Parandalimi dhe kontrolli i agresivitetit

0
310

Është kjo, ndoshta, çështja më interesante e më e rëndësishme e kësaj teme. Nëse agresiviteti rrjedh nga një larmi ngjarjesh të jashtme, si provokimi, frustrimi, etj., atëherë njohja e tyre, mund ta  parandalojë atë? Apo, kur dimë që ajo rrjedh nga atributet ose kujtimet, nga dallimet individuale, sidomos të Tipit A të sjelljes, shtrohet pyetja që agresiviteti, në këto raste është një reagim i programuar automatikisht, apo një fatalitet për organizmin njerëzor? Përgjigja shkencore është e prerë dhe e qartë se agresiviteti mund të parandalohet ose, së paku, të zvogëlohet rast pas rasti. Për të shpëtuar jetën e miliona njerëzve, psikologët socialë kanë përpunuar dhe orientuar teknika dhe praktika të ndryshme për kontrollin dhe parandalimin e agresivitetit njerëzor. Shohim në vazhdim tre teknika dhe tre strategji, si më kryesoret për parandalimin e agresivitetit.passive-aggressive

Së pari është teknika & praktika e ndëshkimi.

Gjatë gjithë historisë njerëzore, ndëshkimi dhe dënimi janë përdorur si forma pengimi dhe kufizimi të agresivitetit. Kështu, janë dhënë dënime të rënda për krime të tilla si vrasja, përdhunimi, apo fyerja, por gjithë çështja qëndron tek efektiviteti i tyre. Fakti është se, në një farë mase, ato kanë ndikuar për mirë. Njerëzit e burgosur dhe ekzekutuar nuk mund t’i përsërisnin më veprimet kriminale. Ka të dhëna që konfirmojnë se ndëshkimi mund të parandalojë dhunën, por vetëm nën disa raste dhe, të paktën nën tre kushte të caktuara.

Së pari, duhet që ndëshkimi të jetë i menjëhershëm, pra të pasojë sa më shpejt agresivitetin. Duhet së dyti, që të jetë një ndëshkim i fortë, pra dhe i mjaftueshëm për të penguar e për mos lejuar më të ushtrohet me efekte tek viktima pasuese. Duhet, së treti e së fundi, që ndëshkimi të jetë i mundshëm, pra i zbatueshëm sa herë që ndodhin veprime agresive. Fakti që ndëshkimet nuk kanë qenë gjithnjë të suksesshme në pakësimin e dhunës nuk tregon se ai është i dëmshëm apo i panevojshëm, por tregon që procedurat e përdorura nuk kanë qenë efektive. Kjo d.m.th., se ndryshimi i tyre do rriste efektivitetin. Nga sa më sipër del që, megjithëse është formë agresiviteti, dënimi shpesh e eliminon atë. Por ai mund që edhe të shtojë zemërimin, kur personi i dënuar ose ndëshkuar mendon se është i pafajshëm.

Së dyti është teknika e katharsisit.

Pamë më sipër që si Frojdi & Lorenc ishin pesimistë për mundësitë tona në eliminimin e agresivitetit, ngaqë impulset armiqësore të formuara gradualisht duhej të shkarkoheshin pa tjetër nëpërmjet sjelljeve dhe veprimeve. Sipas Frojdit, ato nuk duhen mbajtur brenda vetes, sepse sjellin depresion, vetëvrasje dhe anomali të tjera psikologjike. Por Frojdi ishte më optimist se Lorenc për mundësinë e kontrollit që kishte qenia njerëzore ndaj agresivitetit. Këtu ai përmend një numër mekanizmash mbrojtëse, ku dy janë më kryesoret, ai i ajrosjes dhe zhvendosjes. I shohim në vazhdim, se çfarë ka parasysh Frojdi me to.

Së pari me anë të mekanizmit mbrojtës të ajrosjes ose “ventilimit”, Frojdi supozonte se mund t’i mbajmë nën kontroll tendencat agresive, duke “ajrosur” zemërimin tonë, çka ngjan, figurativisht, me “nxjerrjen e tymit nga gjoksi ose koka”. Por, procesi i ventilimit është më kompleks nga sa e mendonte Frojdi fillimisht. Studimet më pas argumentuan se, ndërsa “ajrosim” armiqësinë tone, mundet që ndihemi më mirë, por ndodh të na shtohet stresi psikologjik. Kështu, p.sh., kur na zemëron shefi, ne do donim ta reduktonim tensionin duke e goditur atë me grusht, por, ndërkohë do ndiheshim edhe më keq, nga ndjenja e fajit që kemi humbur kontrollin (vetëdijen) për momentin, si dhe për pasojat që na presin. Ventimi mund që edhe të shtojë zemërimin dhe armiqësinë, në raste të caktuara. Kështu, p.sh., dhuna në familje zakonisht fillon me armiqësi verbale, por fjalët e zemëruara në vend që të reduktojnë agresivitetin “i hedhin benzinë zjarrit”. Pra ventimi i zemërimit, në raste të tilla, më tepër synon dhe tenton të ushtrojë armiqësi se sa ta pengojë atë.

Së dyti, për mekanizmin e zhvendosjes, shumë teoricienë, mes tyre dhe Frojdi, mendojnë se instinkte e pavetëdijshme agresive mund të zhvendosen ose të ndryshojnë drejtim në aktivitete më të pranueshme sociale. P.sh., kur zemërohemi me shokun mund të qëllojmë me grusht murin, ose ta godasim atë në imagjinatë, që të lehtësojmë tensionin e krijuar së brnedëshmi. Por jo se gjithnjë përdoret katharsis si teknikë e kapërcimit të agresivitetit njerëzor. Alternativa frojdiane për rolin e katharsisit mbetet e dyshimtë në disa pika. Megjithëse shprehja ose “shfryrja” e zemërimit, apo përfshirja në aktivitete jo të dëmshme, mund të kanalizojnë impulset armiqësore, kjo ndodh vetëm në kushte të kufizuara, sepse rrezikohet shpesh që zemërimi të shtojë armiqësitë, ndërsa zhvendosja na le me të njëjtën ndjenjë armiqësore, si më parë.

Së treti është teknika e shmangies së motiveve agresive. Rruga më e lehtë për të kontrolluar agresivitetin është shmangia e irritusëve mjedisorë. Por nëse nuk i shmangim dot, mund të aplikohen tre strategji të mirënjohura, që janë: kontrolli i zgjimit ose eksitimit, reagimet e papajtueshme dhe rrethanat lehtësuese. I analizojmë me radhë ato:
Së pari kontrolli i zgjimit aplikohet nëpërmjet formulës së njohur: “numëro deri më dhjetë!”. Sipas teoricienëve të motivit, përvojat e pakëndshme krijojnë agresivitet, ndërsa kontrolli dhe parandalimi i zgjimit mund të pengojnë atë. Për këtë do mjaftonte vetëm një periudhë e vogël “ftohje”, për të arritur nivelin e mëparshëm normal. Dhe, po u kontrollua zgjimi, do kontrollohet edhe agresiviteti. Arritja e momentit “të ftohjes mekanikisht”, pra duke numëruar, është një nga mënyrat, por jo e vetmja. Kështu, edhe përdorimi i ilaçeve me efekte zbutëse ose qetësuese, është një mënyrë tjetër. Së fundi, zgjimi mund të kontrollohet edhe nga shmangja e burimeve eksituese, që shtojnë dhe reagimet agresive. Një strategji e dytë lidhet me lindjen e reagimeve të papajtueshme, pra nxitja e emocioneve që nuk pajtohen me zemërimin. P.sh., gruaja që do të zbusë zemërimin e burrit e përkëdhel atë ose e kalon bisedën me të qeshur. Po kështu dhe vartësi që nuk ka ardhur në orar në punë, tenton ta bëjë për të qeshur eprorin duke i treguar ndonjë anekdodë, ose i bën ndonjë kompliment etj. Por, në të dy rastet, vetëm përvojat mesatarisht pozitive, mund ta nënshtrojnë agresivitetin e bashkëshortit dhe eprorit. Ndërsa, një humor i skajshëm ose cinik, apo teknikat për zgjim seksual me përmbajte tepër të lartë, jo vetëm nuk e reduktojnë zemërimin, por shpesh sjellin reagime që stimulojnë më tej atë.

Strategji e tretë është përdorimi i rrethanave lehtësuese. Kur shoku na izolon, ose na shmanget, ne mund që edhe të zemërohemi, por kur marrim vesh që ai ka mbetur në provim, ky zemërim do fashitet. Pra, informacioni i ri shërben si një rrethanë lehtësuese, që na bën të mendojmë se veçimi apo shmangja nuk kishin lidhje me ne, pra ishin të paqëllimshme ose të parëndësishme. Sidoqoftë, studimet psikologjike tregojnë se informacioni lehtësues ka një ndikim tepër të madh kur prezantohet para se të ndodhë ngjarja e pakëndshme.

LEAVE A REPLY

Please enter your comment!
Please enter your name here