Shenjat që u shfaqën natën e lindjes së Profetit (alejhi selam)

0
217

Takimi ynë i radhës – në dashtë Zoti i Madhëruar  – trajton një pjesë nga historia e të dërguarit tonë Muhamedit (alejhi selam). Në këtë pjesë, i dërguari Zotit na tregon për veten e tij: Një grup njerëzish prej shokëve të Profetit (alejhi selam) erdhën dhe i thanë atij: O i dërguar i Allahut! Na trego për veten tënde! Po, u tha ai.

“Unë vij si rezultat i lutjes së babit tim Ibrahimit (alejhi selam): Jam përgëzimi i Isait – paqja e Allahut qoftë mbi të. Ndërsa nëna ime kur më mbarti në bark  (dhe më lindi) vuri re se prej saj doli një dritë e cila ndriçoi kështjellat e Shamit.” [Vargu i Haditheve të sakta me nr 1545].

Në thënien e tij: “Unë vij si rezultat i lutjes së babit tim Ibrahimit (alejhi selam).”

Ejani të lexojmë bashkë fjalët e Ibrahimit (alejhi selam) – atje tek Qabja – kur ai po lutej me këtë lutje. Allahu i Madhëruar thotë: “Kur Ibrahimi dhe Ismaili ngritën themelet e Qabes, u lutën: “O Zoti ynë! Pranoje prej nesh (këtë vepër)! Me të vërtetë, Ti je Ai që dëgjon dhe di gjithçka! O Zoti ynë! Na bëj të përulur ndaj Teje! Bëj që edhe pasardhësit tanë të jenë të përulur ndaj Teje! Tregona ritet e Haxhit dhe pranoje pendimin tonë, se, pa dyshim, Ti je Pranuesi i pendimit, Mëshirëploti! O Zoti ynë! Dërgo tek ata një të dërguar nga gjiri i tyre, që t’u lexojë shpalljet e Tua, t’ua mësojë Librin dhe Urtësinë (rregullat e fesë) e t’i pastrojë (nga gjynahet)! Vërtet, Ti je i Plotfuqishmi dhe i Urti!” (Bekare, 127-129)

Ibrahimi (alejhi selam) e bëri lutjen, ndërkohë ditët dhe vitet kaluan, dhe ja ku Allahu i përgjigjet lutjes së tij. Ai dërgoi tek ata që nuk dinin shkrim dhe lexim – pra tek Arabët – një të dërguar i cili ishte prej tyre. Allahu i Lartësuar na tregon duke thënë: “Është Ai që u solli të analfabetëve një të Dërguar nga gjiri i tyre, për t’u lexuar atyre shpalljet e Tij, për t’i pastruar e për t’u mësuar Librin[1] dhe Urtësinë,[2] ndonëse ata më parë ishin vërtet në humbje të plotë.”  (Xhumuah, 2).

Ndërsa thënia e Profetit (alejhi selam): “Jam përgëzimi i Isait – paqja e Allahut qoftë mbi të.”

D.m.th se; Umë jam ai për të cilin Isai ka përgëzuar (popullin e tij). Allahu i Madhëruar na lajmëron për këtë në librin e Tij, kur thotë: “Kujto kur Isai, i biri i Merjemes, tha: “O bijtë e Izraelit, unë jam i dërguari i Allahut tek ju, për t’ju vërtetuar Teuratin e shpallur para meje dhe për t’ju sjellë lajmin e gëzueshëm për një të dërguar, emri i të cilit është Ahmed,[3] që do të vijë pas meje”. Por, kur ai u solli atyre shenja të qarta, ata thanë: “Kjo është magji e hapur!” (Saf, 6)

Ndjekësit e librit, prej hebrejve dhe të krishterëve e dinë këtë fakt. Ata e prisnin që të vinte një profet prej rradhëve të tyre, por kur erdhi nga arabët, ata u bënë ziliqarë dhe e mohuan profetësinë e tij. Ata e njihnin të vërtetën siç njihnin bijtë e tyre, por kur u erdhi i dërguari ynë me fakte të qarta thanë: Kjo është magji e hapur!

Më pas i dërguari i Zotit thotë: “Ndërsa nëna ime kur më mbarti në bark  (dhe më lindi) vuri re se prej saj doli një dritë e cila ndriçoi kështjellat e Shamit.”

Abdullah bin AbdulMutalib (babai i profetit) kur shpëtoi nga flijimi dhe AbdulMutalibi e shleu gjakun e tij me njëqind deve, atë e martoi me gruan që kishte prejardhjen më fisnike në Mekë, e martoi me Emine bint Uehb.

Emina ishte shtatzënë me të dërguarin e Allahut, ndërkohë Abdullahu i biri i AbdulMutalibit udhëtoi për tregëti. Atë e zuri vdekja kur po kthehej nga udhëtimi i tij në Medine, ndaj dhe u varros atje tek dajallarët e tij nga fisi Beni Adij bin en-Nexhar.

I dërguari i Allahut nuk arriti kurrë ta shikonte babain e tij. Ai lindi jetim, ditën e Hënë të muajit Rabijul Euel.

Një Beduin e pyeti: O i dërguar i Allahut! Cfarë thua për agjërimin e ditës së Hënë? Ai tha: Ajo është dita në të cilën linda, dhe dita në të cilën më filloi shpallja. [E përcjell Muslimi me nr 1162].[4]

Ai lindi në vitin e Elefantit, dhe për këtë kanë rënë dakort të gjithë dijetarët.

Kajs bin Mehrameh ka thënë: Unë dhe i dërguari i Allahut kemi lindur në vitin e Elefantit. [Sahih es Sira en Nebeëijeh, Albani fq 13].

Ndërsa shenjat që u ushfaqën natën e lindjes së tij ishin këto:

Hasan bin Thabit ka thënë: Pasha Allahun! Unë isha djalosh i ri – dmth nuk kishte arritur moshën e pjekurisë -, shtatë ose tetë vjeç dhe e logjikoja (kuptoja) çdo gjë që dëgjoja. Atë kohë, dëgjova një çifut i cili po bërtiste me zë të lartë mbi një vend të lartë në Jethrib (Medine): O ju Hebrej! Ata u mblodhën aty dhe i thanë: I mjeri ti, çfarë të ka gjetur? Ai tha: Sonte u shfaq ylli i Ahmedit që është shenjë e lindjes së tij.” [Në librin Sahih es Sirah fq 14 shejh Albani thotë: Senedi i këtij transmetimi është i mirë.]

Vrojtim i imtësishëm nga ana e çifutëve, para se të lindte i dërguari i Allahut, pasi që lindi, gjithashtu edhe pasi u dërgua si Pejgamber. Ata i kishin zili arabët për mirësinë që u dha Allahu, me dërgimin e këtij Pejgamberi fisnik.

Usame bin Zejdi (Allahu qoftë i kënaqur prej tij) ka thënë: Zejd bin Amr bin Nufejl thotë; Një murg nga murgjit e Shamit më tha: Në qytetin tënd ka dalë një profet, ose do të dalë. Sapo është shfaqur ylli i tij, ndaj kthehu, besoje dhe ndiqe atë. [Senedi i këtij transmetimi është i mirë, siç është shprehur shejh Albani në librin “Sahih Es Sira” fq14].

Prej shenjave që u shfaqën gjatë lindjes së Profetit (alejhi selam), ishte se nëna e tij kishte vënë re dilte prej saj një dritë e cila ndriçoi kështjellat e Shamit.” [Vargu i Haditheve të sakta me nr 1545].

Ibën Rexhebi (Allahu e mëshiroftë) ka thënë: Dalja e kësaj drite gjatë lindjes së tij, është shenjë e dritës me të cilën ai do të vijë. Me të, do të udhëzojë banorët e tokës dhe do të largojë prej tyre errësirat e idhujtarisë. Ashtu siç e përmend Allahu i Lartësuar duke thënë: “Juve ju erdhi i Dërguari Ynë, i cili ju shpjegon gjëra nga ato që i keni fshehur ju prej Librave (Teuratit dhe Ungjillit) dhe ju fal shumë. Juve ju erdhi prej Allahut dritë (i Dërguari) dhe Libër i qartë (Kurani), me të cilin Allahu i drejton ata që ndjekin pëlqimin e Tij, në rrugën e shpëtimit, i nxjerr nga errësira në dritë me lejen dhe vullnetin e Vet dhe i shpie në rrugën e drejtë.” (Maide, 15-16)

Gjithashtu thotë: “Prandaj, ata që do ta besojnë, përkrahin dhe nderojnë atë, duke ndjekur dritën që është zbritur me të, pikërisht ata janë të fituarit.”  (A’araf, 157)

Po ashtu thotë: “O Profet! Ne të kemi dërguar ty si dëshmitar, sjellës të lajmit të mirë dhe paralajmërues; si thirrës, që i fton njerëzit në rrugën e Allahut me urdhrin e Tij dhe si pishtar ndriçues. (Ahzab, 45-46)

Ata dëshirojnë të fikin dritën e Allahut me gojën e tyre, por Allahu e përsos dritën e Vet, edhe nëse (këtë gjë) e urrejnë jobesimtarët. Allahu është Ai që e ka çuar të Dërguarin e Vet me udhërrëfimin dhe fenë e së Vërtetës, për ta ngritur atë më lart se të gjitha fetë, edhe nëse nuk e pëlqejnë idhujtarët. (Saf, 8-9)

vijon….

“Subulus Selam fi Sirati Hajril Enam”

“Historia e Profetit alejhi selam”

Shkroi: Ebu Islam Salih Taha (Allahu e mëshiroftë)

[1] Kuranin.

[2] Sunetin dhe rregullat fetare.

[3] Një emër tjetër i Profetit Muhamed (a.s.), që do të thotë “I lavdëruari”.

[4] Dobi: Me këtë mësojmë mënyrën e lejuar të kremtimit të ditëlindjes së Profetit alejhi selam duke agjëruar ditën e hënë dhe jo siç veprojnë njerëzit e bidatit kur e kremtojnë çdo vit ditëlindjen e tij pa harruar dhe kundërshtitë e tjera që ndodhin gjatë këtij kremtimi.

LEAVE A REPLY

Please enter your comment!
Please enter your name here