Shikimi i materialeve me përmbajtje pornografike

Shikimi i materialeve me përmbajtje pornografike

Shikimi i materialeve me përmbajtje pornografike

Vëlla i dashur, motër e nderuar!

Shikimi i materialeve me përmbajtje pornografike është ndër shkaqet që e nxisin njeriun për të rënë në imoralitet. Pra, nuk i lejohet muslimanit të shikojë filma, revista apo gazeta me përmbajtje pornografike, e për këtë, Zotin e lusim të na ruajë!

Sa e sa njerëz kanë rënë pre e imoralitetit nën ndikimin e atyre filmave të pistë, të cilët shfaqen lirshëm në kinematë e ndryshme, kanalet televizive, faqe të internetit, videokaseta etj?!!

Madje, për sa i përket botës islame në përgjithësi, një kujdes të veçantë kanë treguar armiqtë e Islamit dhe muslimanëve, duke i shpallur luftë në heshtje moralit të të rinjve dhe të rejave muslimane, e ia kanë arritur qëllimit, përveç ndaj atyre të cilët i ka ruajtur dhe mëshiruar Allahu. Sa e çuditshme puna jonë, çfarëdo që na japin dhe si do që na e servirin, ne e përvetësojmë atë, pa i kushtuar rëndësi nëse është e mirë apo e keqe, e dobishme apo e dëmshme!!

Të drejtohem ty o musliman!

Çfarë pret ti nga fëmija yt, i cili është në moshën e adoleshencës apo në fillimet e rinisë, kur nëpërmjet satelitit të cilin ia ke blerë ti, ai ulet e vështron nga ekrani i televizorit ato filma epshndjellëse, në të cilat shfaqen femra krejt lakuriq duke bërë veprime nga më të pamoralshmet?! Kur një djalosh i ri e kalon kohën duke parë të tilla skena, ndërsa epshi e ka pushtuar trupin dhe shpirtin e tij, a nuk pritet prej tij çdo e keqe?! Dhe është për të ardhur keq, pasi janë vet prindërit ata që i krijojnë kushte të favorshme fëmijëve për t’i prishur ata. Madje është për t’u çuditur fakti, se shumë prej tyre e quajnë veten prindër shembullor dhe kërkojnë me ngulm nga fëmijët e tyre të jenë të qëndrueshëm në fenë e Zotit, mirëpo shembulli i tyre është si i atij që tha:

E hodhi prangosur në det dhe i tha:

Mjerë, mjerë për ty po u lage!

S’ka dyshim se t’u krijosh kushte fëmijëve duke futur në shtëpinë tënde të tilla materiale, apo duke blerë aparate të llojeve e sojeve të ndryshme, do të thotë se e ke tradhtuar amanetin në lidhje me fëmijët dhe familjen tënde. I Dërguari i Allahut (Paqja dhe bekimi i Allahut qofshin mbi të!) ka thënë: “Nuk ka njeri të cilin Allahu e ka bërë përgjegjës për të tjerët, e ditën që ky vdes, rezulton se ka qenë i padrejtë me vartësit e tij, veçse Allahu ka për t’ia bërë të pamundur (haram) xhenetin.”[1]

Madje, më keq se ajo që kemi përmendur më sipër, është fakti se në shumë kanale satelitore, fëmijët mësojnë gjëra të cilat bien ndesh me besimin islam. Apo shohin kanale të cilat janë enkas për përhapjen e ideologjive të kota, prej idhujtarisë apo ateizmit, e në këtë mënyrë, jo vetëm që rrezikohen vlerat morale, por rrezikohet krejt feja.

“O ju që besuat! Ruajeni veten dhe familjen tuaj prej zjarrit…” Et Tehrim, 6.

 

O Allah, përmirësoi zemrat dhe punët tona!

O Allah, përmirësoje gjendjen e muslimanëve!

Dhuroju atyre të kuptuar të drejtë të fesë dhe qëndrueshmëri në të, si dhe ruaji nga çdo lajthitje dhe devijim!

Shkëputur nga Libri

“IMORALITETI – Përkufizimi i tij, moslejueshmëria, dëmet, shkaqet, mbrojtja prej tij

dhe çështje të ndryshme në lidhje me të”, faq 82-83

[1] E ka transmetuar Buhariu në “Sahihun” e tij me nr. 5240 dhe Muslimi me nr. 142, ndërsa teksti i mësipërm është i Muslimit. Ky është prej haditheve të ardhura nga Meakal ibën Jesar.