Rregullat e borxhit

0
285

Borxh, në terminilogjinë fetare është: dhënia e një pasurie dikujt tjetër që të përfitojë prej saj, dhe kthimi i kësaj pasurie përsëri të zotit.

Borxhi është lehtësim i madh dhe ndihmesë, sepse ai që e merr përfiton prej tij dhe mbaron një hall apo një punë që s’mund ta bënte dot pa të, pastaj detyrimisht ia kthen huadhënësit.

Huadhënia është e pëlqyeshme në Islam dhe ka një shpërblim të madh. Profeti (paqja dhe bekimi i Allahut qofshin mbi të) ka thënë: “Një muslimani që i jep dy herë hua një muslimani tjetër, i konsiderohet sikur ka dhënë një herë lëmoshë.”[1]

Thuhet se të japësh borxh është më mirë se të japësh lëmoshë, sepse borxh merr vetëm ai që ka hall. Në një hadith të saktë përcillet: “Kush e liron një besimtar nga një hall i dynjasë, Allahu do ta lirojë atë nga një hall i Ahiretit.”[2]

Pra, huadhënia është një bamirësi, lehtësim për një musliman dhe zgjidhje për hallin e tij. Ajo nuk është diçka e papëlqyeshme, pasi edhe vetë Profeti (paqja dhe bekimi i Allahut qofshin mbi të) ka marrë hua[3].

Për të dhënë një hua është kusht që huadhënësi ta japë atë nga pasuria e tij; kujdestarit të një jetimi nuk i lejohet të japë borxh nga pasuria e jetimit.

Po ashtu është kusht të përcaktohet shuma që jepet borxh dhe lloji i tij, në mënyrë që të dihet se sa duhet t’i kthejë huamarrësi huadhënësit. Borxhi është amanet në përgjegjësi të huamarrësit; ai duhet t’ia kthejë menjëherë huadhënësit sapo të këtë mundësi ta bëjë këtë, pa vonesë.

Është e ndaluar që huadhënësi t’i vërë kusht huamarrësit t’ia kthejë borxhin me një shtesë. Dijetarë janë të një mendjeje se nëse huadhënësi vë një kusht të tillë dhe e merr atë shtesë, padyshim ka marrë kamatë, siç bëjnë bankat sot duke dhënë hua (kredi) me interes, qoftë kjo kredi konsumatore ose biznesi, apo sido që t’i emërtojnë ato. Nuk i lejohet huadhënësit (qoftë individ, bankë apo shoqëri) të kushtëzojë dhe të marrë një shtesë nga huamarrësi, çfarëdo emri që të ketë ajo, si: fitim, interes apo dhuratë etj., përderisa kjo shtesë, dhuratë apo interes është marrë si kusht për huadhënien.

Në një hadith përcillet se: “Çdo huadhënie që tërheq interes, është kamatë.”[4] dhe në hadithin e Enesit përcillet se: “Nëse dikush nga ju jep një hua dhe për këtë i bëhet një dhuratë ose bartet mbi një kafshë (transporti), atëherë të mos e pranojë atë dhuratë dhe të mos hipë mbi atë kafshë, vetëm nëse kjo gjë ka ndodhur që më parë.”[5].

Përcillet se Abdullah ibn Selami ka thënë: “Nëse dikush të ka një borxh dhe të jep dhuratë qoftë edhe sa një fije kashte, mos e merr, sepse ajo është kamatë.” Prandaj nuk i lejohet huadhënësit të pranojë ndonjë dhuratë apo ndonjë shërbim nga huamarrësi, nëse kjo bëhet për shkak të huasë, sepse kjo gjë është e ndaluar dhe sepse huaja është për ta lehtësuar nevojtarin dhe për t’iu afruar Allahut. Nëse vihet kusht që të merret shtesë mbi totalin e huasë ose nëse kërkohet – bile edhe nëse nuk përmendet, por thjesht shpresohet kjo gjë – atëherë huaja është larguar nga qëllimi i saj – i cili është afrimi tek Allahu i Lartësuar – duke e kthyer nevojën e huamarrësit, në përfitim të huadhënësit nga ai, e kështu ajo s’quhet më hua.

Prandaj muslimani duhet të ketë kujdes që t’i largohet këtij veprimi dhe ta ketë qëllimin të pastër për huanë dhe për të tjera punë të mira. Qëllimi i huasë nuk është që ta shtojë kapitalin e huadhënësit në aspektin material, por në atë moral dhe ky është afrimi tek Allahu, duke i hequr një hall nevojtarit dhe duke kthyer vetëm kapitalin pa shtesa. Nëse ky është synimi i njeriut për huadhënien, Allahu do t’i japë pasurisë së tij një begati dhe zhvillim të mirë.

Megjithatë, duhet të dihet se shtesa e ndaluar në hua është ajo shtesë e kushtëzuar, si në rastet kur thuhet: “Të jap kaq hua, me kusht që të më kthesh lekët e mia me një shtesë prej kaq lekësh.”, “…të më japësh shtëpinë apo dyqanin tënd ta shfrytëzoj unë për kaq kohë.” ose “…të më japësh një dhuratë kaq e aq.”.

I njëjti gjykim është edhe për rastet kur kushti nuk përmendet me fjalë, por huadhënësi e synon dhe e dëshiron atë; kjo është ajo që ndalohet.

Ndërsa në rastet kur huamarrësi jep një shtesë nga vetja e tij dhe me dëshirë, pa asnjë kusht, synim apo dëshirë nga huadhënësi, nuk ka problem që të merret ajo shtesë, sepse kjo konsiderohet si shlyerje me mirënjohje e huasë, dhe sepse Profeti (paqja dhe bekimi i Allahut qofshin mbi të) mori hua një deve të vogël dhe e ktheu huanë duke dhënë një tjetër më të mirë se ajo që mori e pastaj tha: “Më i miri nga ju është ai, i cili e shlyen më mirë (borxhin).”[6]. Ky është tregues i një morali të lartë që e lëvdon edhe zakoni, edhe feja dhe nuk bën pjesë në atë huadhënie që tërheq interes; përderisa nuk është kushtëzuar në hua nga huadhënësi dhe as është rënë në ujdi për të, atëherë ajo është dhënie me vetë dëshirën e huamarrësit.

Po kështu, nëse huamarrësi i sjell huadhënësit një përfitim që e kanë pasur zakon edhe para huasë, atëherë nuk ka ndonjë të keqe, sepse kjo nuk bën pjesë në atë çka është e ndaluar.

Huamarrësi duhet të interesohet që ta shlyejë huanë dhe t’ia kthejë atë të zotit, pa shtyrje e vonesa, në rastin më të parë që ka mundësi, sepse Allahu i Madhëruar thotë: “A shpërblehet bamirësia ndryshe, përveçse me bamirësi!?”[7].

Disa njerëz i shpërfillin të drejtat në përgjithësi dhe në çështjen e borxhit në veçanti. Kjo është një cilësi e ulët, që i ka bërë shumë njerëz të mos japin hua dhe të mos i ndihmojnë nevojtarët, gjë që mund ta detyrojë nevojtarin të shkojë në bankat kamatore dhe të krijojë me to marrëdhënie që Allahu i Lartësuar i ka ndaluar. E gjithë kjo, sepse nevojtari nuk gjen një njeri që t’i japë atij hua të pastër dhe huadhënësi nuk gjen një njeri të rregullt që t’ia kthejë atij huanë me pastërti, e në këtë mënyrë zhduken nderet dhe bamirësitë mes njerëzve.-

LEAVE A REPLY

Please enter your comment!
Please enter your name here