Udhëzimi i tij për kurimin me mjaltë, kupa dhe djegie

0
272

 

Udhëzimi i tij për kurimin me mjaltë, kupa dhe djegie

Në Sahih-un e Buhariut është rrëfimi nga Seid ibn Xhubejri, që përcjell prej Ibn Abasit, e ky nga Pejgamberi (s.a.u.s.), se: “Shërimi ndodhet në tri gjëra: te konsumimi i mjaltit, te hixhame-ja (heqja e gjakut me kupa) dhe në djegien me zjarr. Por unë e ndaloj umetin tim nga djegia me zjarr (kauterizimi).”1

Në lidhje me këtë, Ebu Abdullah El Maziri ka thënë: “Gjendjet pletorike (me tepri substancash) vijnë nga tepria ose e gjakut, ose e vrerit të verdhë, ose e këlbazës, ose e vrerit të zi. Nëse shkak është gjaku i tepërt, ai shërohet duke e nxjerrë jashtë atë (me hixhame ose kupa). Nëse shkak janë tri rastet e tjera, shërimi bëhet duke larguar secilën prej tyre me mënyrat e përshtatshme. Pejgamberi (s.a.u.s.) na ka mësuar se mjalti shërben si laksativ, ndërsa me hixhame mund të heqësh gjakun (e keq).”

Disa njerëz thonë se: nëse edhe hixhame-ja nuk sjell rezultatin e duhur, mënyra e fundit është djegia me zjarr, sepse Pejgamberi (s.a.u.s.) e ka përdorur atë në rastet kur ilaçet që merren nuk janë efikase. Por në hadith thuhet: “Unë e ndaloj umetin tim nga djegia me zjarr.” Gjithashtu, në një hadith tjetër, ai ka thënë: “Unë nuk preferoj të mjekohem me djegie.”2 Kjo tregon se mjekimi me djegie duhet evituar sa të jetë e mundur, ose të përdoret veçse në rastet e domosdoshme. Nuk duhet të nxitohemi e të shkojmë në përdorimin e një metode kaq të dhembshme, ndërkohë që ka mënyra të tjera më të buta.

Disa doktorë thonë që sëmundjet e lidhura me temperamentin janë materiale ose jomateriale. Ato të kategorisë materiale janë ose të ftohta, ose të nxehta, ose të lagështa, ose të thata, ose ndërthurje të këtyre gjendjeve. Nga katër gjendjet, nxehtësia dhe ftohtësia janë ndikuese, ndërsa dy të tjerat, thatësia dhe lagështia, janë zakonisht të ndikuara.

Sëmundjet e temperamentit shkaktohen zakonisht nga ajo gjendje ndikuese që është më e fortë: nxehtësia apo ftohtësia. Fjala e Profetit (s.a.u.s.) na orienton te zanafillat e sëmundjeve, nxehtësia dhe ftohtësia. Nëse sëmundja është e nxehtë, kurimi mund të bëhet me heqje të gjakut nëpërmjet kupave ose me shpim të venave. Kjo ndihmon si për pastrimin nga substancat dëmtuese, ashtu edhe për ftohjen e temperamentit. E nëse sëmundja është e ftohtë, ne e trajtojmë atë me nxehtësi, si, për shembull, me përdorimin e mjaltit. Nëse duhet që, përveç nxehjes, të nxjerrim nga organizmi edhe substancën e ftohtë që ka shkaktuar sëmundjen, mjalti e plotëson më së miri këtë kusht. Ai jo vetëm që ndihmon në maturimin e substancave të ndryshme, por ka edhe veti pastruese dhe zbutëse për organet e prekura. Me cilësi të tilla, mjalti bën që lëndët dëmtuese të dalin nga trupi me butësi, duke e ruajtur atë (trupin) nga acarimi që krijon përdorimi i një laksativi të fortë.

*** Sëmundjet fizike janë ose akute, e për këtë arsye nuk kanë nevojë për kauterizim, sepse largohen shpejt, ose kronike, rast kur djegia shërben më së miri për gjymtyrën e lënduar, por, pasi të jetë provuar heqja e substancave dëmtuese.

Sëmundjet kronike janë zakonisht pasojë e substancave të ftohta dhe veshtullore, që ngjiten pas organit të prekur, duke e sëmurur atë, duke i prishur strukturën e, rrjedhimisht, duke pezmatuar pjesët e trupit që janë të lidhura drejtpërdrejtë me organin e prekur. Për këtë arsye, djegia mund të përdoret për të asgjësuar dhe nxjerrë substancat dëmtuese nga organi i prekur.

Hadithi shpjegon trajtimin e të gjitha llojeve të sëmundjeve fizike, ashtu siç mësuam mënyrën e shërimit të sëmundjeve të thjeshta (me ethe) nga hadithi: “Zjarrmia është një afsh i nxehtë që lëshon Xhehenemi, prandaj ftoheni atë me ujë!” Sa i përket mjekimit nëpërmjet hixhame-s, pra, duke e nxjerrë gjakun me anë të kupave, janë transmetuar disa hadithe.  Kështu, në Sunen-in e Ibn Maxhes është një hadith nga Xhebara ibn Mugale, – një transmetues i dobët – i cili e përcjell atë prej Kethir ibn Sulejmit, që tregon se e ka dëgjuar Enes ibn Malikun të rrëfejë që Pejgamberi (s.a.u.s.) ka thënë: “Natën e Israsë, sa herë që kaloja pranë ndonjë grupi (engjëjsh), ata më thoshin: „Urdhëroje umetin tënd për (të bërë) hixhame!‟”1 Këtë hadith, Tirmidhiu e ka sjellë përmes rrugës së Ibn Abasit, dhe në të thuhet se engjëjt e porosisnin atë duke i thënë: “Bëj hixhame, o Muhamed!”2

Në dy Sahih-ët është rrëfimi prej Tausit, i cili përcjell prej Ibn Abasit, se: “Pejgamberi (s.a.u.s.) ka kryer hixhame dhe i ka dhënë hixhamtarit shpërblimin për punën e tij.”3

Në dy Sahih-ët, gjithashtu, është rrëfimi prej Humejd El Tauilit, i cili përcjell prej Enesit se, njëherë, Pejgamberit (s.a.u.s.) i bëri hixhame Ebu Tajbeja, për të cilin Pejgamberi (s.a.u.s.) urdhëroi që t‟i jepen dy sa me ushqime, dhe pastaj tha: “Mënyra më e mirë me të cilën mund të mjekoheni është hixhame-ja.”4

Në librin El Xhamiu të Tirmidhiut, është një rrëfimi prej Abad ibn Mensurit, se e ka dëgjuar Ikriman të thotë se Ibn Abasi kishte tre robër, që bënin hixhame: dy nga ata punonin dhe i jepnin atij një pjesë të fitimit, ndërsa i treti i bënte hixhame atij vetë (Ibn Abasit) dhe familjes së tij. Ibn Abasi tregonte se Pejgamberi (s.a.u.s.) ka thënë: “Sa rob i mirë është ai që u bën hixhame të tjerëve! Ai ua largon gjakun (e keq), i lehtëson dhe ua shkëlqen (forcon)   shikimin.” Ai thoshte, gjithashtu, se “kur Pejgamberi (s.a.u.s.) u ngjit në qiell (natën e Israsë dhe Miraxhit), sa herë që kalonte pranë ndonjë grupi melekësh, ata i thonin:  „Bëj hixhame!‟”

 

 

Source link

LEAVE A REPLY

Please enter your comment!
Please enter your name here