Shkenca thërret në besim

0
235

“Ne do tua tregojmë atyre faktet (argumentet) Tona në horizonte dhe në vetet e tyre, derisa tu bëhet e qartë se ai (Kurani, Islami) është e vërteta” (Fussilet: 53)

“E vërteta është prej Zotit tënd, prandaj ti mos ji nga ata që dyshojnë” (Bekarah: 147)

Shkencëtari i madh amerikan, Prof. Krisi Morrison[1] e ka shkruar këtë libër për lexuesin e zakonshëm, pa marrë parasysh a është ai djalë i ri, apo i moshuar, burrë apo grua. Duke trajtuar çështje shkencore të reja, ai shfaq para teje çuditë e universit që nuk të kishin shkuar ndërmend më parë.

Ai para së gjithash është një libër shkencor, sepse trajton çështje që lidhen me universin, me gjeologjinë, shkencat e natyrës, kiminë, mjeksinë, biologjinë e të ngjashme me to. Por ai i ka sqaruar këto çështje shkencore aq thjeshtë dhe qartë, sa i ka bërë ato lehtësisht të kuptueshme dhe të kapshme për çdo lexues. Dhe e habitshmja është se ai i ka përmbledhur ato në këtë parashtrim të shkurtër dhe me një formë tërheqëse.

Të vërtetat që ka zbuluar autori në këtë libër meritojnë të trazojnë imagjinatën e njeriut dhe, përfundimet në të cilat ka arritur ai janë se: njeriu është krijuar në atë mënyrë që t’i përshtatet natyrës në një  formë shumë të qartë, ashtu siç është krijuar edhe natyra që t’i përshtatet njeriut në një formë të fshehtë e cila të habit!

S’ka dyshim se ky libër do të zërë një vend të veçantë në vlerësimin e të gjithë mendimtarëve të cilët bashkojnë mes meditimit dhe analizimit. Autori ka argumentuar me argumente të prera se lidhjet e habitshme që ekzistojnë mes njeriut dhe natyrës, dhe vet ekzistenca e jetës, janë të lidhura me ekzistencën e Krijuesit të Patëmeta dhe të Lartësuar, dhe për ekzistencën e një qëllimi nga gjithë ky univers, qëllim i cili përmblidhet në: përgatitjen e njeriut për përjetësinë.

Dhe ky qëllim që paraqet autori është padyshim një synim shumë i lartë dhe fisnik, dhe nuk ka përplasje mes tij dhe feve – me të gjitha llojet e tyre -, përkundrazi ai i përkrah ato, sepse besimi në Zot është themeli i çdo feje. Për këto arsye ky libër do t’i pëlqejë shkencëtarit dhe dijetarit të fesë, predikuesit dhe fetarit të zakonshëm, ashtu siç do ta bindë edhe atë që ka dyshime në veten e tij.

Dhe s’ka dyshim se tema që trajton ky libër është tema e ditës, sepse ideologjia ateiste është përhapur në shumë vende, dhe ateistët pretendojnë se e hedhin poshtë besimin duke u bazuar në shkencë! Por ja ku është ky shkencëtar i madh, i cili e mbështet besimin me argumente nga njohuritë më të reja shkencore.

Shkencëtari i madh Krisi Morison është ish-presidenti i Akademisë së Shkencave të Nju Jorkut, drejtor i Institutit Amerikan të qytetit të Nju Jorkut, anëtar i bordit ekzekutiv të Departamentit Shtetëror të Studimeve në Shtetet e Bashkuara të Amerikës, anëtar i Muzeut Amerikan të Historisë së Natyrës dhe anëtar i përjetshëm i Institutit Mbretëror Britanik.

Në kohën që është botuar ky libër është cilësuar: një “bestseller”, një nga librat më të shitur të shekullit të 20-të. Atë e kanë vlerësuar shumë gazeta dhe revista amerikane, prej këtyre vlerësimeve është edhe ai që i ka bërë revista “Hartford Courant” në një artikull të gjatë ku ndër të tjera thotë:

“Si prodhuesi i një ore të përpiktë dhe të bukur, që kërkon një ingranazh të vogël këtu dhe një xhevahir atje, zgjedh një pjesëz të imët nga ky pirg, dhe një pjesëz nga pirgu tjetër, derisa plotësohet ajo orë, ashtu edhe autori – i cili është kryetari i mëparshëm i Akadamisë së Shkencave të Nju Jorkut – ka mbledhur njohuri nga shkenca të ndryshme dhe i ka sjellë bashkë në këtë libër, i cili i hap mendjet dhe i ndriçon ato në një mënyrë të mahnitshme.

Ai ka sjellë shembuj nga shkenca e astronomisë, e gjeologjisë, nga shkenca e entomologjisë[2], botanika, biologjia, fiziologjia, psikologjia dhe filozofia. Këtë lëndë shkencore ai e ka grumbulluar me një kujdes të madh dhe e ka paraqitur me përpikmëri të madhe dhe në formë të shkëlqyer.

Nga këto shkenca të ndryshme ai nxorri fakte të habitshme, duke i lidhur ato me njëra-tjetrën në një njësi të tërë, në mënyrë aq harmonike e cila e çon në mënyrë të pashmangshme tek besimi në Zot, çdo njeri që mendon në mënyrë të shëndoshë.

Disa besimtarë e ndërtojnë besimin e tyre mbi bestytni (supersticione), disa të tjerë mbi dogma, njohuri të caktuara që ata i dinë përmendësh duke mos menduar në to. Asnjëra nga këto nuk është e plotë, por ajo që kërkohet është besimi i ndërtuar mbi logjikën e saktë i cili i mbijeton kësaj epoke hutuese të atomit.”

Fjala e përkthyesit[3]

Me emrin e Allahut të Gjithëmëshirshmit Mëshirëplotit.

Mund të duket e çuditshme që një njeri i cili ka studjuar shkencat ekonomike dhe, ka mbajtur postin e zëvendës-ministrit të ekonomisë, dhe atë të zëvendës drejtorit të Fondit Monetar Ndërkombëtar (FMN) në Washington dhe, postin e ambasadorit të Egjiptit në Paris, të përkthejë një libër si ky, i cili flet për astronominë, gjeologjinë, shkencat e natyrës, kiminë, mjekësinë, gjenetikën, dhe të ngjashme me to prej shkencave që nuk kanë asnjë lidhje me profesionin që ka përkthyesi i këtij libri, e as me studimet që ai ka ndjekur.

Por realiteti është se, kur e lexova këtë libër gjatë qëndrimit tim në Amerikë, – në mesin e librave të tjerë që kam lexuar në lëmi të ndryshme, – më pëlqeu qëllimi i lartë që kishte autori prej përpilimit të kësaj vepre, i cili është: vërtetimi me fakte shkencore i ekzistencës së Zotit dhe njëshmërisë së Tij.

Përkrahësit e ateizmit e kanë zakon të argumentohen me fakte që pretendojnë se janë shkencore, derisa disa menduan se shkenca dhe besimi janë dy gjëra diametralisht të kundërta, të cilat nuk mund të bëhen bashkë, madje njëri prej shkencëtarëve perëndimorë – i quajtur Julian Huxley – shkroi një libër për këtë me titull: “Njeriu qëndron vet” (Mand Stands Alone), ku pretendoi se shkenca e refuzon ekzistencën e Zotit. Por ja ku është njëri nga shkencëtarët më të mëdhenj amerikan, i cili ka mbajtur postin e kryetarit të Akademisë së Shkencave të Amerikës, e shohim atë ta kundërshtojë autorin e lartpërmendur dhe, t’ia bëjë të qartë atij dhe të gjithë njerëzve se: shkenca bashkëkohore vërteton ekzistencën e Allahut, dhe përfundon në besimin tek Ai dhe në njëshmërinë e Tij, pa asnjë dyshim e as diskutim.

Dhe librin e tij ai e titulloi: “Njeriu nuk qëndron vetëm”. (Mad Does Not Stand Alone), ku ai argumentoi – nëpërmjet fakteve nga shkenca të ndryshme – se Allahu është Krijuesi i Gjithësisë dhe Krijuesi i gjithçkaje.

Vetëm për këtë shkak iu rreka përkthimit të këtij libri, me shpresë se ai do të përhapet në mesin e lexuesve arabë, ashtu siç u përhap edhe në Amerikë, ku ai pati një ndikim të madh në zmbrapsjen e valës së ateizmit, dhe përforcimin e besimit të palëkundshëm.

Dhe gjeta shumë ajete nga Kurani fisnik, të cilat mbështesin përfundimet në të cilat arriti autori, prandaj i vendosa ato në vendet e përshtatshme në kapitujt e librit.
Dhe Allahu është Ai që udhëzon në rrugën e drejtë!
Mahmud Salih el Feleki

Parathënia e profesorit të nderuar Ahmed Hasen el Bakuri
Rektori i Universitetit të Ez’herit

Kërkimi për Zotin dhe njohja e Krijuesit ka qenë një çështje që e ka preokupuar njerëzimin qysh kur ai ka ekzistuar në këtë botë, sikur e nxit për këtë kërkim një ndjenjë e fshehtë shtytëse dhe, e tërheq drejt saj me një tërheqje të fortë që buron nga një natyrshmëri e fshehur në vet njeriun.

Njeriu nga natyra e tij nuk kënaqet prej jetës vetëm duke shijuar pamjen e jashtme të saj, format dhe ngjyrat e saj ashtu siç ja përcjellin atij shqisat e tij, apo ndjenjat e tij, por ai i merr dhe i analizon ato edhe me mendjen e vet, depërton në to me mendjemprehtësinë e tij, në mënyrë që të njohë realitetin e çdo gjëje: Nga erdhi? Si u bë? – dhe – Ku do të shkojë?

Dhe gjatë përmbushjes së kësaj dëshire të tijën ai nuk kursen asnjë përpjekje e as zgjuarsi, derisa të arrijë në atë që i qetësohet mendja dhe i rehatohet shpirti. E tillë është gjendja e njeriut edhe në kërkimin e tij për Zotin, e vërteta e madhe e cila është burimi i ekzistencës së kësaj bote dhe tek ajo kthehen  të gjitha çështjet e saj. Ai ka hulumtuar shumë për këtë temë, dhe e ka kërkuar atë vazhdimisht me ngulm, derisa rrugët për këtë kanë qenë të shumta dhe metodat për të arritur tek Ai të panumërta.

Sepe nuk ka dyshim se këto kërkime për atë të vërtetë të madhe, kanë marrë në të shkuarën – dhe vazhdojnë të marrin – forma dhe pamje të shumta e të ndryshme, ato dallojnë sipas njerëzve dhe përgatitjes së tyre intelektuale, dhe rrethanave e situatave të jetës që i rrethojnë ata.

Kështu secili ka metodën e vet të cilën e ndjek, dhe çdonjëri ka masën e dijes dhe pjesën e tij prej suksesit. Kështu në një kohë që dikush arrin tek ajo (e vërteta e madhe) nëpërmjet vështrimit në mbretërinë e qiejve dhe tokës – me gjithë dallimet që ka mes mprehtësisë së shikimeve të ndryshme në thellësi dhe zhbirim – disa të tjerë arrijnë tek e vërteta nëpërmjet emocioneve të zhveshura nga perceptimi, të ndikuara prej trashëgimisë, apo çfarë ka dëgjuar, dhe të cilat gati sa nuk e prekin fare të menduarit, apo nuk ndikojnë shumë tek ai.

E ndërmjet këtyre të dyve ka grupe të ndryshme të cilët ecin në rrugën e tyre për tek e vërteta në faza të ndryshme që përziejnë emocionet dhe meditimin, në përmasa dhe sasi të ndryshme. Nga këtu mund të themi se çdo njeri ka një përfytyrim personal për Zotin e tij të cilin ai e adhuron dhe që e ngre (madhëron, shenjtëron) atë në shpirtin e tij në atë mënyrë që e ka udhëzuar atë mendja dhe zemra e tij, njëra prej atyre të dyjave apo të dyjat dhe, në varësi të realitetit që i shfaqin atij (ato të dyja) dhe përfytyrimit që ka zënë vend në mendjen e tij.

Për këtë arsye të adhuruarit e njerëzve janë të shumtë dhe shkollat e mendimit të tyre në këtë çështje janë të panumërta, prandaj çdo popull pati zotin e vet dhe çdo grup ka fenë e vet: “E sikur të dëshironte Zoti yt do t’i kishte bërë të gjithë njerëzit në një fe, por ata vazhdojnë të kundërshtohen mes tyre, përveç atyre që i ka mëshiruar Zoti yt, dhe për këtë edhe i krijoi”

Nuk duam të shqyrtojmë këtu historinë e largët apo të afërt të feve, e as të studiojmë në mënyrë shteruese zotërat e shumtë dhe shtysat që qëndrojnë pas këtyre veprimeve, me gjithë format dhe pamjet e ndryshme që ato kanë marrë; e as të flasim për monoteizmin dhe politeizmin, sepse kjo nuk është e mundshme në këtë vend, por ajo që duam të themi është se: imazhi i Zotit apo i zotave, që njerëzit i kanë adhuruar qysh kur ekzistojnë, kanë lindur nga bindja dhe besimi, sado të thella qofshin ato, e sado larg apo afër së vërtetës.

Sepse adhuruesi i gurit, i kafshës, i diellit apo i hënës, i adhuron ato pasi ato kanë zënë vend në shpirtin dhe zemrën e tij dhe e kanë tërhequr drejt tyre zemrën e tij, dhe mishëruan për të

fuqinë e mbinatyrshme të pakufishme, tek e cila kthehen të gjitha çështjet e tij, e cila ka në dorë t’i sjellë atij dëm apo dobi. Kështu ai e besoi atë, iu dorëzua dhe iu drejtua asaj me fytyrë, me zemër dhe me shpirt.

Qoftë ky besim që buron nga thellësitë e shpirtit, apo është hedhur aty nëpërmjet sugjestionimit dhe joshjes, ai në çdo rast është besim që ka pushtuar shpirtin dhe është përzier me ndjenjat, pa këtë nuk është besim, dhe as nuk quhet religjion. E nëse nuk arrin këtë gradë, shpirti i njeriut do të mbetet bosh, dhe njeriu do të jetojë i frikësuar, i luhatur, deri sa të gjejë zotin tek i cili rehatohet zemra e tij dhe të qetësohet shpirti i tij.

Kur mendjet e humbasin rrugën për te Krijuesi i tyre – e sa të shumta janë ato që e humbasin –  dhe njerëzimi ulet në këtë nivel kaq të ulët të mendimit, dhe në këto ide kaq qesharake sa marrin për zot gurët, apo adhurojnë kafshët, ulen në gjunjë para këmbëve të tyre, i adhurojnë ato dhe shkrihen në adhurimin e tyre, sakrifikojnë për to veten dhe fëmijën për tu afruar tek to; kur njerëzimi zhytet kaq thellë në humbje dhe në mendjelehtësi, në këtë kohë vjen mesazhi qiellor për t’i nxjerrë njerëzit nga errësirat në dritë, nëpërmjet të Dërguarve të Allahut dhe Lajmëtarëve të Tij fisnikë.

Dhe e para thirrje që u vjen njerëzve prej feve qiellore[4] është thirrja për në njëshmërinë e Allahut (monoteizëm), çlirimi i mendjeve dhe zemrave prej idhujtarisë (politeizmit), dhe drejtimi i shikimit vetëm drejt Tij, larg hamendësimeve të humbjes dhe devijimit. Me këtë gjë njerëzimi kthjellohet dhe mund të konsiderohet i tillë, dhe bëhet i aftë të mbartë mbi supe misonin e mëkëmbësit të Allahut në tokën e Tij.

Sado të ndryshme të jenë rrugët e feve qiellore në përcjelljen e thirrjes për tek Allahu, dhe në mjetet bindëse që përdorin për njëshmërinë e Tij, gjëja e parë tek e cila ato mbështeten është ngacmimi i ndjenjave dhe lëvizja e telave të zemrës, më shumë se sa mbështetja që kanë tek nxitja e fuqive perceptuese dhe meditimit. Kjo sepse realiteti i të Adhuruarit të Vetëm është më i madh se sa mund ta kufizojë atë mendimi, apo ta përfshijë atë perceptimi – edhe pse ato të dyja luajnë rol të madh në perceptimin dhe depërtimin me mendje në mrekullitë e Allahut.

Shënim
Për shkak të kërkesave në rritje për këtë libër, si rezultat i publikimit të një përmbledhjeje  të tij që u publikua në: “Reader’s Digest” të muajit dhjetor 1946, u përgatit ky botim i rishikuar.
Ky libër synon të paraqesë një rishqyrtim të fakteve që tregojnë për ekzistencën e një Inteligjence Supreme, dhe titulli është zgjedhur për të sfiduar dhe hedhur poshtë konkluzionet në të cilat arriti Julian Huxley në librin e tij “Man Stands Alone” (Njeriu qëndron i vetëm). Të gjitha faktet krahasuese janë thjeshtë rastësi.
A.C.M (Abraham Cresy Morrison)
New York, N.Y.

Parathënia e autorit
Arsyeja përse

Filozofia e natyrës arriti kulmin e saj me viteve 1820- 1850 dhe, ajo filozofi e argumentonte ekzistencën e një projekti të mirë-përcaktuar në krijim duke shfaqur çuditë e natyrës. Kështu  filozofi i natyrës tërhiqte vëmendjen duke përmendur krijimin e mahnitshëm të syrit të njeriut, me gjithë ato që përmban ai prej pjesëve teleskopike dhe mikroskopike, dhe përmendte elasticitetin e nyjeve të njeriut dhe rregullimin perfekt i cili të mahnit. Dhe përmendte të fshehtat e riprodhimit dhe ligjet që rregullojnë vazhdimësinë e jetës me mënyrat e tyre të ndryshme te gjallesa të ndryshme.

Dhe sqaronte reaksionet kimike të pashembullta që ndodhin te gjallesat, siç është tretja e ushqimit, në fakt të gjitha aktivitetet e natyrës u rishikuan, të para nga shikimi i tij i përkushtuar filozofik, ai i konsideronte ato argumente të prera për ekzistencën e një plani dhe një rregulli në natyrë, e për pasojë për ekzistencën e një Krijuesi që i rregullon të gjitha këto.

Dhe Palej për ilustrim solli një shembull nga i cili ai ishte ndikuar fort, pasi gjeti një orë dore në rrugë dhe tha: “Mekanizmi i komplikuar i kësaj ore është shumë më pak i habitshëm nga argumentet e shumta në natyrë që tregojnë për krijimin e saj.” Kjo e bëri atë të sillte në vëmendje faktin se një objekt i tillë do të bindte medoemos edhe ata më dyshuesit rreth fakteve për një proces inteligjent të zbatuar mbi mekanikën. Ai shtoi se nëse kjo orë do të ishte e pajisur me aftësinë për të sjellë në jetë orë të tjera, ajo nuk do të ishte ndonjë mrekulli më e madhe se sa riprodhimi i njeriut dhe kafshëve.

Ky arsyetim ishte kaq bindës sa arriti që një shumë prej 48.000 dollarësh ju dhanë “Royal Society of Great Britain” (Shoqëria Mbretërore e Britanisë së Madhe) për të bërë një studim në fusha të ndryshme shkencore, i cili do të dëshmonte përfundimisht, në mënyrë deçizive ekzistencën e Zotit. Rezultat i kësaj pune kaq të madhe ishte një libër me dymbëdhjetë vëllime, i shkruar nga anëtarët e “Royal Society” dhe të tjerë. Këto studime sollën fakte të qarta për krijimin, dhe u treguan filozofëve të asaj periudhe për ekzistencën e një Qenie Supreme.

Me ardhjen e Darvinit, në mendimet e njerëzimit hyri  një kocept i ri: “Mbijetesa e më të përshtatshmit” dhe evolucioni i njeriut. Studimi i detajuar i Darvinit dhe numri i pakët i fakteve mbështetëse që ai solli për të vërtetuar teorinë e tij krijuan bindje te njerëzit. Deri sot faktet e grumbulluara prej tij dhe faktet që sollën më pas ndjekësit e tij, e kanë përkrahur teorinë e evolucionit dhe e kanë çuar atë shumë më tej se sa e bënë këtë faktet e Darvinit. Kanë kaluar më shumë se 80 vjet[5] që nga Darvini dhe shkenca ka përparuar rrëmbyeshëm. Në një kohë kur teoria e Darvinit qëndron si një shkëmb me fuqi të pabesueshme, botës së filozofisë i janë zbuluar një numër i madh faktesh domethënëse të cilat na zhvendosin tashmë në një përfundim tjetër të mundshëm.

Shkenca moderne e gjenetikës ngre pyetje të cilave është e vështira tu përgjigjesh, dhe zbulime të tjera të reja e lënë veprën e tij thjesht si një hap i madh në përparimin e mendimit filozofik. Pa ua mohuar vlerat që kanë qoftë saktësisë së përfundimeve të tij, apo madhështisë së punës së tij, përsëri askush nuk mund të konkludojë sot siç bëri Haeckel-i, i cili pretendoi se po t’i jepej ujë, elemente kimike dhe kohë, ai do të mund të krijonte një njeri!!!

Disa prej ndjekësve të Darvinit i çuan përfundimet Darvinit deri në skajin më ekstrem të ateizmit materialist. Ata që ndjenin frymëzimin e besimit në një Inteligjencë Supreme dhe në një qëllim prej gjithë këtij krijimi shkuan në ekstremin tjetër dhe, duke dashur të sulmonin pikëpamjet e ateistëve ata mohuan gjithashtu edhe faktet e evolucionit. Sot nuk ka nevojë të merren pozicione kaq të ashpra as nga evolucionistët e as nga mendjet fetare, sepse sot shkenca ka sjellë në dritë fakte që shkojnë deri aty sa i largojnë dallimet e dukshme dhe i ndriçojnë të dyja palët.

Në mënyrë mjaft interesante, zbulimet e reja, dhe mundësitë më të mëdha për të hulumtuar, po risjellin në jetë konkluzionet e filozofëve të natyrës, të cilët u eklipsuan totalisht prej daljes së bujshme në skenë të veprës së Darvinit. Faktet e forta që treguan përshtatjen e njeriut për natyrën tashmë duhet të ndiqen nga një shqyrtim i ri i treguesve të përshtatjes së natyrës për njeriun, të cilat gjatë 80 viteve të shkuara ishin neglizhuar relativisht. Qëllimi im është që të sjell në vëmendjen e njerëzve që mendojnë, faktet që mbështesin besimin në këtë përshtatje dhe të tregojnë qëllimin e saj.

Ekzistenca e Qenies Supreme është demonstruar prej rregullimeve të pafundme, pa të cilat vetë jeta do të ishte e pamundur. Prezenca e njeriut në tokë dhe provat e mrekullueshme të intelektit të tij, janë një pjesë e programit që po zbaton Inteligjenca Supreme. Për të cituar Osbornin: “Prej të gjitha gjërave të pakuptueshme në këtë univers, njeriu qëndron në rreshtin e parë, dhe prej të gjitha gjërave të pakuptueshme tek njeriu vështirësia më e madhe qëndron te truri njerëzor, inteligjenca, memoria, aspiratat, fuqia për të zbuluar, kërkuar dhe tejkaluar pengesat”.

Është bindje e autorit se, lexuesi i kësaj përmbledhjeje shumë të shkurtër i të vërtetave shkencore, do të arrijë në përfundimin se: hendeku i madh që ekziston ndërmjet trurit të çuditshëm njerëzor dhe të gjitha gjallesave të tjera, është më pak “i pakuptueshëm” se sa ia merrte mendja Osbornit në kohën që shkruajti ato fjalë.[6]

E panjohura ritet me progres aritmetik me çdo njësi të njohurisë që i shtohet njohurive të  njeriut. Por me zbërthimin e atomit të Daltonit[7] – i cili konsiderohej si tullë ndërtimi në miniaturë – në një yllësi të përbërë nga një bërthamë dhe elektrone që fluturojnë në orbita si planete, ka hapur përpara nesh hapësirën për një ndryshim rrënjësor në mënyrën e konceptimit të universit dhe të realitetit. Njëtrajtshmëria e tmerrshme e atomeve të veçantë nuk e kufizon më imagjinatën tek materialja, dhe njohuritë e reja lenë vend për një Inteligjencë ndikuese pas fenomenit të natyrës. Kjo është vetëm një dritë mbi misterin e pamasë që në të tashmen rrethon të panjohurën e dukshme, e cila mund të na udhëheqë ne drejt njohjes së një Inteligjence Supreme.

Kapitulli 1

Bota jonë unike

Supozo se merr 10 monedha dhe i shënon ato nga njëshi deri te dhjeta. Futi ato në xhepin tënd dhe jepu një të tundur të fortë. Tani përpiqu t’i nxjerrësh prej aty me rradhë nga njëshi tek dhjeta, duke e futur sërisht në xhep çdo monedhë pas çdo nxjerrjeje.

Mundësitë për të nxjerrë nga xhepi numrin 1 janë 1 në 10. Mundësia për të nxjerrë me rradhë njërën pas tjetrës 1 dhe 2, janë 1 në 100. Për të nxjerrë me rradhë 1, 2, dhe 3, janë 1 në 1000. Mundësitë për të nxjerrë me rradhë 1, 2, 3,  dhe 4 janë 1 në 10.000. E kështu me rradhë, deri sa mundësitë për t’i nxjerrë të gjitha monedhat me rradhë nga 1 deri te 10, do të arrinin numrin e pabesueshëm 1 në 10 miliardë[8]!

Qëllimi i përmendjes së një shembulli kaq të thjeshtë është të tregohet se sa shumifishohen figurat përballë mundësive.

Që të ekzistojë jeta në tokën tonë, duhen aq shumë kushte thelbësore, sa është matematikisht e pamundur që ato të gjitha të ekzistojnë në raporte të duhura në të njëjtën kohë rastësisht. Për këtë arsye në natyrë duhet të ketë një formë drejtimi inteligjente. E nëse kjo është e vërtetë atëherë duhet të ketë një qëllim prej kësaj. Objekti i këtij libri është të nxjerrë në pah disa prej këtyre rregullimeve të mrekullueshme dhe të sygjerojë qëllimin prej ekzistencës së njeriut. Le të analizojmë disa prej këtyre fakteve surprizuese.

Disa astronomë na thonë se mundësia që dy yje të kalojnë aq pranë njëri-tjetrit sa të shkaktojnë një valë të madhe shkatërruese do të ishte në kufijtë e milionave (1 në 1.000.000), ndërsa mundësia e përplasjes do të ishte aq e rrallë sa është e pallogaritshme. Megjithatë një nga teoritë astronomike thotë se në një kohë të caktuar – të themi para dy miliard vitesh – një yll kaloi aq pranë diellit tonë saqë nga kjo u formuan zbatica të tmerrshme që lëshuan në hapësirë këta objekte që ne i njohim si planete. Në mesin e këtyre objekte të hedhura në hapësirë, ishte edhe kjo fijëz e kozmosit e cila u bë ajo që ne e quajmë Tokë. Është një trup i parëndësishëm astronomikisht, e megjithatë është trupi më i rëndësishëm qiellor i njohur deri më tani prej nesh.

Duhet të supozojmë se toka është e përbërë nga disa prej elementeve që gjenden vetëm në Diell dhe askund tjetër. Këta elementë gjenden në tokë në përqindje të caktuara, për të cilat jemi siguruar në një formë të pranueshme për sa i takon sipërfaqes së tokës.

Pjesa më e madhe e tokës është reduktuar në dimensione të qëndrueshme dhe vëllimi i saj është përcaktuar. Shpejtësia e saj në orbitën e saj rreth diellit është tmerrësisht konstante. Rrotullimi i saj në orbitën e saj është përcaktuar aq me kujdes sa një ndryshim prej një sekonde në shekull do të  ndryshonte përllogaritjet astronomike. Ajo shoqërohet nga një satelit të njohur si Hëna, lëvizjet e së cilës janë të përcaktuara gjithashtu, dhe sekuencat e ndryshimeve të së cilës përsëriten çdo 18 vite e 4 muaj.

Nëse përmasat e tokës do të ishin më të mëdha apo më të vogla, apo nëse shpejtësia e saj e rrotullimit do të ndryshonte, ajo do të qëndronte më larg apo më afër diellit, dhe këto ndryshime do të kishin ndikuar thellësisht jetën e të gjitha specieve që jetojnë në tokë, përfshi edhe njeriun. Aq i fuqishëm do të ishte ky ndikim, saqë nëse lëmshi tokësor do të kishte ndryshime në çdo lloj parametri të tij,  jeta mbi të – ashtu siç ne e njohim – nuk do të kishte ekzistuar. Nga të gjithë planetët toka është – me aq sa njohim deri tani – e vetmja nga lidhja e së cilës me diellin është e mundshme ekzistenca e jetës.

Mërkuri[9] – për shkak të ligjeve astronomike – i kthen gjithmonë vetëm njërën anë diellit, duke u rrotulluar rreth boshtit të tij vetëm një herë gjatë një viti mërkurian.[10] Për pasojë njëra anë e Mërkurit duhet të jetë një shkretëtirë përvëluese, ndërsa tjetra e akullt.[11] Masa e tij dhe forca e  gravitetit në të janë aq të vogla sa edhe gjurmët më të vogla të atmosferës duket të jenë zhdukur. Nëse ka mbetur sadopak atmosferë ajo është në formë tornadosh të vrullshme, që e përfshijnë këtë planet nga njëra anë e tij në tjetrën.

Afërdita është një mister. Atmosfera e saj është në formë avulli të dendur, dhe duket të jetë absolutisht e pabanueshme nga çfarëdolloj forme e njohur jete.

Marsi bën përjashtim sepse ai mund të përmbajë forma jete si ato që gjenden në tokë, ose në fillimet e tij, ose pranë pikës së zhdukjes. Por jeta në Mars duhet të varet prej gazrave të tjerë përveç oksigjenit, sidomos të hidrogjenit meqë siç duket ata janë zhdukur. Nuk mund të ketë ujë në Mars.[12] Temperaturat e tij janë mesatarisht shumë të ulta për të bërë të mundur jetën bimore në formën që ne e njohim.

Hëna nuk ka atmosferë dhe tani është absolutisht e pabanuar. Gjatë natës është tmerrësisht ftohtë dhe gjatë ditës së saj të gjatë ajo shndërrohen në një prush të ndezur, tmerrësisht e nxehtë.

Planetët e tjerë janë shumë larg Diellit për të patur jetë në to dhe, për shkak të vështirësive të tjera të pakalueshme nuk mund të përmbajnë asnjë formë të jetës.

Perktheu Emin Bilali

[1] Sh.p: 1864 – 1951.

[2] Shënim i përkthyesit: shkenca që studion botën e insekteve.

[3] Sh.p.: nga anglishtja në gjuhën arabe.

[4] Sh.p.: Me fe qiellore duhet kuptuar: legjislacionet e ndryshme që Allahu u ka shpallur popujve të ndryshëm, ndërsa besimi i tyre ka qenë i njëjtë, i pandryshueshëm.

[5] Sh.p.: Libri është shkruar në vitin 1944.

[6] Sh.p.: Dhe unë kam bindjen se njeriu i logjikshëm dhe i drejtë, nuk do të nxjerrë si pretekst për nënçmimin e këtij libri, faktin se ai është shkruar që në Luftën e Dytë Botërore, dhe vjetërsinë e fakteve që ai ka përmendur, sepse shkenca me përparimin e saj , nuk bën gjë tjetër veçse shfaq para mendjeve tona një botë aq të komplikuar, dhe ligje aq preçize që nuk lenë vend aspak për pretendimin e supozuar, por ecin në të njëjtën linjë me arsyetimin e autorit.

[7]Sh.p.: John Dalton, kimist anglez, fizikant, dhe meteorologjist. Ai është bërë i famshëm më së shumti për fillimin e studimit dhe zhvillimit të teorisë moderne të atomit, dhe për kërkimet e tij rreth verbërisë së ngjyrave, të quajtur për nder të tij “Daltonizëm”.

[8] Sh.p.: 1 i ndjekur nga 9 zero.

[9] Sh.p.: Është planeti më i vogël i Sistemit Diellor dhe më i afërti me Diellin, me një periudhë rrotullimi prej 88 ditësh tokësore, që e bën atë planetin më të shpejtë në këtë Sistem. Sipërfaqja e tij ka shumë kratere dhe është shumë e ngjashme në pamje me atë të Hënës.

[10] Sh.p.: Mërkuri ka një lëvizje që konsiderohet unike në Sistemin Diellor, ai bën saktësisht 3 rrotullime rreth vetes në çdo 2 rrotullime që bën rreth Diellit. Dhe për pasojë një njeri në Mërkur do të përjetonte vetëm një ditë-natë në çdo dy vite mërkuarian.

[11] Sh.p.: Ai është planeti me temperaturën më të ndryshueshme brenda ditës, ajo varion nga -173 °C gjatë natës, në 427 °C gjatë ditës!

[12] Sh.p.: Në kohën tonë NASA thotë se ka prova të forta për ekzistencën e ujit në Mars/udhaebesimtareve

LEAVE A REPLY

Please enter your comment!
Please enter your name here