Sprova familjare e Ademit alejhi selam

0
229

Xhasim Mutava

Ademi a.s dhe qetësia shpirtërore

Hyrje

Kur Zoti ia plotësoi begatitë Ademit a.s, duke krijuar nga brinja e tij gruan e tij  që të jetë më pranë zemrës së tij, më e dashur dhe të mos bëjë dot pa të, i dërgoi të banojnë në xhenet. Atje i paralajmëroi nga rreziku i shejtanit dhe grackave të tij. Në xhenet do të shijonin gjithçka, përveç një peme të caktuar, të cilës as nuk do i afroheshin. Një fakt të tillë e përmend Zoti në Kuran, ku thotë:

“Ne thamë: “O Adem, jeto ti dhe gruaja jote në Xhenet dhe aty hani sa të doni e kur të doni, por mos iu afroni kësaj peme, se ndryshe do të bëheni të padrejtë”. (Bekare, 35)

Diçka e tillë ishte fillimi i sprovës familjare te Ademit a.s dhe Havase. Më poshtë do të përmendim llojet e sprovave dhe urtësinë e tyre, duke e pasuruar me konkluzionet që përftohen prej tyre.

Metodat e përdorura nga shejtani për të mashtruar Ademin a.s dhe Havanë

E para: Tundimi për të qenë i përjetshëm. Ai u tha:”

“Zoti juaj jua ka ndaluar pemën, vetëm që të mos bëheni engjëj ose të pavdekshëm.” (Araf, 20)

E dyta: Joshja seksuale. Pasi e nxiti Havanë për të ngrënë nga pema, ajo i kërkoi edhe Ademit të hajë.

E treta: Përdori fenë, duke u betuar se është i sinqertë.

“Dhe iu betua atyre (duke thënë): “Vërtet, Unë jam për ju këshillues i sinqertë!” (Araf, 21)

Me gjithë këto joshje dhe tundime, Ademi a.s dhe Havaja e harruan faktin që shejtani ishte armiku dhe kundërshtari i tyre. Ata e harruan që Zoti ua ndaloi të dëgjojnë dhe t’u binden fjalëve të shejtanit. Rezultati i kësaj ishte se si Ademit a.s ashtu edhe Havasë iu zbuluan pjesët e turpshme. Me t’u zbuluar pjesët e tyre të turpshme, ata filluan të mbulohen me gjethe pemësh në Xhenet. Këtë e përshkruan dhe Zoti në Kuran:

“Pasi e shijuan frutin, atyre iu zbuluan vendet e turpshme dhe nisën të mbulohen me gjethet e Xhenetit.” (Araf, 22)

Ata e kuptuan gabimin e tyre, u ndërgjegjësuan për fajin që kishin bërë, prandaj u penduan dhe i kërkuan Zotit falje dhe mëshirë.

“Ata thanë: “O Zoti ynë! Ne e kemi futur veten në gjynah, prandaj, nëse Ti nuk na fal dhe nuk na mëshiron, ne vërtet që do të jemi nga të humburit”. (Araf, 23)

Konkluzionet nga kjo sprovë familjare

I pari: Ndalimi nga një vepër e keqe, bëhet në disa mënyra: Duke dhënë urdhëra të drejtpërdrejtë, duke e mësuar si të mos bjerë në gabim, duke ia bërë të mundur t’a zbulojë vetë etj…

I dyti: Përgjegjësia për gabimin e bërë bie mbi të dy, si mbi Ademin a.s ashtu dhe mbi Havanë. Diçka të tillë e vërejmë qartë në mënyrën si u drejtohet Zoti të dyve në Kuran, ku u drejtohet me numrin shumës, pra të dyve:

“jeto ti dhe gruaja jote në Xhenet

“por mos iu afroni kësaj peme, se ndryshe do të bëheni të padrejtë”.

“Djalli u pëshpëriti të dyve”

“Dhe iu betua atyre

“Pasi e shijuan frutin

“Zoti i tyre i thirri: “A nuk jua kisha ndaluar atë pemë?”

Nëse do të ishte Havaja shkaktare e gjithë asaj që ndodhi – siç mendojnë shumë njerëz – nuk ka përse të kritikohej Ademi a.s. Në fakt, ekziston një hadith tek i cili mbështeten ata që fajësojnë Havanë për ngrënien nga pema. Thotë Profeti a.s në këtë hadith:”Nëse nuk do të ishte Havaja, asnjë grua nuk do e tradhëtonte të shoqin e saj.” (Buhari 3/1212, hadithi 3152)

Këtu nuk bëhet fjalë për tradhëti bashkëshortore të Havasë, por për faktin që hëngri dhe e shtyri dhe Ademin a.s të hajë nga pema.

Ky hadith, tregon se femra në përgjithësi luan një rol të rëndësishëm në joshjen e burrit drejt gjynahut.

I treti: Profetët janë njerëz dhe mund të harrojnë.

Transmeton Abdullah ibnu Mesudi se Profeti a.s ka thënë:”Unë jam njeri dhe harroj ashtu siç harroni edhe ju. Prandaj, nëse harroj më kujtoni.”

Transmeton Ebu Hurejre dhe thotë:”Një herë ishim duke u falur me të dërguarin e Zotit dhe ai dha selam në rekatin edytë. Një nga banorët e fisit Benu Sulejm ndërhyri dhe i tha:”O i dërguar i Allahut! Mos është shkurtuar namazi apo harrove?”

Profeti a.s u përgjigj:”As nuk është shkurtuar dhe as nuk harrova.” Pastaj duke na u drejtuar neve na pyeti:”A është ashtu siç thotë vëllai juaj?”

Ne iu përgjigjëm:”Po.” Atëherë u ngrit dhe fali edhe dy rekate të  tjerë.”

I katërti: Gjynahu dhe shkarja e Ademit a.s u kthye në mirësi dhe begati për pasardhësit e tij. Kjo, pasi me anë të kësaj Zoti hapi dyert e mëshirës së Tij, duke i mësuar si të pendohen në rastet kur gabojnë. Kështu, menjëherë pas gjynahut, u ligjërua pendimi, i cili e fshin gjynahun e bërë sado i madh qoftë dhe e pastron njeriun prej kësaj bare.

Pastrimi i njeriut nga gjynahet bëhet në disa forma dhe mënyra:

Në këtë botë: Bëhet me anë të pendimit, istigfarit, punëve të mira që i fshijnë ato të ligat dhe fatkeqësitë që janë shkak për fshirjen e gjynaheve.

Pas vdekjes (Berzah): Namazi i xhenazes, fitneja e varrit dhe veprat e mira që të gjallët ia dhurojnë të vdekurit (sadaka, lutje, haxh etj…)

Në ditën e Kijametit: Vuajtjet e asaj dite, shefati i profetëve dhe njerëzve të mirë, si dhe falja e Zotit të madhëruar.

Përkufizimi i sprovës (bela) dhe llojet e saj

Sprova është një provim nga ana e Zotit për të vërtetuar sinqeritetin e njerëzve të ndershëm, mashtrimin e njerëzve të pabesë, të pastrojë zemrat e tyre dhe t’a ndajë të mirën nga e keqja. Sprovat, ashtu si mund të jenë me fatkeqësi, mund të jenë dhe me begati dhe mirësi. Thotë Zoti në Kuran rreth kësaj çështjeje:

“Çdo njeri do ta shijojë vdekjen! Ne ju vëmë në provë me të keqe dhe me të mirë dhe te Ne do të ktheheni.” (Enbija, 35)

Thotë Ibnul Kajjim:”Të gjithë njerëzit sprovohen dhe kjo ose me fatkeqësi ose me mirësi. Njeriu do të sprovohet me gjëra që e hidhërojnë dhe me ato që e gëzojnë. Për këtë, ai duhet të ketë dy cilësi, të jetë mirënjohës për të mirat dhe durimtar në rast fatkeqësie.”

Sprovimi me fatkeqësi mund të jetë me sëmundje, fukarallëk, keqtrajtim etj… Ky lloj sprovimi është quajtur  i keq dhe i padëshiruar duke e gjykuar nga ana e jashtme dhe vuajtjet. Ndërkohë që ai mund të jetë i hajrit dhe në dobi të njeriut. Për këtë, është mirë të shpresohet shpërblimi nga Zoti dhe të durohet në raste të tilla.

Sprovë është si harmonia familjare dhe bashkëshortore, ashtu edhe problemet. Sprovë janë fëmijët e shumtë, por edhe privimi nga fëmijët. Thotë Zoti i madhëruar në Kuran:” Ta dini se pasuria juaj dhe fëmijët tuaj janë vetëm sprovë dhe se vetëm tek Allahu është shpërblimi i madh.” (Enfal, 28)

Urtësia e sprovave

1 – Fshirja e gjynaheve dhe gabimeve.

Transmetohet nga Ebu Hurejre se i dërguari i Zotit a.s ka thënë:”Zoti i fshin gjynahet e muslimanit me çdo lodhje dhe mërzi, çdo proekupim dhe shqetësim, çdo pikëllim dhe vuajtje që e prek atë, madje edhe një gjemb kur i ngulet në këmbë.”

2 – Dyfishimi i shpërblimit.

“Sa e sa profetë bashkë me shumë besimtarë të vërtetë luftuan e megjithatë nuk u përkulën para goditjeve që morën në rrugën e Allahut, as nuk u dobësuan e as nuk u nënshtruan. Allahu i do të duruarit. Ata vetëm thoshin: “O Zoti ynë! Na i fal gjynahet tona dhe teprimin në punën tonë, na i forco këmbët (në istikam) dhe na ndihmo kundër popullit jobesimtar!” Dhe Allahu u dhuroi atyre shpërblimin e kësaj bote dhe shpërblimin më të mirë të jetës tjetër. Allahu i do punëmirët.” (Al Imran, 146-148)

3 – Dashuria e Zotit.

Transmeton Enesi se i dërguari i Allahut ka thënë:”Shpërblimi i madh shkon paralel me sprovën e madhe. Nëse Zoti e don një popull e sprovon atë. Kush kënaqet kënaqësi do të ketë, kush pikëllohet pikëllim do të ketë.” (Tirmidhi 4/601 hadithi 2396)

4 – Edukimi dhe pastrimi i zemrës.

Thotë Zoti në Kuran:”Allahu e bëri këtë për të provuar atë që keni në kraharorët tuaj dhe për t’ju pastruar atë që keni në zemrat tuaja. Vërtet, Allahu e di mirë se ç’keni në zemër.” (Al Imran, 154)

5 – Pasojat e përhapjes së gjynaheve.

Transmeton Ebu Bekri se e ka dëgjuar Profetin a.s të thotë:”Nëse njerëzit e shohin të keqen dhe nuk e ndalojnë, mund t’i përfshijë Zoti me ndëshkim.” (Ibnu Maxheh, 2/1327, hadithi 4005)

Përfundim

Pranimi i gjynahut, pendimi, istigfari, ndenja e fajit, kërkimi ndihmë nga Zoti, kërkimi i mëshirës së Tij, duke qenë i bindur se Zoti të përgjigjet, të gjithë këto janë gjëra që e lidhin njeriun me Zotin dhe i hapin dyert e mëshirës së Tij.

Në historinë e Ademit a.s. dhe gjynahet që kreu – nëse mund të konsiderohet gjynah, pasi e bëri me haresë – ne kuptojmë mëshirën dhe faljen e pafund të Allahut të madhëruar. Dallimi mes Ademit a.s dhe shejtanit – edhe pse të dy ishin gabimtarë – është se Ademi a.s bëri një gjynah në harresë, kurse shejtani e kundërshtoi urdhërin e Zotit i vetëdijshëm për atë që po bën. Ashtu siç Ademi a.s u pendua dhe kërkoi falje për gjynahun, kurse shejtani nuk e shihte të tillë urdhërin e Zotit për t’iu përulur Ademit a.s.

 


Previous articleMenaxhimi i konflikteve bashkëshortore
Next articleAdemi Alejhi Selam dhe qetësia shpirtërore

LEAVE A REPLY

Please enter your comment!
Please enter your name here