesha e një kokrre sinapi. Ne jemi të mjaftueshëm për llogaritje.” (El Enbija, 47).
Ibn Omeri, Allahu qoftë i kënaqur me ta, përcjell se i Dërguari ﷺ ka thënë: “Allahu do të afrojë një besimtar pranë Tij (në Ditën e Llogarisë). Do ta mbulojë me Perden e Tij dhe do ta pyesë: “A e di këtë e atë gjynah që ke kryer?” Do t’i thotë: “Po, o Zoti im.”Me t’i dëshmuar të gjitha gjynahet e kryera, do të mendojë se u shkatërrua plotësisht. Porse, Ai do t’i thotë: “Unë me të vërtetë t’i kam fshehur gjynahet në dynja dhe po Unë do të t’i fal ato sot.” Kështu, atij do t’i jepet libri i veprave të tij të mira. Sa u përket mohuesve dhe hipokritëve (veprat e tyre të liga dhe të padrejta do të shpallen hapur), dëshmitarët do të thonë: “Këta janë ata që kanë gënjyer kundër Zotit të tyre. Me të vërtetë, mallkimi i Allahut qoftë mbi të padrejtët.” (Shënojnë Buhariu dhe Muslimi).
Është konfirmuar se i Dërguari ﷺ ka thënë: “Nëse ndokush vendos të kryejë ndonjë vepër të mirë duke e përmbushur me të vërtetë, Allahu do t’ia shkruajë atij shpërblimin e saj nga dhjetëfishi deri në shtatëqindfish, madje edhe më tepër. Ndërkaq, atij që vendos të bëjë atë (vepër të keqe) duke e kryer me të vërtetë, Allahu do t’ia shkruajë një të keqe vetme.” Muslimanët kanë konsensus për vërtetësinë e llogarisë dhe shpërblimit të veprave, ngase këtë e dëshmon edhe arsyeja e shëndoshë. Allahu ka shpallur libra, ka çuar të dërguar dhe përmes tyre i ka obliguar njerëzit t’ua pranojnë mësimet dhe të veprojnë në përputhje me porositë e tyre. Ai e ka obliguar luftimin e kundërshtarëve të Vet duke ua lejuar gjakun, pasardhësit, gratë dhe pasurinë e tyre. Po të mos kishte llogari dhe shpërblim për veprimet e bëra, e tërë kjo do të ishte kotësi, larg së cilës është Zoti, i Urti (në gjykim). Allahu ka sinjalizuar rreth kësaj tek thotë: “Pa dyshim, Ne do të kërkojmë llogari prej popujve që u kemi çuar të dërguar, e patjetër që do t’i pyesim edhe të dërguarit. Dhe do t’ua paraqesim atë çfarë kanë bërë, sepse i dimë plotësisht dhe kemi qenë të pranishëm.” (El Araf, 6-7).
Besimi në Xhenetin dhe në Xhehenemin. Ata janë vendbanimet e përjetshme të krijesave. Xheneti është vend i begative, që Allahu ua ka përgatitur besimtarëve të devotshëm, atyre që besojnë në atë që Allahu e ka bërë obligim, që e respektojnë Allahun dhe të Dërguarin e Tij, duke qenë të sinqertë ndaj Allahut dhe duke e pasuar të Dërguarin e Tij. Aty (në Xhenet), do t’i kenë të gjitha llojet e kënaqësive: “Çka syri s’ka parë, çka veshi s’ka dëgjuar dhe çka asnjë zemër njeriu nuk ka mundur të imagjinojë.” Allahu i Lartësuar thotë: “Pa dyshim, ata që besojnë dhe punojnë vepra të mira – pikërisht ata janë krijesat më të mira. Shpërblimi i tyre është te Zoti i tyre: kopshtet e Adnit, nëpër të cilat rrjedhin lumenj e ku do të banojnë përherë. Allahu është i kënaqur me ata dhe ata janë të kënaqur me Atë. Kjo është dhurata për ata që e kanë frikë Zotin e vet.” (El Bejine, 7-8).
Gjithashtu, Allahu i Lartësuar thotë: “Askush nuk di se çfarë gëzimesh janë fshehur për ata (në jetën tjetër), si shpërblim për punët e mira që kanë bërë.” (Es Sexhde, 17).
Në anën tjetër, Xhehenemi është vendi i ndëshkimit, që Allahu e ka përgatitur për jobesimtarët zullumqarë, të cilët e mohuan Allahun dhe ishin të pabindur kundrejt të dërguarve të Tij. Aty janë të gjitha llojet e dënimit dhe të të këqijave, që asnjë njeri nuk mund t’i marrë me mend.
Allahu i Lartësuar thotë: “Dhe ruajuni zjarrit, i cili është përgatitur për jobesimtarët!” (Ali Imran, 131).
Gjithashtu, Allahu thotë: “Ne kemi përgatitur për mohuesit keqbërës (jobesimtarët) një zjarr, që do t’i rrethojë nga të gjitha anët (si çadra). Nëse do të kërkojnë ndihmë, do t’u jepet një ujë si xehja e shkrirë, që do t’ua përcëllojë fytyrat. Sa pije e tmerrshme është ajo e sa strehim i keq është ai (zjarri)!” (El Kehf, 29).
Po ashtu, thotë: “Me të vërtetë, Allahu i ka mallkuar jobesimtarët dhe ka përgatitur për ata zjarr të flakëruar, në të cilin ata do të qëndrojnë përgjithmonë; aty nuk do të gjejnë as mbrojtës, as ndihmës. Ditën kur fytyrat e tyre do të rrotullohen në zjarr, ata do të thonë: “Ah, sikur t’i ishim bindur Allahut dhe të Dërguarit!” (El Ahzab, 64-66).
Besimit në Ditën e Fundit i shtohet edhe besimi në ndodhitë e pasvdekjes, siç janë:
a) Sprovimi në varr. I vdekuri, me t’u varrosur, do të pyetet për Zotin, për fenë dhe për të dërguarin e vet. Allahu do t’i forcojë besimtarët me fjalë të qëndrueshme për të thënë: Zoti im është Allahu, feja ime është Islami e i dërguari im është Muhamedi ﷺ. Ndërkaq, jobesimtarëve keqbërës do t’ua pamundësojë përgjigjen. Qafiri do të belbëzojë: ah…, ë…, nuk e di. E, hipokriti ose ai që mëdyshej do të thotë: Nuk e di. Kam pasë dëgjuar njerëz tek thoshin diçka, e ashtu thosha edhe unë.
b) Dënimi dhe begatimi në varr. Sa i përket dënimit në varr, atë do ta përjetojnë hipokritët dhe jobesimtarët keqbërës. Allahu i Lartësuar thotë: “Ah sikur t’i shihje keqbërësit gjatë agonisë së vdekjes, kur engjëjt zgjasin duart (duke thënë): “Dorëzoni shpirtrat tuaj! Sot ju do të ndëshkoheni me dënim poshtërues për shkak të të pavërtetave që keni thënë për Allahun dhe që keni shpërfillur shpalljet e Tij.” (El Enam, 93) Në lidhje me ithtarët e Faraonit, Allahu i Lartësuar thotë: “Ata do të çohen para Zjarrit në mëngjes dhe mbrëmje (në jetën e varrit) e, kur të arrijë Ora (e Kiametit), do të thuhet: “Hidhni ithtarët e Faraonit në dënimin më të rëndë!” (Gafir, 46).
Në Sahihun e Muslimit, përcjellë nga Zejd ibn Thabiti, shënohet se Pejgamberi ﷺ ka thënë: “Sikur të mos vdisnit (me t’i dëgjuar), do ta lutja Allahun t’jua mundësojë t’i dëgjonit ndëshkimet në varr, që i dëgjoj unë.” Më pas u kthye nga ne dhe tha: “Kërkoni Allahut t’ju mbrojë prej dënimit të Zjarrit.” Ata thanë: “I kërkojmë Allahut të na mbrojë prej dënimit të Zjarrit.” Ai tha: “Kërkoni Allahut t’ju mbrojë prej dënimit të varrit.” Ata thanë: “I kërkojmë Allahut të na mbrojë prej dënimit të varrit.”Ai tha: “Kërkoni Allahut t’ju mbrojë prej sprovave të dukshme dhe të fshehta.” Ata thanë: “I kërkojmë Allahut të na mbrojë prej sprovave të dukshme dhe të fshehta.” Ai tha: “Kërkoni Allahut t’ju mbrojë prej sprovës së Dexhalit.” Ata thanë: “I kërkojmë Allahut të na mbrojë prej sprovës së Dexhalit.” Ndërkaq, sa u përket begative në varr, ato janë për besimtarët e sinqertë. Allahu i Lartësuar thotë: “Me të vërtetë, atyre që thonë: “Zoti ynë është Allahu”, e pastaj vazhdojnë të vendosur në rrugën e drejtë, do t’u zbresin engjëjt (para vdekjes) e do t’u thonë: “Mos u frikësoni dhe mos u pikëlloni! Dhe gëzojuni Xhenetit që ju është premtuar.” (Fussilet, 30).
Gjithashtu, Allahu i Lartësuar thotë: “Atëherë, përse kur (dikujt) i vjen (shpirti) në grykë para syve tuaj, ndërkohë që Ne jemi më afër atij se ju, por ju nuk e vini re – përse pra, nëse nuk do të gjykoheni (në jetën e përtejme), ju nuk ia ktheni shpirtin atij? Përgjigjjuni kësaj, nëse thoni të vërtetën! Kështu, nëse ai (në agoni) është nga ata që janë të afërt (me Allahun), do të ketë prehje, kënaqësi dhe dhunti të Xhenetit.” (El Uakia, 83-89). Deri në fund të kësaj sureje.
El Bera ibn Azib, Allahu qoftë i kënaqur me të, përcjell se Pejgamberi ﷺ lidhur me besimtarin, tek u përgjigjet dy engjëjve në varrin e tij, ka thënë: “Një thirrës do të thërrasë nga qielli: “Robi im ka thënë të vërtetën. Shtrojini dyshek Xheneti, visheni me veshje Xheneti dhe hapjani një derë për në Xhenet.” Tha: “Atij i vjen fllad dhe një erë e mirë. Më pas, i zgjerohet varri aq sa mund t’i shohë syri.” (Shënojnë Ahmedi dhe Ebu Davudi, pjesë nga hadithi i gjatë).
SHPJEGIMI I BAZAVE TË BESIMIT IBËN UTHEJMIN