Urtësitë e martesës

0
226

1. Nuk ka dyshim se njeriu nëpërmjet martesës ruan ekzistencën e trashëgimtarëve dhe vazhdueshmërinë e tyre. Allahu i madhëruar thotë në një ajet kuranor: “Ai ju ka bërë pasardhës të njëri-tjetrit në Tokë”. En’Am,165. Mëkëmbja në tokë dhe pasardhësit nuk mund të vijnë si rezultat i një individi të vetëm, sado i fuqishëm, me pozitë dhe jetëgjatë qoftë ai. Që të arrihet një gjë e tillë, patjetër që ka nevojë për partnerin tjetër me të cilin do të martohet dhe prej të cilëve do të arrihet shumimi dhe do vazhdojë ekzistenca.

2. Arritja e prehjes si për mashkullin ashtu dhe për femrën. Prej urtësisë së Allahut është që çdo individ të formohet me dëshirën e përkatësisë dhe ndjenjës për familjen. Individi pasi arrin një moshë të caktuar, rritet tek ai një ndjenjë natyrore për shokun e jetës, i cili do të mbushë e plotësojë boshllëqet e tij, si dhe do të jetë prehje dhe qetësi për të.

Është vërtetuar se vetmia është shkak i pikëllimit, egërsisë dhe shqetësimit, prandaj njeriu duke qenë një qenie sociale, ka nevojë për bashkëshorten e tij në mënyrë që të ndaj me të gëzimet dhe hallet, kënaqësitë dhe shqetësimet.

3. Ato janë petk për ju e ju jeni petk për ato.

“Tani është e lejuar për ju që, gjatë netëve të agjërimit, të shkoni me bashkëshortet tuaja. Ato janë petk për ju e ju jeni petk për ato.” El Bekare,187.

Në këtë ajet Allahu i madhëruar i ka krahasuar bashkëshortët me rrobën, petkun; dhe nëse do të meditonim do ta gjejmë se kjo cilësi është më se e vërtetë në lidhje me bashkëshortët.

a) Petku dhe rroba janë mbulesë: edhe bashkëshortët janë mbulesë për njëri-tjetrin, sepse jeta bashkëshortore është e ndërtuar mbi fshehjen dhe mbulimin e të metave të njëri-tjetrit, jo mbi shpalosje dhe përfolje. Profeti -salallahu alejhi ue selem- ka thënë: “Një ndër njerëzit më të këqij tek Allahu Ditën e Gjykimit, është ai burrë që fle me bashkëshorten e tij dhe më pas ia nxjerr në shesh të fshehtat e saj”.([1])

Sa mirë do të ishte që mbulimi dhe fshehja të jetë moto për bashkëshortët, jo vetëm në çështjet e shtratit, por në çdo aspekt të jetës, sidomos në konflikte dhe probleme, sepse në momentin që problemet bashkëshortore hapen, mbyllja dhe ndreqja e tyre bëhet më e vështirë.

b) Petku është ruajtje dhe mburojë: Në fakt të gjithë e dimë se njerëzit rrobën dhe petkun e përdorin si mburojë dhe ruajtje, në dimër dhe në verë.

Mburoja që i japin bashkëshortët njëri-tjetrit është njësoj si rroba, madje mburoja e tyre është edhe më e madhe, sepse ata e mbrojnë njëri-tjetrin nga rënia në prostitucion. Pra, gruaja është mburojë për burrin e saj, sepse ajo i dhuron ngrohtësi me dëlirësinë e saj duke e bërë kështu të ruajtur nga rënia në imoralitet dhe lidhje të ndaluara. Në një hadith thuhet: “Nëse dikush sheh ndonjë femër e cila e mahnit, atëherë le të shkojë e të flejë me gruan e tij, sepse kjo mund t’ia largojë atë që ka në zemër”.([2])

c) Petku është kompletim dhe bukuri. Në momentin kur njeriu është pa rroba, ai ndien mangësi në vetvete dhe pasi vishet ndihet i kompletuar; madje petku dhe rroba janë stoli dhe zbukurim për të. Kështu janë dhe bashkëshortët për njëri-tjetrin, ata plotësojnë dhe zbukurojnë partnerin. Pra, gruaja u krijua nga burri dhe burri u krijua për gruan, në mënyrë që të plotësojnë njëri-tjetrin.

 

Përzgjodhi dhe përshtati: Bledar Haxhiu

Burimi Jetës

LEAVE A REPLY

Please enter your comment!
Please enter your name here