PËRHAPENI SELAMIN, DHURONI USHQIM, DHE FALUNI NATËN

0
173

Ebu Jusuf ibn Abdullah ibn Selam, Allahu qoftë i kënaqur prej tij, përcjell e thotë: “Kur i dërguari, sal-Allahu alejhi ve selem, erdhi në Medine, dolën njerëzit para tij ta prisnin, ”U afrova që ta shikoj, kur e pash fytyrën e tij, pashë se fytyra e tij nuk është fytyrë e një gënjeshtari, e gjëja e parë që kam dëgjuar prej tij ishte:

”O ju njerëz, përhapeni selamin, jepni ushqim, mbani lidhjet farefisnore, dhe faluni natën kur njerëzit flenë. Do hyni në xhenet me selam (paqe).” E shënon Ahmedi, Tirmidhiu, Hakimi, dy të fundit e vlerësuan si autentik ndërsa Dhehebiu u pajtua me ta.

SHPJEGIM I HADITHIT

Sahabiu i nderuar, Abdullah ibn Selam, Allahu qoftë i kënaqur prej tij, na rrëfen se si banorët e Medines e pritën të dërguarin, sal-Allahu alejhi ve selem, që ta mirëpresin e t’i dëshirojnë atij mirëseardhje, dhe se ai kishte qenë një prej atyre që kishin dalur ta prisnin të dërguarin, sal-Allahu alejhi ve selem, në Kuba, dhe se ende në ato ditë nuk kishte pranuar islamin, ngase ishte një prej rabinëve të çifutëve, dhe se banorët e vendit, nga kudo që ishin dhe feve që i përkisnin e respektonin dhe e madhëronin atë, e kur e pa fytyrën e tij të bekuar, besoi në të dhe u bind, dhe për këtë njeri zbriti fjala e Allahut të Madhëruar: “Thuaju (atyre): “Më thuani ju mua se çka do të bëhet me ju nëse Kur’ani është prej Allahut, e ju e mohoni, e ka dëshmuar (për të) dikush prej bijve të Israelit në shembullin e tij e besoi, kurse ju u bëtë mendjemëdhenj (nuk besuat)!” Me të vërtetë, Allahu, nuk e udhëzon (në rrugë të drejtë) popullin zullumqarë.” Ahkaf, 10.

Ky hadith madhështor përmban katër porosi fisnike profetike, e ato janë:

POROSIA E PARË: PËRHAPJA E SELAMIT

Përshëndetja me selam, është një prej shkaqeve të para të bashkimit, dhe një qelës i përafrimit dhe dashamirësisë. Me përhapjen e selamit; është për qëllim të shpeshtohet e të shpërndahet gjithë andej, fjala ‘Selam’ është një prej emrave të Allahut të Madhëruar, e përhapja e selamit është një rrugë që të shpie në dashuri mes muslimanëve, siç përcjell Ebu Hurejra, Allahu qoftë i kënaqur prej tij, se i dërguari, sal-Allahu alejhi ve selem, ka thënë: “Nuk do të hyni në xhenet deri sa të besoni, e nuk do besoni derisa të duheni mes vete, a t’ju tregoj për një gjë që nëse e veproni do duheni mes vete; përhapeni selamin mes jush.” E shënon Muslimi.

Dhe selami është një prej të drejtave të muslimanëve ndaj njëri-tjetrit, njashtu Ebu Hurejra, Allahu qoftë i kënaqur prej tij, përcjelll se i dërguari, sal-Allahu alejhi ve selem, ka thënë: “Nëse e takon (një musliman) përshëndete me selam, e nëse të fton, përgjigjju ftesës, nëse kërkon ta këshillosh këshilloe, e kur të teshtinë dhe e falënderon Allahun, lutu për te, e kur të sëmuret vizitoe, e kur të vdes përcille.” E shënon Muslimi.

Sikur që përshëndetja me selam është një prej veçorive të kësaj feje, islamit. Abdullah ibn Amr, Allahu qoftë i kënaqur prej tij, përcjell se një njeri e pyeti të dërguarin, sal-Allahu alejhi ve selem: “Cili është islami (praktikimi i fesë) më i mirë? Ai iu përgjigj: “Të dhurosh ushqim, të përshëndesësh me selam, atë që e njeh e atë që nuk e njeh.” E shënon Buhariu.

Pra, përshëndetja me selam, ndaj atij që e njeh dhe ndaj atij që nuk e njeh e largon egërsinë, dhe e largon njeriun nga veçoritë e urryera, siç është; kryelartësia, nënçmimi i të tjerëve, etj.

Selami është prej veçorive të këtij umeti, dhe është një përshëndetje e bekuar. Aisheja, Allahu qoftë i kënaqur prej saj, përcjell se i dërguari, sal-Allahu alejhi ve selem, ka thënë: “Nuk ju kanë smirëzi çifutët për diç më shumë se sa ju anë smirëzi për selamin dhe aminin.” E shënon Buhari në libri e tij ‘Edebul Mufred’.

Dhe ky hadith është një fakt se selami është i veçantë për këtë umet dhe jo për të tjerat.

Dhe se selami është shkak i shtimit të shpërblimit. Imran ibn Husajn, Allahu qoftë i kënaqur prej tij, përcjell e thotë: Erdhi një njeri tek i dërguari, sal-Allahu alejhi ve selem, dhe i tha: Selamu alejkum. Ai ia ktheu selamin dhe personi u ul. Dhe i dërguari, sal-Allahu alejhi ve selem, tha: Dhjetë. Pastaj erdhi një person tjëtër dhe tha: Selam alejkum ve rahmetullah. Ia ktheu selamin dhe personi u ul. Dhe i dërguari, sal-Allahu alejhi ve selem, tha: Njëzet. Pastaj erdhi një person tjëtër dhe tha: Selam alejkum ve rahmetullah ve bereketuhu. Ia ktheu selamin dhe personi u ul. Dhe i dërguari, sal-Allahu alejhi ve selem, tha: Tridhjetë.” E shënon Taberaniu.

POROSIA E DYTË: DHURIMI I USHQIMIT

Allahu thotë: ”dhe i ushqejnë të varfërit, bonjakët dhe të zënët robë (në luftë), madje edhe pse janë vetë nevojtarë për te (ushqim). (Thonë ata): “Na, ju ushqejmë vetëm për hir të Zotit. Na – për këtë, nuk duam shpërblim as falënderim.” Sureja Insan, 8-9.

Pra; dhurojnë ushqim për hir të dashurisë së Allahut. Për këtë, dhurimi i udhqimit është një prej shkaqeve që të fut në xhenet. Ebu Hani përcjell se, kur një grup hyri tek i dërguari i Allahut, sal-Allahu alejhi ve selem, i thanë: ”O i dërguari i Allahu. Cila vepër të fut në xhenet? Ai u përgjigj: Përmbaju fjalës së mirë dhe shpërndaj ushqim.” E shënon Taberaniu.

Imam el Hatabi, ka thënë: ”I dërguari i Allahut, sal-Allahu alejhi ve selem, konsideroi një prej veprave më të vlefshme dhurimin e ushqimit, që është një shkas për forcimin e trupave, dhe konsideroi fjalët më të mira, si; përhapja e selamit, fjalët bujare dhe bamirëse, pra, në formë të përgjithshme, pa përcaktuar, atë që e njeh dhe atë që nuk e njeh, që të jetë e sinqertë për Allahun e Madhëruar, larg çdo lakmie të shpirtit dhe formalitetit, ngase është një moto e islamit, për këtë është e drejtë e çdo muslimanit.”

Saqë, shtohet vlera e kësaj vepre edhe më shumë kur manifestohet në kohëra kur njerëzit janë të nevojshëm, Allahu thoë: ”ose me ushqyer, kur bredh uria (të urët).” Sureja Beled, 14. Pra në kohë të urisë së madhe.

Njashtu, dhurimi i ushqimit për mysafirin është prej shenjave të imanit të plotë. Ebu Hurejra, Allahu qoftë i kënaqur prej tij, përcjell e thotë: ”i dërguari, sal-Allahu alejhi ve selem, ka thënë: ”Kush beson Allahun dhe ditën e Fundit le të mos e dëmtojë fqiun, kush beson Allahun dhe ditën e Fundit le të e nderojë mysafirin, dhe kush beson Allahun dhe ditën e Fundit e të flet mirë ose le të hesht.” E shënojnë Buhariu dhe Muslimi

POROSIA E TRETË: MBAJTJA E LIDHJEVE FAREFISNORE

Lidhje farefisnore nënkupton; secili me të cilën ke lidhje gjaku apo afërsie, qoftë kah ana e prindit apo nënës. Kurani Famëlartë ka nxitur shumë për lidhjet farefisnore dhe ka tërhequr vërejtjen nga ai i cili i shkëput këto idhje, Allahu thotë: ”Dhe druajuni Allahut, me emrin e të cilit, ju i kërkoni njëri-tjetrit diçka dhe i ruani lidhjet farefisnore. Se, Allahu, me të vërtetë, është përherë mbikëqyrës i juaji.” Sureja Nisa, 1.

”E, vallë ndoshta edhe ju (hipokritët) sikur të vinit në pushtet, do të bënit ngatërresa (zullum) në Tokë dhe do t’i shkatërronit lidhjet farefisnore?!.” Sureja Muhamed, 22.

E prej lidhjeve më të mëdha dhe më të obliguara, lidhja me prindërit, është e detyrueshme të respektohen, e të sillet mirë me ta, Allahu thotë: ”Zoti yt ka urdhëruar që ta adhuroni vetëm Ate dhe t’u bëni mirësi prindërve.” Sureja Isra, 23.

Për mosmbajtjen e lidhjeve farefisnore kanë ardhur kërcënime të shumta, prej tyre hadithi që e përcjell Xhubejr ibn Mut’im, Allahu qoftë i kënaqur prej tij, se ai kishte dëgjuar të dërguarin, sal-Allahu alejhi ve selem, të ketë thënë: ”Nuk hyn në xhenet ai i cili i ndërpren lidhjet farefisnore.” E shënon Buhariu në librin e tij ‘Edeb el Mufred’

Njashtu Ebu Bekrete, Allahu qoftë i kënaqur prej tij, se i dërguari i Allahut, sal-Allahu alejhi ve selem, ka thënë: ”Nuk ka mëkat më të merituar që Allahu të e dënojë vepruesin e tij në dynja, me gjithë atë që i deponohet atij në ahiret, se sa; kurvëria dhe ndërprerja e lidhjeve farefisnore.” E shënon Ebu Davudi.

I dërguari, sal-Allahu alejhi ve selem, ka nxitur për mbajtjen e lidhjeve farefisnore, duke mos pritur nga pala tjetër. Abdullah ibn Amr, Allahu qoftë i kënaqur prej tij, përcjell se i dërguari, sal-Allahu alejhi ve selem, ka thënë: ”Nuk është mbajtës i lidhjeve farefisnore ai i cili mjaftohet të viziton ata që e vizitojnë, por mbajtës i lidhjeve farefisnore është ai i cili kur të ndërpritet, ai i rivendos lidhjet me ta.” E shënon Buhariu.

Ebu Hurejra, Allahu qoftë i kënaqur prej tij, përcjell e thotë: ”Një njeri tha: ”O i dërguari i Allahut! Unë kam disa të afërm, me të cilët i mbaj lidhjet e ata me largojnë, unë u bëj mirë atyre e ata më bëjnë keq, dhe unë sillem butë me ta kurse ata sillen me injorancë? I tha: “Nëse vërtet është ashtu siç thua, atëherë ti sikur t’i ushqesh ata me hi të nxehtë, dhe vazhdimisht me ty do jetë një ndihmës i Allahut kundër tyre, përderisa je në këtë gjendje.” E shënon Muslimi. Pra, ti me bamirësinë tënde i nënçmon ata, për shkak punëve tua të shumta e veprës së tyre të shëmtuar, sikur ai që ushqehet me hi.

Njashtu, mbajtja e lidhjeve farefisnore përmban edhe një shpërblim shumë të madh. Enes ibn Maliku, Allahu qoftë i kënaqur prej tij, thotë: ”Kam dëgjuar të dërguarin, sal-Allahu alejhi ve selem, duke thënë: ”Kush dëshiron që t’i shtohet furnizimi e t’i zgjtet jeta, le të mbajë lidhjet farefisnore.” E shënojnë Buhariu dhe Muslimi

POROSIA E KATËRT: FALJA E NAMAZIT TË NATËS

Allahu i Madhëruar përmend cilësitë e besimtarëve dhe thotë: “Pjesët e trupit të tyre ngriten nga shtrati (për t’u falur); i luten Zotit të tyre duke druajtur dhe shpresuar, dhe japin (lëmoshë) nga ajo që u kemi dhënë Ne.” Sureja Sexhde, 16.

Abdullah ibn Amr ibnul As, Allahu qoftë i kënaqur prej tij përcjell e thotë: “Më tha i dërguari i Allahut, sal-Allahu alejhi ve selem, : “O Abdullah, mos u bëj sikur filani, falej natën, dhe (më pas) e braktisi namazin e natës.” E shënojnë Buhariu dhe Muslimi.

Ebu Hurejra, Allahu qoftë i kënaqur prej tij, përcjell e thotë: i dërguari, sal-Allahu alejhi ve selem, ka thënë: “Allahu e mëshiroftë atë burrë i cili zgjohet për tu falur natën, falet dhe e zgjon edhe bashkëshorten e tij, e nëse ajo refuzon, ky e stërpikë ate me ujë në fytyrë. Dhe Allahu e mëshiroftë atë grua e cila zgjohet për t’u falur natën, falet dhe e zgjon burrin e saj, e nëse ai refuzon kjo e stërpikë atë me ujë në fytyrë.” E shënon Ahmedi dhe autorët e katër suneneve.

Ali ibn Ebi Talib, Allahu qoftë i kënaqur prej tij, përcjell se i dëguari, sal-Allahu aeljhi ve selem, trokiti në derën e tij dhe i tha atij dhe të bijës së tij Fatimes: “A nuk po faleni?”. Ai u përgjigj: “O i dërguari i Allahut, shpirtrat tonë janë në duar të Allahut, nëse Ai dëshiron të na zgjojë na zgjon. Dhe ai u largua pasi që i thamë kështu, e nuk u kthye përsëri, më pas e dëgjova kur po kthehej, i mëshoi kofshës së tij dhe lexonte: “por njeriu, më tepër se kushdo është polemizues.” Sureja Kehf, 54. E shënon Buhariu.

Duhet që t’i kushtohet rëndësi namazit të natës, dhe të mirren shkaqet që ndihmojnë për t’u falur, si; largimi prej mëkateve, pakësimi i ushqimit para gjumit.

E lusim Allahun të na ndihmojë t’i kryejmë adhurimet, e të na jep sukses në veprimin e porosive të profetit, sal-Allahu alejhi ve selem.

HADITHI I NËNTËMBËDHJETË

POROSI DHE UDHËZIME PROFETIKE

Përktheu nga gj. arabe: Shpend Zeneli

Burimi: albislam

LEAVE A REPLY

Please enter your comment!
Please enter your name here