Na njeh Pakistani

Na njeh Pakistani

shtylle_358868Pakistani është shteti i 98’të që e ka njohur Kosovën. Burime të Express kanë thënë se kjo njohje i është konfirmuar Kryeministrit Thaçi nga homologu i tij turk, Rexhep Taip Erdogan. Pranimi i pavarësisë nga shteti aziatik me 157 milionë banorë pritet të ndikojë edhe te vendet tjera.

Kryeministri i Turqisë, Rexhep Taip Erdogan, ia ka kumtuar lajmin Kryeministrit Hashim Thaçi se Kosovën e ka njohur Pakistani.

Burime të Express kanë treguar se Erdogan i ka telefonuar Thaçit në momentin që ka marrë konfirmimin e njohjes së 98’të për Kosovën.

Ndërkohë, njohjen e ka konfirmuar të premten edhe Zëdhënësi i Ministrisë së Punëve të Jashtme, Artan Behrami, i cili ka thënë se ky dikaster po e pret vetëm ardhjen e notës verbale.

“Ne kemi marrë sot konfirmimin zyrtar të njohjes nga Pakistani dhe jemi në pritje të njohjes verbale, e cila pritet të vijë në Ministrinë e Punëve të Jashtme”, ka thënë Behrami.

Njohjen e kanë konfirmuar edhe zyrtarë tjerë të Qeverisë.

Ministrja për Integrime Europiane, Vlora Çitaku, ka falënderuar Pakistanin nëpërmjet rrjeteve sociale.

Ndërkohë, gjatë pjesëmarrjes së ministrit të Jashtëm, Enver Hoxhaj, në takimin e Këshillit të Ministrave të Jashtëm të Organizatës së Bashkëpunimit Islamik në Xhibuti, ka zhvilluar edhe një takim të veçantë me Ministren e Punëve të Jashtme të Pakistanit, Hina Rabbani Khar.

Gjatë takimit, Hoxhaj kishte marrë premtime konkrete për njohjen e Kosovës nga Pakistani.

Ministrja e Jashtme e Pakistanit, gjatë bisedës me ministrin Hoxhaj, ka thënë se Pakistani do ta shqyrtojë kërkesën e Kosovës për njohje, duke shprehur interesimin e shtetit të saj për thellim të bashkëpunimit.

Njohja nga ky shtet aziatik me një popullsi 157 milionë banorësh vlerësohet të jetë e rëndësishme për shkak të rolit që ka ky shtet në Organizatën Islamike dhe te një varg shtetesh tjera, që ende nuk e kanë marrë vendimin për njohjen e Kosovës.

Ndryshe, Kosovën deri më tash e kanë njohur 98 shtete, ndërsa ende mbesin të pasqaruara njohja nga Nigeria dhe Uganda.

Kuvendi nëpërmjet një rezolute ka obliguar MPJ’në të sqarojë deri në fund të vitit njohjen nga këto dy shtete, të cilat i ka sjellë Pacolli.